Prizren/ Kërkohet mbrojtja e burimeve ujore në Kosovë

3 min read

Në Ditën Botërore të Lumenjve, në Prizren sot u është diskutuar mbi mbrojtjen e lumenjve nga dëmi që po u shkaktohet nga ndërtimi i hidrocentraleve në Kosovë, si dhe për problematikat e lumit Lumbardhi të Prizrenit

Në diskutimin “Lum Lumi” të organizuar nga C40 dhe KCSF në Prizren, morën pjesë kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, deputetë, përfaqësues të institucioneve publike, aktivistë të shoqërisë civile e nismave qytetare dhe qytetarë.

Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani ka thënë se Kosova nuk ka lumenj për të falur dhe është obligim i të gjithëve të angazhohen për kujdes të shtuar në mbrojtjen e burimeve ujore.

“Ne besojmë plotësisht në mbrojtjen e lumenjve, por edhe florës dhe faunës në to, e cila është edhe mbrojtje e traditës dhe qytetarëve që jetojnë rreth tyre, është mbrojtje e jetës dhe shëndetit tonë. Pa dyshim jemi për një Kosovë të zhvilluar, dhe energjia e gjelbër është e ardhmja, por njëkohësisht jemi të vetëdijshëm që çdo investim mund të bëhet në harmoni me natyrën dhe duhet të bëhet domosdo në përputhje dhe duke respektuar standardet, ligjet dhe praktikat më të mira për mbrojtjen e mjedisit. Tashmë është e konfimuar që Kosova ka rezerva të pamjaftueshme të ujit, dhe një gjë është e qartë se ne nuk kemi lumenj për të falur, dhe e kemi obligim që të angazhohemi për kujdes të shtuar për mbrojtjen e burimeve tona ujore”, ka thënë ajo.

Drejtori Ekzekutiv i KCSF-së, Taulant Hoxha tha se Kino Lumbardhi është simbol i rezistencës qytetare të Prizrenit dhe mbrojtjes së interesit publik.

Ai ka thënë se diskutimi i sotëm ka mbledhur shumë aktivistë që janë duke rezistuar që burimet e pakta ujore të Kosovës të mos shkatërrohen për përfitime të një grupi të vogël, e në kurriz të të gjithë qytetarëve të vendit.

0Dren Marseli, organizator i Bunarfest, tregoi që ka vite që garuesit e këtij festivali tashmë detyrohen që një pjesë të lëshimit përgjatë Lumbardhit duhet ta bëjnë jashtë lumit, për shkak të dëmtimit të shtratit të këtij lumi.

Shpresa Loshaj, aktiviste për mbrojtjen e lumenjve nga organizata “Pishtarët” nga Deçani tha se është e rëndësishme që qytetarët e asaj ane ta kuptojnë që diskutimi i problematikës së ndërtimit të hidrocentralit të jetë gjë normale, të ngritët vetëdija që diçka e parregullt dhe e paligjshme ka ndodhur dhe të ngritët guximi për t’i diskutuar këto probleme në anën e Junikut dhe Deçanit.

Kjo ngjarje u organizua në kuadër të edicionit të 16-të të festivalit “Bunarfest” dhe Programit EJA Kosovë të KCSF-s?. Përmes këtij programi, KCSF do t? mbështesë nismat e shoqërisë civile përmes granteve dhe trajnimeve me synimin e përgjithshëm për t’i kontribuar një shoqërie demokratike e gjithëpërfshirëse në Kosovë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *