Procesi në Hagë/ Ç’dihet për burgjet e UÇK-së në Kukës

Publikimi i aktakuzës për liderët e UÇK-së nga prokuroria speciale e Gjykatës së Hagës bën fjalë edhe për ekzistencën e burgjeve që kanë ekzistuar në territorin shqiptar, ku sipas dëshmive janë torturuar, trajtuar në kushte të këqija dhe janë mbajtur pengje serbë, romë dhe shqiptarë, që dyshoheshin si spiunë të armikut ose kundërshtarë politikë.

Në mëse tre pika të aktakuzës flitet për ekzistencën e tyre në Kukës apo në Has por kjo gjë nuk është pranuar kurrë nga autoritetet shqiptare. Zyrtarët e shtetit tonë nuk e mohojnë se gjatë kohës së luftës UÇK ka pasur bazat e saj këtu, madje se policia e saj ushtarake vepronte në terren, sidomos për të pikasur spiunët serbë që depërtonin këtej kufirit bashkë me grupet e mëdha të refugjatëve, por nuk kanë pranuar kur të flasin për burgje të tërë kuptimin e fjalës.

‘Po të kishin qenë të vërteta do ishin bërë shumë dokumentare. Do kishte informacione nga shtete të NATO-s. Me kërkesë të Shqipërisë është vendosur edhe një mision i Gjykatës së Hagës për të hetuar krimet e luftës. Kanë jetuar në vilën më të mirë në Tiranë, në vilën e kryeministrit pasi unë nuk jetoja atje’ ka dëshmuar në emisionin ‘Opinion’, ish kryeministri i kohës së luftës Majko.

Por, nëse deklaratat e Majkos mbështeten në argumentin se ekzistenca e këtyre burgjeve do njolloste edhe ndërkombëtarët që kontrollonin në atë kohë Shqipërinë, aktakuza e Hagës pretendon të kundërtën.

Sipas saj një i tillë ka ekzistuar në Kukës pikërisht në godinën e ish fabrikës së metaleve (poshtë foto e saj sot) gjatë periudhës maj qershor 1999.

Aktakuza përmend edhe emrin e eksponentit të UÇK-së Sabit Geci i cili kishte djeni për të paktën ekzistencën e 20 të burgosurve. Për këtë kamp paraburgimi duket se ka edhe dokumente të OKB-së dhe dëshmitarë. Për to për herë të parë kanë folur tre gazetarë, Altin Raxhimi, Michael Montgomery dhe Vladimir Karaj në një shkrim investigativ në Balkan Insight.

Në historinë e tyre të gjatë, të publikuar që në vitin 2009 ata pretendonin se kishin në duar dokumentet e së paku dy dëshmitarëve që kishin deponuar ato që kishin parë: një ish të burgosuri në këtë bazë të Kukësit dhe një ish ushtari të UÇK-së.

Madje ata kanë raportuar edhe për të vdekur duke u nisur nga dëshmitë dhe nga dokumentat e një varreze të kësaj zone.

Duket se dëshmitari shqiptar që ushtarët çlirimtarë e kanë torturuar duke e dyshuar si bashkëpunëtor të serbëve, dhe që gazetarët e kanë gjetur në dokumentet e administratës ndërkombëtare në Kosovë, është i njëjti me atë që kanë në dorë edhe prokurorët e speciales. Kjo shihet qarte së aktakuza e sotme përputhet me shkrimin investigativ të 11 viteve më parë për atë që ka ndodhur në burgun e ish fabrikës së metaleve në Kukës.

‘….të burgosurit në Kukës mbaheshin në një dhomë të nxehtë me dysheme të pisët. Atyre iu dha ushqim dhe ujë i papërshtatshëm ndërsa kushtet e higjienës ishin të këqija. Shumë anëtarë të UCK-së, mes tyre edhe Sabit Geci, vazhdimisht i rrihnin dhe i abuzonin psikologjikisht. Të burgosurit goditeshin në të gjithë trupin me leva, armë dhe një shkop bejsbolli, ndërsa i prisnin me thikë, i godisnin me grushta, shkelma apo i digjnin në pjesë të trupit, i qëllonin me armë, tortura me ujë, apo kërcënime për gjymtim apo vdekje.

Disa anëtarë të UÇK-së detyruan dy të burgosur të (REDAKTUAR) dhe i qëlluan me automatikë duke i plagosur. Njërit prej të burgosurve iu komunikua denimi me vdekje, megjithëse asnjë gjyq nuk ishte bërë. Të burgosurit mund të shihnin torturat e njëri tjetrit, mes tyre edhe të familjarëve dhe u urdhëruan të rrihnin njëri tjetrin’ shkruhet në aktakuzë. Po kështu dëshmitë që u përdorën për investigimin e vitit 2009, ngjajnë si dy pika uji: ‘Një tjetër dëshmitar okular, shqiptar i Kosovës, thotë se është mbajtur në Kukës nën pretekstin se ka qenë spiun i Serbisë, pandehje të cilën ai e mohon fuqishëm.

Ky njeri, që dëshiron të mbetet anonim, ka shpjeguar se ka parë ushtarët e UÇK-së duke keqtrajtuar dhe torturuar të burgosurit në këtë bazë me javë të tëra, shpesh nën mbikëqyrjen e oficerëve të UÇK-së.

‘I kam parë njerëzit tek rriheshin, thereshin, dhe goditeshin me shkopinj bejsbolli,’ thotë ai. ‘Kam parë njerëzit të lënë pa ushqim për pesë apo gjashtë ditë. i kam parë arkivolet tek hidheshin nëpër varre. Kam parë njerëz të vrarë.’

Ky njeri pohon se shumica e të burgosurve në Kukës kanë qenë civilë, kryesisht shqiptarë që akuzoheshin se punojnë për regjimin e Millosheviçit, dhe disa romë. Ka pasur edhe disa ushtarë të UÇK-së, të burgosur për shkaqe disiplinore’ citohet ky dëshmitar nga Balkan Insight.

Dëshmitë e pa vërtetuara të atyre që kanë treguar për këto burgje sekrete pretendojnë se të tilla ka pasur edhe në Cahan Hasit, Burrel, madje edhe deri në Durrës. Besohet se të njëjtat dëshmi që janë mbledhur fillimisht nga UMNIK e më pas nga EULEX, janë baza e atyre që kanë konsoliduar aktakuzën e e prokurorëve të Hagës.

Edhe një dekadë më parë edhe tani liderët e UÇK-së kanë folur se mund të ketë pasur abuzime individuale për zili ose hakmarrje, por skanë pranuar kurrsesi që kjo të qe një vijë sjelljeje e organizatës së tyre. Sot po pretendohet e kundërta dhe pas disa dënimeve lokale për ushtarë të thjeshtë që kanë kryer tortura në këto kampe burgimi, tani po akuzohet e gjithë kupola drejtuese e UÇK. Tani mbetet që kjo e vërtetë të vendoset prej Gjykatës së Hagës, ngritjen e së cilës, shumë prej tyre e votuan vetë në kuvendin e Kosovës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *