Prof. Zekeria Cana për luftën civile në Lusën në shtator 1944-Shkruan Petrit Palushi

(Material i plotë në librin “3 ditë të Luftës civile në Lusën – shtator 1944)

Nga një bisedë e gjatë me Prof. Zekeria Cana, në Kukës në tetor të 1997-s. Po ato ditë Klubi letrar “Anton Pashku”, promovoi librin e Z. Canës. “Gjenocidi i Malit të Zi mbi popullin shqiptar, 1912-1913 (dokumente)”. Pjesë të bisedës janë botuar në Rilindja e Kosovës (26 tetor 1997, f. 10-11)…

Në shtator të 1944-s, një Luftë civile në Lusën (Krahina e Lumës), ndërmjet partizanëve të Brigadës së 5-të dhe banorëve të Lusnës, por dhe të disa katundeve të tjera. Një sagë e madhe vrasjesh. Mbetën të vrarë 39 vetë dhe shumë të plagosur prej dy palëve. Konflikti i armatosur, që mori përmasat e një lufte civile lindi për shkakun e një kënge denigruese, që e kënduan një grup partizanësh të Brigadës së 5-të partizane mu n’oborrin e xhamisë së katundit, kur po falej Bajrami i Madh.

Pjesë nga shkrimi

PËR 3 DITËT E LUFTËS CIVILE NË LUSËN

(SHTATOR 1944)

P. Palushi: – Zakonisht, luftën civile e shohim të përmasave të mëdha, si ajo e Spanjës, për shembull, të korrikut të 1936-s deri në prill të 1939-s, ku n’atë shkundullimë përplasjesh u vranë afër 1 milion vetë. Dihen tashmë motivet e ballafaqimit.

Por, ja në Lusën, në një katund të vogël të Shqipnisë ndodhi një luftë civile në një kohë të shkurtë: vetëm në tri ditë. Kjo është dëshmia tronditëse e historisë. At’herë, ç’mund ta quajmë atë përplajse, përveçse luftë civile? Çdo emër tjetër që mund t’i venë historianët e shoh veçse si shmangie prej thelbit të së vërtetës.

Jo veç në Lusën, por edhe në katunde të tjera t’afërta e të largëta me të. Ndërmjet partizanëve të Brigadës së 5-të dhe banorëve të Lusnës, por dhe të disa katundeve të tjera. Një sagë e madhe vrasjesh. Mbetën të vrarë 39 vetë dhe shumë të plagosur prej dy palëve. Konflikti i armatosur, që mori përmasat e një lufte civile lindi për shkakun e një kënge denigruese, që e kënduan një grup partizanësh të Brigadës së 5-të partizane mu n’oborrin e xhamisë së katundit, kur po falej Bajrami i Madh. Me atë këngë partizanët u përpoqën të poshtërsonin banorët e katundit. Ia them vargjet e kangës:

“Hidhe, hidhe Mine këmbën

Kësaj Lumës ia q… t’ëmën.

Mori Lumë, Lumë e keqe

Pse s’i bëre dy teneqe…

Ti moj Lusnë leqe – leqe

Nuk i zbraze dy dyfeqe.

Pse faleni, more t’uruar

Zot nuk ka për të besuar.

Mor, të gjorë e të mashtruar”.

Më thotë t’ia them përsëdyti. Ia them…

Prof. Z. Cana: – Fjalë cinike, fort t’idhta. Përbuzje e skajshme për ata banorë të vuajtur, në shtëpijat e të cilëve partizanët bënë konak se s’mund të rrinin tjetërkund, përveçse aty, te shpijat e katundarëve. Nuk shkon kështu, nuk bën, është krejt e papranueshme, jashtë çdo logjike. Aq më tepër kur banorët shaheshin edhe kah nëna. Logjika e ftohtë njerëzore s’e pranon kurrë këtë dhe s’ka si ta pranojë. Është tepër rënduese në aspektin psikologjik. Prandaj në raste të tilla lindin revolta.

Petrit Palushi: – Shefqet Peçi dhe shtabi i Brigadës së 5-të kishin mundësi ta parandalonin konfliktin e armatosur, por mezipritën se “Po lanin hesapet me bashibozukët e Muharrem Bajraktarit”. Pra, alibia nuk qëndron. Muharrem Bajraktari, pas prapakrahëzës që iu bë në Gostil me 10 shtator të 1944-s i tërhoqi forcat e veta dhe u vendos në Barruç të Viles. Po të përfshihej ai n’atë konflikt formacioni i Brigadës së 5-të partizane që gjendej në Lumë do shkrihej krejt. Iu largua sa mundi përplasjes. Qe modern. Anonte kah paqja. Qe njeriu ma i admirueshëm jo vetëm prej lumjanëve.

Prof. Z. Cana: – Nacionalizmi i Muharrem Bajraktarit gjatë Luftës së Dytë Botërore, duhet kuptuar drejt si gjithë nacionalizmi shqiptar. Nuk ishte pse kishte Muharrem Bajraktari qëndrim kundër aleatëve që u vunë përballë fuqive të Boshtit. Jo. Luma mbarë me krejt nacionalizmin shqiptar, u vu, u përvijua në luftën për të mbrojtur Lumën, Kosovën e krejt trojet shqiptare nga rreziku sllav. Ishte rreziku sepse, me prishjen e Mbledhjes së Mukjes, që u bë tradhtia më e madhe kombëtare shqiptare, Kosova u vu në ankand publik, Kosova iu shit jugosllavëve. Do të shitej së shpejti edhe Shqipëria, do të bëhej një republikë jugosllave. Këtë e kuptonte Muharrem Bajraktari, prandaj nuk ishte ai se ua ktheu pushkën lëvizjes partizane. Jo. Ai ua ktheu pushkën shovenizmit jugosllav, rrezikut jugosllav, që kjo tokë e përlame me gjak, të mos bëhej përsëri pre e shovinizmit jugosllav, që Shqipëria e pavarur të mos shpallej e paqenë nga politika shoveniste jugosllave. Pra, nacionalizmi i Muharrem Bajraktarit e ka këtë shpjegim, e ka këtë burim të mirëfilltë, një nacionalizëm i kulluar, i pastër si loti. Mirëpo, është fatkeqësi e madhe për këtë popull, për këtë komb, që Muharrem Bajraktari me të tjerë luftëtarë të tjerë të devotshëm të kombit shqiptar ka qenë i denigruar nga shkenca shqiptare gjatë regjimit komunist. Unë uroj që së shpejti do të dalin edhe shkrime të tjera që Muharrem Bajraktari ta zërë vendin që meriton në historinë kombëtare shqiptare.

Petrit Palushi: – Asgjë s’është e rastësishme. Edhe pse mbaroi ploja në Lusën, një ditë më pas Shefqet Peçi gjeti kohë me u këndellë të pushkatonte Llazar Fundon. Pastaj qetë – qetë, tre ditë më vonë do pushkatonte 21 banorë të pafajshëm të Buzëmadhes në Krue të Bardhë dhe dy ditë më pas 4 të tjerë pafajshëm të Novosejt te Muri i Mejtepit. Gjeografia e krimeve të tij është e shtrirë, nuk përfshin pra vetëm një katund të Lumës. Më pas kaloi me formacionin partizan në Kosovë. Tashmë historia ka regjistruar edhe zezonat e tij atje.

Prof. Z. Cana: – Shih si është historia! Me 18 nëntor të 1944-s, siç thonë dokumentat, te Shatërvani në Prizren njerëzve të mbledhur aty u mbajtën fjalime nga Shefqet Peçi dhe Predrag Ajtiq, sekretar i Partisë komuniste jugosllave për zonën e Sharrit. Pra, mbajtën fjalime për lirinë dhe vllaznimin e shqiptarëve me Jugosllavinë. Por ç’ndodhi pak më vonë? Kosova u zhyt nën robërinë sllave dhe Shqipëria nën diktaturë. E thashë edhe në bisedën e mbrëmshme: “Ngjarjet që erdhën më vonë treguan se qëndrimi i nacionalistëve shqiptarë gjatë luftës, ku ishte edhe Muharrem Bajraktari, ishte i drejtë, i arsyeshëm, sepse tokat shqiptare u ripushtuan nga sllavët. Kjo është e vërteta shumë e hidhur. Tani ne mund të themi çfarë të duam, por gjithmonë të përpiqemi të themi të vërtetën e kulluar”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *