• April 20, 2024 10:31 am

Personazhe nga Kukësi/ Rasim Juniku, gjakovari që bëri historinë e filatelisë

Shkruan Jonuz Kola

Rasim Juniku lindi në Gjakovë, në vitin 1913 dhe ndërroi jetë po në Gjakovë në vitin 2000.

Por familja Juniku u largua nga Gjakova për t`i shpëtuar përndjekjes që i bënin shovinistët serbë popullsisë shqiptare.

Në vitet 1923-1928 e kreu shkollën plotore në internatin ‘Kosova’ në -Kolgecaj të Tropojës.

Në vjeshtën e vitit 1928 filloi punën si praktikant në postën e Pukës për ushtrimin e alfabetit ‘Mors’. Pas përvetësimit të praktikave të përdorimit të aparaturës së telegrafës, ai bëhet një nga punonjësit më korrektë të postave duke shërbyer në Pukë – Ballsh – Pukë dhe pas luftës në Kukës, ku shërbeu me devotshmëri deri sa doli në pension.

Baca Rasim gjatë shërbimit në postat e Pukës, Ballshit dhe Kukësit u njoh me shumë intelektualë.

Me Engjëll Kosmaçin, Migjenin e Abdulla Çangën në Pukë, Maksut Milovën, Zenel Hekalin, Feim Lulashin e Sulo Klosin në Ballsh, me Qamil Golemin e Shuaip Demnorin në Lezhë. Gjatë punës në Lezhë takohet me bashkëpatriotin dhe shokun e shkollës Asim Vokshi, i cili në vitin 1936 kishte marrë leje nga qeveria e Mehdi Frashërit për të nxjerrë gazetën ABC.

Asimi i kërkoi Rasimit që ta ndihmonte për shpërndarjen e kësaj gazete në viset e veriut si Lezhë, Pukë, Va-spas, Kukës, Bicaj, etj…Punë të cilën Rasimi e kreu me devotëshmëri

Njohja me këta intelektualë e patriotë e inkurajoi Rasimin, që mos ta shikonte punën e telegrafistit si një zanat, por në kontakt me postën me anë të cilës lëviznin me mijëra letra, mbi të cilat për tarifën e shërbimit ishte aplikuar pullat postare, në të cilat pasqyrohej sintetikisht nëpërmjet artit pamor historia, kultura, flora, fauna, etnografia, arkeologjia e vlera të tjera të kombeve e popujve. Inspiruar nga dashuria për atdheun dhe kulturën në përgjithësi, ai që në vitin 1928

Kur filloi punën si praktikanët në postën e Pukës filloi grumbullimin seleksionimin e pullave postare. Koleksioni i tij filatelik përbehet prej 13 albumesh me 621 seri të sistemuara me kritere shkencore. Me koleksionin filateli të tij ka hapur katër ekspozita personale: Kukës 1985, Pukë 1986, Bajram Curri 1987, Kukës 1994.

Për kontributin e tij në fushën e filatelisë. Federata Shqiptare e Filatelistëve i ka dhën Rasim Junikut Diplomën e Nderit me motivacionin:

‘Meriton vlerësimin e lartë si filatelist me pasion, që ka dhënë një ndihmesë të çmuar në njohjen e pullave postare shqiptare’

Baca Rasim pati fatin që jetoi dhe të shikoi në vitin 1999 çlirimin e Kosovës. Ai si rrallë kush u kthye në Gjakovë në vendlindjen e tij dhe pas një viti e dha shpirtin e në paqe dhe u përcoll në banesën e fundit nga mijëra gjakovarë, i mbuluar me flamurin kombëtar.

By admin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *