• Thu. Apr 25th, 2024

Personazhe nga Luma/ Mësuesi Gani Zela, edukuesi i dhjetëra brezave në Bicaj e jo vetëm

Gani Zela, u lind më 20 Shtator 1934 në Mustafaj, Bicaj të rrethit të Kukësit, rrezë Grykës së Shëjes, në një familje punëtore, e cila i kishte idetë e qarta që djali i tyre i vogël Ganiu, kishte potenciale të mëdha për tu arsimuar, kohë gjatë të cilës ishte shumë e veshtirë për tu menduar kjo gjë.

Shkollën 8-vjeçare (1941 – 1950), ai e kreu në Bicaj me rezultate të shkëlqyera dhe si rrjedhojë në Qershor të vitit 1950 u dërgua në një kurs pedagogjik 2 mujor në Shkodër, ku pati shansin dhe fatin të njihej me shkrimtarët e njohur Dritëro Agollin dhe Odhise Grillon, raport të cilin e ruajtën deri vonë.

Në moshën 16 vjeçare (15 Gusht 1950) emërohet ‘Mësues’ në shkollën fillore të Bushtricës.

Fillimi i Vitit Shkollor 1951-1952, e gjen mësues në Tërshenë dhe aktivist në Organizatën e Pionerit dhe të Rinisë.

Nga viti 1953-1980, Ganiu u emërua ‘Drejtues i Rrethit Metodik të Mësuesve’ për zonën e Kukësit.

Prej nëntorit të 1953 u emërua Drejtues i Shkollës në Kolesjan dhe gjatë vitit 1954 -1956 u transferua në Nangë, ku ishte edhe drejtori Shtëpisë së Kulturës.

Gjatë kësaj kohe u përkushtua maksimalisht për të luftuar Analfabetizmin në moshat e mëdha që s’kishin arritur te arsimoheshin dhe këtë punë kuptohet që e bënte pas mësimit të paradites.

Vitet e para si mësues, ai kreu kurse kualifikimi për arsimin fillor në Tiranë.

Nga viti 1958 – 1959, Ganiu u emërua ‘Drejtues I Shkollës’ dhe ‘Përgjegjës i Shtëpisë së Kulturës’ në Shtiqën, zonë ku ai jepte mësim.

Megjithëse karriera e tij profesionale po ecte shumë mirë, dëshira për dije dhe kualifikime e ndoqi atë gjithë jetën dhe nga viti 1959-1961, kreu Shkollën e Mesme Pedagogjike ‘Luigj Gurakuqi’ në Elbasan, me gradat maksimale.

Me tu kthyer në vendlindje, në Gusht të 1961, profesor Ganiut, iu propozua të bëhej ‘Sekretar i Përgjithshëm i Rinisë së Rrethit’, por pasioni për mësimdhënien dhe përhapjen e dijes nuk e la të mendohej dy herë dhe përgjigja definitive e tij, ishte menjëherë:- Jo.

Nga viti 1961 – 1989 mësues Ganiu punoi në fushën e arsimit në shkollën fillore në Bicaj, ku edukoi e mësoi breza e breza të tërë, për të cilët ai fliste me krenari dhe mirënjohje.

Mësues Ganiu, ishte një burrë i gjatë, hijerëndë, i paraqitshëm, me syze, i veshur gjithmonë me kostum te zi dhe jakat e këmishës akull të bardhë, flisnin vetë për karakterin intelektual të tij. Me modelin që ai përfaqësonte të mësonte edhe pa folur fare. Metodikat e tij të mësimdhënies ishin nga ato metodika që kur i mësoje të nguliteshin thellë në mendje dhe të cilat janë vlerësuar me shumë tituj e dekorata.

Në vitin 1956, Presidiumi i Kuvendit Popullor I akordon Ganiut, ‘Medaljen e Punës’.

Në vitin 1962, merr distiktivin ‘Mësues i dalluar’ nga Ministria e Arsimit dhe Kulturës.

Ne vitin 1980, dekorohet me urdhërin ‘Naim Frashëri’ nga Presidiumi I Kuvendit Popullor.

Në vitin 1984, Profesor Ganiu merr përsëri titullin ‘Mësues I dalluar’ si dhe titullin e lartë ‘Mësues i Merituar’ nga Presidiumi i Kuvendit Popullor.

Pas daljes në pension në vitin 1989, Ganiun e gjeje gjithmonë në radhët e para të aktiviteteve që bëheshin për arsimin. Një nga të cilët, ai e kujtonte me nostalgji ishte ‘100 Vjetori i Shkollës Parë Shqipe’ në Korçë.

Mosha e kishte nxjerrë në pension, por pasioni i tij për arsimin mbetej akoma i freskët në shpirtin e tij të ri.

Kam pasur fatin ta shoh Profesor Ganiun pranë bibliotekës që kishte ndërtuar ndër vite në shtëpinë e tij.

Shpirti i tij energjik u nda nga jeta më, 4 Shtator 2013 edhe pse kishte akoma ëndrra dhe dëshira të mëdha.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *