Përtej lumit-Shkruar nga Sulejman Dida

Tregim

Shumë kohë ma herët, një fshatar i joni kish vendosë me shkue n’kurbet, e, para se me u nis i ka thanë nuses se vet, nji grue, që siç kanë tregue i ka pasë shoqet e rralla:
– Po bahem marak se qysh ke me ba pa mue, a do të mundesh me nejtë besnike, ashtu qysh të njoh.
– Po, çka asht ajo fjalë, mor burrë!, une nderin e ruj ma s’pari për babën tem, sepse thonë, bija e filanit, por e ruj edhe për ty sepse jam grueja jote.
– Ani, ani, e di, po qyshdo me ardhë puna, sepse ti je e re edhe të vlon gjaku, kur ta ndajsh menden me e ba at punë, roe (me vu re) kur të mblidhen katuni, edhe çai mashkull si shkon me e ba shurrën ma larg, çatij shko e thuej, tha burri tue e mendue se të paktën nji zotni, nji fisnik nuk e ban me fjalë n’katun.
Grueja e re mbulon fytyrën me duer prej turpit edhe ka ba be e rrufe se nuk ka me i shkue mendja për burrë dersa ky të kthehet te shpia.
Kaluen do vite dhe fisnikes, qashtu si i kish thanë burri, po i vlon gjaku e s’po ban rahat, derisa, nji ditë prej ditësh, teksa po shkon me mbush ujë, i pa burrat e katundit që banin nji mbledhë në nji lamë. Në pushim të mbledhës ndahen dy-tre prej tyne edhe e bajnë shurrën diku njaty mbas nji ferre e, nji tjetër po shkon bukur larg. Nusja bahet kurioze dhe e ndjek me sy, burri vendos njanin gju përtokë edhe e ban shurrën, e sigurisht edhe e ka shkundë, pa ia pa kush. Ndoshta bash qeky asht ai mashkulli për të cilin më ka folë burri, tha vetmevete. I duel përpara e i thotë kështu: or zotni filan fisteku, po m’dukesh burrë i mirë e nuk m’përfolë me kan, une burrin e kam larg e nuk po mundem me durue…
Zotnia kish qëllue i martuem, mirëpo e pa se johja kish me e shkatrrue nusen e shkretë, edhe pranon.
– Hajde natën përtej lumit, pak mbas midisit të natës, – i tha, – me e ba ktej lumit kam tutë se po na dikton kush. E me kët rast i kallxon se çfarë shenje ka me i dhanë: – kam me fishllue si zog nate, i tha.
Nusen e kaplon nji dëshirë që s’përballohet e po digjet prej zjarrmisë, po i duket se nuk vjen kurrë midisi i natës. Duel te lumi, që asht vetëm nja katërdhjetë hapa larg shpisë, dhe priti shenjën, si ndigjoi ‘zogun e natës’, ajo kërrp e n’lum. Uji i vinte deri në brez e ishte bukur ftohtë e, lumi ka qëllue pak si i gjanë. Kur duel përtej nusja u ftoh e u ba si dru, a ke ajo a s’ke. Si u afrue te nji shelqe, e pa zotninë që rrinte në kambë tue e pritë.
– A je ti, moj fisnike?, foli zotnia.
Nusja e huej qiti e tha:
– Une jam, por s’jam për ty. E, duke i kërkue ndjesë, hyni prapë në lumë dhe shkoi drejt e te shpia. Mbas ksaj nate, sa herë që e kapte zjarrmia për burrë, nusja e shkretë vrap e te lumi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *