Ka rënë në pranga 52-vjeçari me inicialet I. D., pasi plagosi me thikë 19-vjeçarin me inicialet J. V. Ngjarja ka ndodhur në Shtanë të Kukësit.

Uniformat blu bëjnë me dije se gjithashtu është proceduar penalisht edhe shtetasi tjetër që u përfshi në konflikt me të arrestuarin dhe nuk kallëzoi ngjarjen.

Njoftimi i policisë së Kukësit

Plagosi aksidentalisht me mjet prerës (thikë), një 19-vjeçar, gjatë konfliktit me një shtetas tjetër, arrestohet në flagrancë 52-vjeçari.

Procedohet penalisht edhe shtetasi tjetër që u përfshi në konflikt me të arrestuarin dhe nuk kallëzoi ngjarjen.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit se në spitalin e Kukësit ishte dërguar për të marrë ndihmë mjekësore, shtetasi J. V., 19 vjeç, banues në fshatin Shtanë, i plagosur me mjet prerës thikë, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kukës, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kukës, kanë nisur veprimet hetimore për zbardhjen e rrethanave të plagosjes.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasi J. V. është plagosur aksidentalisht me mjet prerës (thikë), në këmbë, nga shtetasi I. D., gjatë ndërhyrjes për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit të shtetasit I. D. me shtetasin A. P., në fshatin Shtanë.

Në përfundim të veprimeve hetimore për këtë rast u arrestua në flagrancë, për veprat penale “Plagosja e rëndë nga pakujdesia” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”, shtetasi I. D., 52 vjeç, banues në fshatin Shtanë, me precedent të mëparshëm penal.

Gjithashtu u procedua në gjendje të lirë shtetasi A. P., 40 vjeç, banues në fshatin Shtanë, për veprat penale “Dëmtime të tjera me dashje” dhe “Moskallëzimi i krimit”.

Në cilësinë e provës materiale, u sekuestrua mjeti prerës (thikë) me të cilin dyshohet se është plagosur 19-vjeçari.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *