• April 20, 2024 10:47 am

Qamil Hoxha dhe ndihmesa e tij si bashkëpunëtor në koleksionin e studiuesit amerikan Albert Lord

Marrë nga Izet Duraku

Abstrakti

Qamil Hoxha ( 1908 – 1989) shërbeu si mësues për 23 vjet  në Lumë,(Kukës )   midis viteve 1927 dhe 1953, kur e larguan nga arsimi si të papërshtatshëm për regjimin komunist në Shqipëri. Ai vlerësohet si një nga njohësit e hulumtuesit e hershëm të kulturës kombëtare shqiptare.

Për historikun e krahinës së Lumës janë me rëndësi  veçanërisht dëshmitë e mbledhura të rezistencës popullore dhe kryengritjeve antiosmane dhe antiserbe duke dokumentuar edhe masakrat e ushtrive pushtuese.

Pasururia folklorike e mbledhur prej tij përfshin lirikën (këngë për të kremtet e motmotit, këngë dashurie, këngë dasme, këngë humoristike, vajtime, bejte etj), epikën historike dhe prozën e shkurtër.

Në vitin 1937, në kuadër të një ekspedite folklorike në Malësinë e Gjakovës, regjistroi duke i shkruar në dy fletore gjashtë këngë të Eposit Shqiptar, të cilat ia dhuroi më 10 dhjetor 1937, studjuesit amerikan Albert Lord, i cili vazhdonte në Shqipëri misionin e ndërprerë për shkak të vdekjes të studjuesit Milman Pery. Qamil Hoxha nuk kishte ruajtur kopje për ta, po për fat, dy fletoret e tij u zbuluan nga studjuesi Zymer Neziri në Universitetin e Harvardit, ShBA,ku ruhen në bibliotekën e këtij institucioni.

Fëminia dhe shkollimi i Qamil Hoxhës

Qamil Hoxha u lind në Bicaj të Lumës më 10 maj 1908 në një familje me tradita të hershme klerikalo –atdhetare. Mbylli sytë në vitin 1989.

Shkollimin fillor e kreu me ndërprerje në vendlindje  (1914-1915; 1922-1925) për shkak të pasojave të Luftës I Botërore dhe rrethanave të pushtimit serb që vuajti Luma nga viti 1918-1921.

Trashëgoi nga familja një kulturë arsimdashëse, që e bënte krenar edhe për shkak të cilësive të larta të paraardhësve të vet që, sipas tij kishin “lanë gjurma të shkëlqyeshme”. 1

Gjyshi i tij, mulla Uka; babai, mulla Xhema; mixha, mulla Jonuzi patën mbaruar medresen në Prizren. Madje ky i fundit në viti 1908, për të shërbyer si mësimdhënës në shkollën fillore turke në Bicaj,  kreu edhe një kurs pedagogjik në Shkup ku pati për mësues patriotët e njohur Sali Gjuka dhe Bedri Pejani. Ai do të ndëshkohej me prishje shtëpie nga autoritetet turke për shkak se u mësoi fshehtas fëmijëve ta shkruanin shqipen me alfabet latin.

Gjatë viteve të shkollimit, Qamil Hoxha u bind se Luma në periudhën nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit deri në Pavarësinë e vendit (1878-1912), për shkak të ngjarjeve të stuhishme kishte shënuar një histori të lavdishme, ndaj iu vu punës qëmtuese për t’i dokumentuar prej protagonistëve të gjallë  që “i kishin përjetue” 2

Jetoi një jetë të trazuar, por me stoicizëm i përballoi dallgët e saj, mbijetoi, u shkollua e mori një kulturë të kënaqshme. Gjatë gjithë jetës së tij nuk iu nda librit, sepse, sipas tij, “librat ndihmojnë me njoftë jetën e botën, me u ba i vlefshëm për vete, për familjen e shoqninë”. Shënoi gjithçka mësoi për krahinën e vet Lumën dhe më gjerë. Qëmtimet e tij ruhen në arkivin familjar dhe përbëhen në rreth 4000 faqe me të dhëna gjithfarësh me vlerë historike, folklorike dhe etnologjike, një pjesë e të cilave është botuar në librin e tij“Jeta dhe vepra ime” 3,   të botuar pas vdekjes.

Në fëmininë e tij të hershme ai nuk e kujton qartë qëndresën e njohur lumjane përballë hordhive serbe në nëntor 1912. Kosta Novakoviqi, socialdemokrat serb, pjestar i Repartit të Lumës nuk dëshironte të kujtojë detyrën e parë të këtij reparti që ishte çarmatosja e kësaj krahine, por nuk mundi  të heshtë për këtë përpjekje të dështuar, që,  siç shkruan ai “u pagua me jetën e disa qindra njerëzve, duke humbur edhe shumë municion, ushqime dhe kafshë…Pas disfatës së plotë në Lumë, pas katër netëve të pandërprera pa gjumë, pas tërheqjes nga pozita afër fshatit Bicaj dhe pas kalimit në ujë deri në brez- Reparti i Lumës, i forcuar edhe me një batalion, u detyrua të tërhiqet i shpartalluar, i raskapitur deri në pikë të fundit”. 4

Edhe babai i Qamilit, bashkë me shumë bicjanë të tjerë, i dolën para ushtrisë serbe në Qafë të Duhles (tetor 1912), ku u thyen e u tërhoqën për shkak se “nuk kishin armë e fishekë”, por vendosën t’i prisnin në Qafë të Kolesianit.

“Me 17 nandor (1912-shën. im) me tre sahat ditë, nisi përleshja midis dy fuqive. Nji shi i madh me vetima, bubullima e rrufe e tmerroi dhe e muer mendsh ushtrinë armike. Midis pyjesh të mëdha,  në terr e rrëmet që duket e pru zoti, ajo nisi të tërhiqej drejt Shejes, …ujët e së cilës vinte para gurë e lisa, kllade e makllade. Ushtarët serb pritshin lisa bregut të përroit, i shtynin në ujë e kapeshin për to me mund, me dalë përtej, po lisat e ushtarët përfundonin në Dri të Zi. Qindra ushtarë serb vdiqën pa shej e dok. Shumë prej tyne mbetën në baltat e Nangve, të Bokave të Kuqe e në ujët e vrullshëm të Lumës.”5

Pas kësa disfate, ushtria pushtuese serbe mundi të rikthehej në Lumë pas dhjetë ditësh duke kryer masakra e djegur vendin kudo me zjarr e hekur. Banorët  e Bicajt dhe fshatrave të tjerë “muerën malet e bjeshkët” 6

Si nëpër mjegull atij i kujtohet ikja nëpër borë e stuhi në krah të prindërve duke u strehuar në fshatrat e thella malore për t’i mbijetuar tërbimit hakmarrës të armatës serbe.

Edhe familja e tij ishte përfshirë fuqishëm në përpjekjet për ngritjen e shtetit të ri shqiptar. Pas tërheqjes serbe që la pas qindra banore të masakruar e dhjetra fshatra të djegura e të rrënuara, më 18 tetor 1913,  për herë të parë në Lumë, në Bicaj u arrit të ngrihej flamuri i shtetit të pavarur shqiptar. Kjo ngjarje me rëndësi kombëtare është quajtur “krijimi i Albanisë në Bicaj”7.

Në aktin e ngritjes së flamurit në Bicaj, ku morën pjesë edhe 14 burra shqiptarë të Kosovës, mori pjesë edhe Mulla Xhema i ati i Qamilit, i njohur për shpirtin e tij rebel kundër administratës turke dhe për këmbënguljen e mësimit të gjuhës shqipe në shkolla me alfabet latin.

Në vjeshtën e vitit 1914, (18 tetor 1914) me nismën e Hasan Prishtinës u hap në Bicaj shkolla shqipe, në të cilin pati fatin edhe Qamil Hoxha të futej. “Qe ditë e bardhë për mue dhe bashkëfshatarët e mi, sepse jeta ime muer nji kah tjetër, kahun e dijes.”8

Meqë një vit më vonë për shkak të ripushtimit serb shkolla u mbyll, ai ndërkohë qe aftësuar të vijonte mësimet në klasën e parë në Bicaj në vitin 1922, kur, me ndihmën e disa mësueve kosovarë, u hapën shkollat shqipe  edhe në disa vise të tjera të Lumës si në Shtiqën, Kalis, Kukës dhe në Krumë të Hasit. 9

Në klasë të parë Qamil Hoxhën e edukuan mësuesit nga Shkodra Ndrekë Cukola e Kel Vila që kryente edhe detyrën e kryeinspektorit për shkollat e hapura. Në klasën e dytë e mësuan Niman Ferizi e Xhemali Shehu, ndërsa në të tretën mësuesit Nustret Struga e Islam Hoxha. Në vjeshtën e vitit 1925 nuk hyri në klasë të katërt në Bicaj, por studjoi me bursë në Internatin “Kosova” në Kolgecaj, ku për shkak të zotësisë së provuar, u regjistrua në klasën e pestë. Në klasën e pestë e të gjashtë që i mbylli me rezultate të shkëlqyera (1925-1927) ka pasur mësues dhe drejtor të internatit, Sali Morinën “me cilësi të nalta njerëzore e profesionale” 10

Pas disa vite ndërprerjesh, ndonëse tashmë 29 vjeç, i martuar dhe baba i një djali,  Qamil Hoxha e rifilloi shkollimin në vjeshtën e vitit 1931.

“Më regjistruen në klasën e tretë dhe për katër vjet, me shumë përpjekje e përkushtim, ia dola m’anë kësaj detyre, mora dëftesën e pjekunisë…Komisioni provues më pajisi me dokumentin përkatës: i aftë për mësuesi në shkollat fillore” 11

Në kohën kur Qamil Hoxha kreu studimet në Normalen e Elbasanit në vitet 1931- 1935 atje shërbenin personalitete të shquara të arsimit dhe kulturës shqiptare si Aleksandër Xhuvani, Simon Shuteriqi, Vasil Andoni, Veniamin Dashi, Teki Tela, Ahmet Gashi, Stiliano Gaxho, Eqrem Çabej, Charle Leblanc, Ismail Haxhihyseni, Fejzi Dika, Mirash Ivanaj, Zef Kolombi, Karl Ljarja etj

“Emnat e këtyne burrave tregojnë se Normalja ka qenë nji pikë e randësishme kulturale-mësimore në vitet 30 të shek.XX, por edhe nji qendër e dallueme edukativo-arsimore prej së cilës dolën mësues me formim të shëndoshë shkencor, pedagogjik e atdhetar” 12

Gjatë shkollimit në këtë vatër diturie  dhe përparimi  Qamil Hoxha përfitoi dije të shëndosha në fushën e historisë kombëtare, veçanërisht të krahinave të robnueme, Kosovës dhe Çamërisë. Ai u aktivizua në shoqatën “Normalisti shetitës”, e cila “kishte synime të qarta kombëtare, çlirimin e dy viseve shqiptare të robnueme” 13.

Për të fituar sa më shumë kulturë të përgjithshme e profesionale, në vitet e shkollës ai u përpoq të shfrytëzonte në maksimum kohën, duke shmangur dëfrimet e panevojshme. Gjatë shkollës ai thelloi më tej pasionin e vet bibliofilik. Kësisoj siguroi mjaft libra dhe u abonua në disa revista kulturore të kohës, të cilat, ashtu të koleksionuara me kujdes, u ruajtën në bibliotekën e tij në Bicaj.

Ai ishte i bindur se nuk do të mundte tu linte pasuri më të vyer pasardhësve se sa librat e tij dhe këmbëmguljen për të mësuar gjatë gjithë jetës.

Në sajë të dijeve që fitoi në Shkollën Normale të Elbasanit dhe me nxitjen e profesorëve të tij, Qamil Hoxha iu vu punës për qëmtimin e folklorit dhe të historisë krahinore ku arriti të botojë edhe në revistën e shkollës “Normalisti”

“Në nr 4-5 (nandor –dhjetor 1934, botova “Kangën e Serbisë” (58 vargje), ndërsa në numrin e qershorit 1935 u shpaluen 24 vargje nga folklori lirik i Lumës”14

Gjatë viteve të shkollimit ai fitoi edhe një kulturë muzikore. Në shkollë ishte e detyrueshme t’i bije një vegle muzikore, preferohej violina, të cilën ai mësoi t’i binte.

Shkolla Normale e pajisi me njohuni të gjëra pedagogjike, didaktike e metodike si dhe e aftësoi në praktikën mësimore, sepse pranë shkollës ndodhej ushtrimorja me mësues të zgjedhur e të përgatitur në universitetet e njohura në Austri, Gjermani, Zvicër, Itali etj.

“Kur e mbarova shkollën (1935) mund të them pa droje se pata fitue baza të mira si didakt, metodist dhe edukator, sidomos për klasën e pare”. 15

Më 1 dhjetor 1935 mobilizohet për të kryer shërbimin ushtarak. Aso kohe e dërguan për të ndjekur Shkollën e Plotësimit që përgatiste oficerë rezervë. Kështu më 14 nëntor 1936 me dekret mbretëror u emërua “aspirant i plotësimit të armës së kambësorisë me vjetërsijë absolute 1 nandor 1936” 16

Qamil Hoxha si mësues

Pas mbarimit të studimeve në Internatin  “Kosova “në Kolgecaj të Malësisë së Gjakovës ( 1925-1927)  Qamil Hoxha u emërua mësues e kryemësues në fshatra të Kukësit.U emërua fillimisht në shkollën e Zapodit, dyert e së cilës ai pati fatin “me i hapë i pari” më 16 shtator 1927 dhe u betua “ dha fjalën e besës në mënyrë të ligjës së nëpunësave” para nëprefektit të Lumës në Bicaj më 7 tetor të atij viti. 17

Kjo ditë e shënuar la vragë në kujtesën e tij. Qenë vitet e para të arsimimit kombëtar. Ishin kushte të vëshira për nxënësit e mësuesit. Mësimi zhvillohej në mjedise private, falë atdhetarizmit të banorëve.

Në vitin shkollor 1928-1929 u transferua si mësues në shkollën e Bicajt ku shërbeu për tre vjet deri në vitin 1931, kur u regjistrua si student në Normalen e Elbasanit. Karierën e tij si mësues ai mundi që ta vijojë vetëm pasi kreu edhe Shkollën e plotësimit, kur me ndikimin e mësuesit të tij, “Ekrem Çabej i cili atëbotë punonte në Ministrinë e Arsimit”18 u emërua mësues në shkollën fillore Bicaj, ku vijoi detyrën për 5 vjet deri në vitin 1942.

Në këto vite shkolla e Bicajt, e plotësuar me kuadro të mirëarsimuar e atdhetarë, fitoi emër të mirë. Treshja e mësuesve të kësaj shkolle Ibrahim Kolçi, Qamil Hoxha e Xhafer Korbi së bashku do të kryenin “shumë punë dhe aksione fisnike me peshë kombëtare”.19

Pushtimi fashist i solli shumë fatkeqësi Shqipërisë, popullit të saj dhe intelektualëve të cilët u detyruan të pranojnë anëtërësimin në Partinë Fashiste. Edhe pse u detyrua të pranojë detyrën e përkohshme të sekretarit të fashios në Bicaj u përpoq të ndihmojë “hallexhijtë, të rrezikuemit dhe ata që i konsideronin kundërshtarë të regjimit…Kam kundërshtue sidomos të ashtuquajturën politikë paqësuese në vis me anë të lidhjes së besës.”20

Si masë ndëshkuese e pushuan nga puna si funksionar politik dhe u vendos largimi nga Bicajt dhe transferimi në Gjakovë më 16 mars 1942.

Në një telegram për zyrën e personelit të Ministrisë së Punëve të Brendshme nga Prefektura e Kukësit vihej në dukje se “mësuesi i shkollës së Bicajt, Qamil Hoxha, njikohësisht, sekretar politik, ka propogandue kundër lidhjes së besës dhe nuk ka lejue asnji prej fisit të tij me marrë pjesë në komisionin e pajtimeve. i naltëpërmenduni asht njeri intrigant dhe i rrezikshëm për qetësinë e rrethit… Lutemi ndërmjetësoni transferimin e tij me shpejtesi nga Bicaj” 21

Me lirimin nga Jugosllavia të Kosovës edhe për shkak të konflikteve të tij me administratën e pushtuesit fashist të Prefekturës së Kukësit, siç theksuam, në mars të vitit 1942 e transferuan në Gjakovë ku punoi si mësues në shkollën fillore “Bajram Curri” dhe disa muaj më vonë në Shkollën Normale – Tregtare të qytetit, ku u njoh me disa nga mësuesit e njohur si figura atdhetare të spikatura si : Zekirja Rexha, Rifat Spahiu, Shyqyri Hafizi dhe Haki Taha.

Shkolla Normale e Gjakovës (Instituti Normal Tregtar) që mori emrin “Gjon Nikollë Kazazi”, qe hapur me kërkesën këmbëngulëse të popullit në nëntor 1942. Kjo shkollë drejtohej nga profesor Zekirja Rexha, ndërsa Qamil Hoxha shërbeu si zëvendës drejtor e përgjegjës i administratës. Këtu ai dha lëndët : histori, shkenca natyrore, frengjisht si dhe vizatim, punë dore, bukurshkrim e gjimnastikë. Gjatë vitit shkollor 1943-1944 është kontrolluar nga inspektori i qarkut të Prizrenit, Ibrahim Fehmiu i cili për mësuesin Qamil Hoxha në raportin përmbyllës shënon se “asht i pasionuem në detyrën e tij: shquhet në punktualitet, në mirësjellje dhe në vullnetin e tij për punë e për aktivitete shkollore…”22

Me krijimin e brigadës partizane të Lumës ai rreshtohet në këtë formacion luftarak si mësues i batalionit të dytë të kësaj brigade duke kontribuar me zhdukjen e analfabetizmit të qindra partizanëve.

Me akuzë të montuar politikisht, më 19 mars të vitit 1945 duke qenë ende në shërbim ushtarak në zonat e Shkodrës, e arrestojnë dhe gjyqi ushtarak e dënoi me 1 vit burgim, ku qëndroi deri më 23 dhjetor 1945, pra “nandë muej e nandë ditë burg”.23

“Akuzat qenë rrëzue dhe përfundue në një pupël gjeli”, kujton Qamil Hoxha duke mos dashur të kujtoj shpirtëzinjtë dhe as të merret gjatë me shpifësit, përfundon në mënyrë lakonike: “ishin kohë të vështira”. 24

Megjithatë me urdhër të Ministrit të Arsimit, Qamil Hoxha emërohet mësues në Bicaj më 10 janar 1946, ku qëndroi deri në vjeshtë të atij viti. Ndërsa nga 21 tetori 1946 deri më shtator 1949 u transferua të punojë larg fshatit të tij në Ploshtan. Me punën e tij të përkushtuar si mësues , ai fitoi respektin e zonës së Kalasë së Dodës. E rikthyen fillimisht në Gostil, ku qëndroi vetëm një muaj si mësues.

Nga tetori 1949 deri në vitin 1953 dha lëndën e gjuhës shqipe në shkollën 7 vjeçare (cikli i lartë), ku ndihmoi në pikëpamje didaktike e metodike sidomos mësuesit që jepnin mësim në klasat e para të fillores. Gjithashtu ndihmoi për mirëmbajtjen e lokalit shkollor dhe mjeteve mësimore duke i meremetuar e ripërtërirë.

Në mësimin e lëndës së gjuhës, ndonëse ka zbatuar me përpikmëri gjuhën e tekstit, tosknishten, pikëpamjet e tij për gjuhën letrare nuk ishin në përputhje me orientimet e Ministrisë së Arsimit. Në një analizë vjetore ishte shprehur se “gegnishtja nuk duhej mohue, shmangë, po duhej të zinte ma shumë vend në programet e tekstet shkollore”.25  Ndërkohë hafije të Sigurimit të Shtetit dhe element regresiv të pushtetit e ndiqnin gjatë gjithë kohës. Si pasoje e përtëritjes së flakëve të skëterrshme të luftës klasore e largojnë nga arsimi si të papërshtatshëm më 15 korrik 1953..

Për të nxjerrë bukën e gojës, deri sa mbylli sytë, ai u detyrua të përballohet me stërmundimet e punëve të rënda fizike. Punoi si bujk, murator, suvatues, bojaxhi, marangoz etj.  Herë pas here syri vigjilent partiak turbullonte pasionet e verbëra të luftës ndërnjerzore dhe Qamil Hoxhës nuk i lanë shumë ditë të qeta për ta shijuar jetën.

Megjithatë ai ia doli të rriste 6 djem e një vajze. Me përpjekje të jashtëzakonshme u kujdes të shkollohen e të bëhen të aftë për ta përballuar jetën.

Ishte krenar me bijën e bijtë e tij, sepse “janë të mirë, e duen njani-tjetrin, nuk e përbuzin punën”.26

Kontributi i Qamil Hoxhës për pasurimin e koleksionit të Albert Lordit, shkencëtar i Universitetit të Harvardit.

Qamil Hoxha e ka takuar folkloristin e shquar amerikan në dhjetor të vitit 1937. Nxënësit e shkollës së Bicajve ku shërbente ai aso kohe po kalonin pushimet dimërore. Ai bashkë me kolegët e tij Ibrahim Kolçi e Xhafer Korbi sapo qenë kthyer nga një ekspeditë e suksesshme folklorike në krahinën e Tropojës, të cilin ai e njihte që nga shkollimi i tij në Internatin e Kolegecajve (1925-1927). 27

Viti 1937, kur Qamil Hoxha u njoh me folkloristin e shquar amerikan, përkon me një ngjarje të rëndësishme për publikimin e pasurive të Eposit Heroik Shqiptar. Në kolanën e “Visareve të Kombit”, u botua vëllimi i II-të me titull “Kangë kreshnikësh dhe legjenda” përgatitur nga Benard Palaj dhe Donat Kurti. Kjo përmbledhje prej 342 këngësh u përzgjodh nga mijëra këngë të mbledhura.  28

Ndërkohë Albert Lordi i kishte shtrirë kërkimet e veta në Veriun Shqiptar si vatra kryesore e ngjizjes së Eposit shqiptar që praktikohej ende në mjedisin natyror përmes rapsodëve të shumtë. Ai po vazhdonte kështu misionin e nisur së bashku me mikun e tij  Milman Parry, shkencëtar i njohur në Universitetin e Harvardit që pati ndërruar jetë në dhjetor 1935. Si ndihmës dhe asistent i tij, ata krijuan së bashku teorinë homerike të “letërsisë gojore”. 29 Me kërkimet e tyre në terren në Ballkanin Perëndimor në vitet 1933-1935, ata  mblodhën një lëndë folklorike të pasur dhe të larmishme të këtyre trevave, që u bë laboratori i kërkimeve të tyre.

I gjithë materiali i mbledhur nga Lordi në Shqipërinë e Veriut në vitet 1936-’37 përmban 114 tekste, të mbledhura nga 36 rapsodë të ndryshëm. Kjo dëshmon për një hulumtim të përpiktë dhe përzgjedhës, për kërkime cilësore. Profesor Lordi, edhe pse atëherë i ri në moshë, ka ndjekur një metodikë rigoroze pune në terren dhe ka kryer kërkime në një hapësirë gjeografike tepër të gjerë, që përfshin krejt Shqipërinë e Veriut. Regjistri i parë daton më 4 shtator 1937 dhe i fundit më 13 tetor 1937, pra një kërkim tepër i ngjeshur dhe intensiv. Ja dhe vendet e eksploruara: Shkodër, Kastrat, Bogë, Theth, Abat, Mërtur, Kolgecaj, Tropojë, Bytyç, Bicaj, Prizren, Dukagjin, Pukë.30

Në Bicaj Albert Lordi arriti të njihet me lahutarin e fundit nga ky fshat, Dalip Ramadanin prej të cilit ai regjistroi një këngë nga Eposi i Kreshnikëve me gjatësi 53 vargje.

Një vend të veçantë Qamil Hoxha i ka kushtuar në kujtimet e veta edhe episodit të takimit me Albert Lordin.

“Në vitin shkolluer 1936-1937 shkolla e Bicajt ka pasë pesë klasë, katër mësues dhe 190 nxanës, prej tyne 13 vajza. Gjatë puishimeve dimnore, tri mësuesit e shkollës së Bicajt (Ibrahim Kolçi, Xhafer Korbi, Qamil Hoxha) ndërmorën një ekspeditë folklorike në Malësinë e Vogël (Malësia e Gjakovës). Punuem kryesisht në fshatin Kolgecaj e rrethinë. Shënuem kangë lirike, epikë (historike e legjendare) gjaegjeza, fjalë të urta,anekdota, fjalë të rralla etj. U habitëm për vlerat e mëdha të kulturës të kulturës popullore që ruheëshin në atë vis të thellë malor, njiherit vend trimash e burra kuvendesh e kanuni.  31

Siç duket bukuritë e rralla natyrore, do të thojshem mahnitëse, po edhe ato njerëzore, kanë frymëzue vargje, që do tu kishin hije poetëve të mëdhenj të rruzullit. Midis atyne maleve sa të ashpra , aq tërheqëse, asht ruejtun kjo pasuni, e cila tjetërkund asht djerrë e ka humbun.

Gjatë ekspeditës unë u përqëndrova në ciklin e kreshnikëve dhe shënova gjashtë kangë, të cilat, në vitin 1937 ia dhurova studjuesit amerikan Albert Lordit dhe ky do t’i sistemonte diku në nji arkiv muzeal të Amerikës, por nuk e di se ku. Dhe si mirënjohje ndaj kësaj dhurate, ai do të më dërgonte nji kundërdhuratë, nji përmbledhje të gjanë poetike të poetit amerikan Lonfelow me këtë shënim : Kjo asht për me ju falenderue për përzemërsinë tuej të vitit të kaluem. Ju uroj gjithësisht fat të mirë. i jueji sinqerisht, Albert B.Lord”  32

Nuk dihet shumë rreth takimit me Lordin, çfarë biseduan midis tyre. Profesorët Zymer Neziri dhe Agron Fico kanë bërë të njohur faktin e zbulimit të dy fletoreve të Qamil Hoxhës në Bibliotekën Uajdener të Universitetit të Harvardit.

Ishin pikërisht ato fletore që i pati dhuruar Lordit në Bicaj dhe ku ai pati shkruar 6 këngë të Eposit Shqiptar mbledhur në Kolmekshaj (Gash) e Mertur të Malësisë së Vogël (Malësia e Gjakovës). Këto këngë ruheshin  në koleksionin e Albert Lordit në kuadër të koleksionit të Milman Perit.33 Gjithshtu ky visar i mbledhur, falë shënimeve të A.Lordit është datuar më 10 dhjetor, 1937, që pasqyron sigurisht datën e dhurimit të tyre nga Qamil Hoxha, të shkruara në dy fletore, të cilat Lordi i quan libra.

Dorëshkrimi i këngëve ruhet në dy fletore të formatit të zakonshëm. Janë të shkruara me pendë me ngjyrë të zezë. Është me interest ë theksohet, shpjegon Profesor Z.Neziri, se në ballinën e e brendshme të librit X të Koleksionit të Lordit shkruan: “Qamil Hoxha, Bicaj (Kosovë), Albania, Europë, 10.12.1937”.34

Gjithnjë, sipas prof  Z. Nezirit, titujt e këtyre këngëve të mbledhura nga Qamil Hoxha janë shtuar prej tij si tituj pune, për t’i veçuar nga njera tjetra. Këngët e shkruar me bojë të zezë dhe me një kaligrafi të lexueshme janë përmbledhur në dy fletore, njëra 22 faqe dhe tjetra 40 faqe.

Prof Zymer Neziri ka bërë edhe një inventar të këtyre këngëve të zbuluara prej tij në Harvard.

1-Halili e Galan Kapetani, dorëshkrimi nr 101, libri IX, f. 1-6, 109 vargje, këndoi Shaban Kadria,21 vjeç. Kolmekshaj,  M.e Gjakovës.

2-Muji e gjen babën e vet, dor, nr. 102, libri IX, f.7-17, 95 vargje, këndoi  Shaban Kadria,21 vjeç. Kolmekshaj,  M.e Gjakovës.

3-Halili merr miqasisht Dylbere Gjelinën, dor. nr. 103, libri IX f.17-34, 322 vargje, këndoi  Shaban Kadria,21 vjeç. Kolmekshaj,  M.e Gjakovës.

4-Muji e Rada shtatë ditë ndajnë mejdan, dor. nr. 104, libri IX, f. 35- 40, 103 vargje, këndoi  Mark Jetishi, Mertur,  M.e Gjakovës.

5 Muji e ban hyzmeqare gruen e vet, dor. nr. 105, libri X, f.17-34, 322 vargje, këndoi  Shaban Kadria,21 vjeç. Kolmekshaj,  M.e Gjakovës.

6- Ymer Aga i liron Mujin e Halilin, dor. nr. 106, libri X, f.17-34, 166 vargje, këndoi  Shaban Kadria,21 vjeç. Kolmekshaj,  M.e Gjakovës.35

Në shënimet e tij prof Zymer Neziri konstaton se kënga më e shkurtër e Sh.Kadrisë ka 95 vargje, kurse më e gjata ka 322 vargje. Më e shkurtëra titullohet “Muji e gjen babën e vet”, që është ndër këngët e rralla të ciklit të kreshnikëve për babain e kryekreshnikut. Katër këngët e tjera të Sh. Kadrisë kanë kryepersonazhe Halilin e Galan Kapetanin, Halilin e Dylbere Gjelinën, Mujin e Millosh Kapetanin, si dhe Ymer Agën –lirues i Mujit dhe Halilit. Kënga e vetme e M.Jetishit që ka 103 vargje, është një dyluftim shtatëditor i Mujit me Radën, kundërshtarin e tij trim e të fuqishëm. 36

Padyshim, Qamil Hoxha e Murat Paci për punën e kryer në terren kanë merita dhe duhet të renditen me mbledhësit dhe botuesit e e eposit tonë të kreshnikëve ndërmjet dy luftrave botërore: Bernardin Palaj, Donat Kurti, Karl Gurakuqi, Filip Fishta, Hasan Reçi,etj. 37

Është për tu shënuar se koha e dhurimit të këngëve dhe koha e mbledhjes së tyre në terren janë pothuaj të përputhshme. Këngët u mblodhën gjatë vitit shkollor 1936-1937. Sipas dëshmisë së Abdulla Vokrrit 38 në vitin shkollor 1936/37, në pushimet dimërore ai së bashku me kolegët e tij të punës, Xhafer Korbin e Qamil Hoxhën ndërmorën një ekspeditë për mbledhjen e folklorit në krahinat e malësisë. Kështu ato do të kalojnë sa në një vend në tjetrin, duke u takuar me të pleq dhe të rinj. Pos këngëve popullore të karakterit epik e lirik, ata mbledhin edhe gjë a gjëza, fjalë të rralla shqipe, anektoda, satira, fjalë të urta popullore, etj.

Edhe përmes kujtimeve të Qamil Hoxhës është provuar se gjatë këtij aktiviteti ai mblodhi veç të tjerash edhe 6 këngë të ciklit të kreshnikëve, që ia dhuroi Albert Lordit.

Nuk ruhen të dhëna të tjera rreth bashkëpunimit të Lordit me Qamil Hoxhën.  Në vitin 1938 posta nga ShBA sjell në Bicaj, Shqipëri, një  dhuratë të veçantë nga A.Lord.39 Brenda zarfit qe mbështjellë një libër, përmbledhja e zgjedhur poetike e Longfelow,  në kopertinën e brendshme të së cilës shkruhet kushtimi : “This is to thank you again for yo kindness of last yer. I  wish you all good fortune. Sincerely yaurs. Albert B. Lord.” (Kjo është me ju falenderue për zemërgjerësinë tuej të vjetit të kaluem, ju uroj gjithësisht fat të mirë. i juaji, Albert B.Lord.)

Ndoshta ky ekzemplar i poetit, që kishte shkruar një poemë aq të njohur për heroin tonë kombëtar, Gjergj-Kastrioti, Skënderbeun, ishte shoqëruar edhe me ndonjë një letër të Lordit, por mungojnë dëshmitë që mund ta vërtetonin pandehmën.  Rrethanat jetësore të Qamil Hoxhës, që u përndoq vazhdimisht për gjatë gjithë periudhës komuniste, e bënin të pamujndur ruajtjen e relikeve nga shkencëtari amerikan.

Biblioteka e tij e njohur në mbarë Bicajn, u bë pre e bastisjeve nga Sigurimi i Shtetit edhe në vitet 80, kur iu grabitën shumë tituj librash.

Siç shihet koleksioni i këngëve të ruajtura nga Albert Lord në Harvard ka qenë i vetmi dhe ai nuk ka mbajtur një kopje të këtyre këngëve.

Nuk pati rast të ndërmertte një ekspeditë tjetër, por ia la amanet të birit, Shefqet Hoxhës, i cili mblodhi dhe botoi më se 50 njësi nga eposi i kreshnikëve, kryesisht në Has, Malësi e Gjakovës, Malzi e Lumë.

Për Eposin shqiptar Qamil Hoxha kishte një konsideratë të posaçme. E vlerësonte si një thesar ku ruhej shpirti i popullit tonë. Ai vlerësonte folkloristin e shquar Qamil Haxhihasani me të cilin ruante miqësinë që kur qenë nxënës së bashku në Normalen e Elbasanit.

Ai e njihte kontributin e profesor Q.Haxhihasanit si studjues i shquar i folkloristikës shqiptare, veçanërisht për studimet rreth këngëve të ciklit të kreshnikëve.

Shkrimtari Petrit Palushi ka përshkruar një nga takimet e tij më të mbrame me zotni Qamil Hoxhën. Biseda e tij u përqëndrua tek folklori dhe gjuha. Ai i tregoi se përveç shumë këngëve popullore, epike dhe lirike, përrallave e legjendave të Lumës, një herë e një kohë kishte mbledhur pjesë nga Këngët e Kreshnikëve.

“Eposi i kreshnikëve , – i tha ai, – është bazamenti i folklorit tonë, nji prej pikave më të fuqishme të tij. Është një gur i rëndë, i paluejtshëm. Ka shumë dritë nëpër të. S’është vetëm vjetërsia që e bën të tillë. Janë shumë gjëra. Aty është gdhendë shpirti i shqiptarit më mirë se kudo tjetër.”  40

Qamil Hoxha si folklorist

Vepra e Qamil Hoxhës përfshin krijimtarinë tij letrare, ku përfshihen dy hartime si detyrime shkollore, dy komente për veprën e Buzukut dhe V. Prendushit si dhe 4 poezi të krijuara, sipas gjedhes tradicionale folklorike. Në një kapitull të veçantë zënë vend mbresat e tij, 34 shënime e kujtime të tij të botuara sipas kronologjisë kur u shkruan.

Ndërsa në tregime historike, pjesa më voluminoze e veprës së tij, Qamil Hoxha ka shënuar kujtime nga memoria popullore për ngjarjet më të rëndësishme historike në Lumë për një periudhë një shekullore (1843-1943). Me vlerë të jashtëzakonshme janë veçanërisht kujtimet e mbledhura rreth kryengritjeve antiosmane e lufrave kundër ushtrisë mbretërore serbe në vitet 1912-1913, 1914-1915, 1918-1921. Kjo trashëgimi e vyer kërkon një vëmendje të posaçme, po këtu do të ndalem pak më gjatë vetëm në qëmtimet e tij folklorike.

Qamil Hoxha filloi të merrej me vjeljen e pasurive folklorike që në vitet e studimit në Normalen e Elbasanit. Me nxitjen e profesorëve iu vu punës për qëmtimin e folklorit dhe të historisë krahinore. Madje në organin e kësaj shkolle “Normalisti “ botoi fillimisht në nr 4-5 (nandor-dhjetor 1934, Këngën e Serbisë 85 vargje, ndërsa në nr e qershorit u shpaluen 24 vargje nga folklori lirik i krahinës së Lumës.   Por qëmtimet e tij folklorike, të mbledhura në kohë të ndryshme gjatë kohës kur punonte si mësues, por edhe pas largimit të tij nga arsimi, u botuan në kuadër të veprës së tij të plotë në vitin 2008.

Në këtë botim Lirika përfshin 10 këngë për të kremtet e motmotit, 7 kangë dashunie, 10 kangë darsme,  33 kangë shpotitëse për nusen,  12 vajtime (kangë zymtie), 1 kangë filxhanas dhe 5 bejte.

Nga kangët e motmotit41 tetë prej tyre janë mbledhur në Ploshtan në vitin 1947, ndërsa dy prej tyre në Bicaj në vitin 1953. Për këto të fundit autori ka shënuar edhe bartësen e tyre, një grua bijë Bushtrice.42

Cikli kangë dashunie.43 është mbledhur në Nangë, Bicaj Shtiqën  e Kollovoz në harkun kohor 1960-1973. Tre prej tyre kanë të shënuar edhe bartëset e tyre. Ndërsa cikli kangë dasmash është mbledhur në Bicaj nga bartëse gra në maj 1974. Kënga e mbledhur në vitin 1940 ruan më mirë karakteristikat e të folmes së Rrafshit të Lumës.

“ – Moj sojzeza dimënore,/ ku m’i ke oj korbëzore?/- Keshe e nodha në të pomë,/ kan’ sojzeza tan’ vëllonë”.

Edhe kangët shpotitëse për nusen44 janë mbledhur kryesisht në fshatin Bicaj. Pas largimit nga mësuesia i qenë vështirësuar mundësitë e kërkimeve shkencore, ndaj këngët i ka mbledhur kryesisht ndër miq, të njohur  e bija të fisit të vet. Përveç nga bartëset që e këndonin, vargjet e këngëve i ka regjistruar edhe të treguara, kryesisht nga të moshuar që nisur nga ngjarje reale i kanë qëndisur vargjet plot humor duke qesëndisur me ironi e sarkazëm vesin e lakminë epshore.

“Kasam Feza, nji rrumullak, / e qet maxhipja për dollap, /-Bini gjem i q…  t’amën, /se ma thej maxhipja kamën” 45

Kangët historike të mbledhura prej tij46 pasqyrojnë ngjarje historike që fillojnë me kryengritjet antiosmane ndaj reformave të Tanzimatit, (1843) për të vijuar me ciklin e këngëve për mbrojtjen e tërësisë tokësore shqiptare ndaj forcave pushtuese e ekspansioniste serbe (N’at Prokupe deri në Nish) këngë të kryengritjeve pas shtypjes së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit  që u intensifikuan në fillim të shek.XX në vitet 1901, 1902, 1905, 1909, 1910, 1912. Një kapitull të veçantë zënë këngët e përballjes me forcat pushtuese serbe në tetor- nëntor 1912 dhe 1913, përkatësisht në Kolesian të Lumës dhe në Shkodër.

Qamil Hoxha ka mbledhur edhe 48 Proza të shkurtërta 47  me karakter anektodik ku spikat mençuria pupullore si dhe 91 fjalë të urta.

Në Te dhëna etnologjike ai ka përfshirë norma kanunore e rrëfime ku marrin udhëzgjidhje raste të caktuara mosmarrveshjesh e konfliktesh. Këtu përfshihen gjithashtu të dhëna gojore për fshatra dhe fise, (vëllazni) 48 . Të dhënat toponimike  49 përfshijnë toponime nga fshatrat Nangë e Buzëmadhe. Këtu duhet parë zanafilla e veprave të Shefqet Hoxhës “Kanuni i Lumës”  dhe “Toponimia, Lumë, Has, Malzi, Fan”

Në Pikla Vjetërsie 50 Qamil Hoxha ka përmbledhur mbi 80 lajme historike.

Bibliografi

1.Qamil Hoxha, Jeta dhe vepra ime, Mësues e qëmtues i visareve popullore (1908-1989), Geer, Tiranë, 2008, f.13

  1. Vep. cit. po aty, f.33
  2. Po aty

4.Kosta Novakoviq, Nëpër Shqipëri, Dy Drina, nr 1, korrik-shtator 1988,f.32

  1. 6. Qamil Hoxha, vep.cit, p ërkat ësisht faqet 35, 36..

7 Ahmet Nërguti, Krijimi i albanisë në Bicaj të Lumës, Dy Drina, nr 6, fq, 76-80

  1. 9. 10. 11. 12. 13. 14. 15. 16. 17. 18. Qamil Hoxha, Vep. cit. përkatësisht faqet 38, 42, 43, 51, 52, 53, 53, 54, 54, 48, 54
  2. Dr.Abdulla Vokrri, Ibrahim Kolçi mësues e patriot, Prishtinë, 1993, f.114

20.Qamil Hoxha, Vep cit, f. 62

21 Arkivi i Shtetit, fondi 253, dosja 33, f.133. Po aty, telegrami nr 125/13 Res.,Kukës më 12.I.1942 , drejtuar Ministrisë P. të Mbrenshme (zyrës politike të personelit), Tiranë, prefektura e Kukësit (zv.prefekti Lafe).

  1. 23. 24. 25. 26. Qamil Hoxha, vep. e cit . përkatësisht faqet 71, 79, 79, 82, 92

27 Dr.Abdulla Vokrri, Ibrahim Kolçi mësues patriot, f.107

28 Bernardin Palaj, Donat Kurti, Visaret e Kombit, 2, Tiranë 1937, f.XI.

  1. Zymer Neziri, Eposi shqiptar në fondet arkivore amerikane: si profesori i Harvardit Albert Llord, mblodhi në Tropojë këngët e kreshnikëve, Nacional, nr. 170, 21-28 tetor, 2012, f.14
  2. Agron Fico, Eposi heroik shqiptar dhe shkencëtari amerikan Albert B. Lord, Dituria, nr 8, 2008, f.91-104

3 1 Për atë ekspeditë ka shkruar edhe Ibrahim Kolçi në ditarin e tij: “ Se ka aq mençuni në mesin e malësorëve, nuk e kam besue, por me këtë u bindëm të gjithë…çdo plak i kësaj ane ishte nji histori e gjallë…Kush dëshiron të kuptojë rrajën e vet, të shoqnohet me pleqtë e Malësisë.”Dr.Abdulla Vokrri,vep.cit.  f.114

32 Qamil Hoxha, vep.cit, f.56

  1. 34. 35 .36 37.. Zymer Neziri ,Studime për folklorin, I, .Prishtinë, 2206, f.113-116.

38 .. Dr. Abdulla Vokrri, vep. cit, f.107

  1. Isa Halilaj, Qamil Hoxha, Murat Paci, bashkëpunëtorët e Albert Bates Llordit, një miqësi e hershme me Universitetin e Harvardit në Kembrixh të ShBA-së, Ndryshe, nr 968,2009, f.14-15
  2. Petrit Palushi, Përballë një jete të ashpër, Korrik 2007
  3. 42. 43. 44. 45. 46. 47. 48. 49. 50. Qamil Hoxha, vep. cit përkatësisht faqet 438-441, 440, 442 – 444, 456, 449 – 458, 466 -503, 504-528, 529 -579, 579 – 582, 583-589

By admin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *