• Fri. Apr 26th, 2024

Policia vazhdon heshtjen për vdekjen në aeroport, por thotë se po heton 10 biznesmenë kuksianë se nuk sigurojnë punëtorët

Kur kanë kaluar më shumë se 10 orë nga ngjarja e rëndë në aeroportin e Kukësit, policia lokale vazhdon të heshtë në lidhje me vdekjen e të riut Meriman Gashit.

Ende nuk dihet versioni zyrtar që do të publikohet për vdekjen e të riut të goditur nga eskavatori, i cili kishte vetëm 1 ditë punë që kishte nisur aty.

Në vend që të japë versionin zyrtar, policia e Kukësit ka vendosur që të bëjë publike një operacion tjetër.

Ata kanë bërë me dije se kanë vënë nën hetim 10 biznesmenë kuksianë të cilët nuk siguronin punonjës. Edhe ky operacion i policisë bie erë, pasi po zhvillohet në prag të fushatës elektorale dhe mund të jetë i ndikuar politikisht.

Njoftimi i Policisë së Kukësit për hetimin e 10 biznesmenëve kuksianë:

Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik në DVP Kukës, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Kukës, finalizuan operacionin policor të koduar ‘INFORMALITY – 1’.

Në kuadër të këtij operacioni u proceduan në gjendje të lirë, për veprat penale ‘Fshehja e të ardhurave’ dhe ‘Punësim i paligjshëm’, 10 shtetas, konkretisht:

B. Z., H. Th., H. O., M. B., G. S., L. Z.,A. S., M. H., V. O. dhe F. Sh., banues në Kukës.

Këta shtetas ushtronin aktivitetin në subjektet bar – kafe dhe restorante, në zona të ndryshme të qytetit të Kukësit, pa u regjistruar në organet tatimore dhe me punonjës të pa regjistruar/siguruar, duke shmangur detyrimet tatimore dhe sigurimin e detyrueshëm për të punësuarit.

Vijon puna për evidentimin dhe goditjen e rasteve të tjera të informalitetit në territorin e qarkut të Kukësit.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kukës, për veprat penale ‘Fshehja e të ardhurave’ dhe ‘Punësim i paligjshëm’.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *