
Eposi i Bjeshkëve të Lumës/ (60 legjenda t’rrëfyeme)
N’Gjalliçe, si nja treqind hapa ma teposhtë Kroit Kishës asht nji shpellë.
Ngjitmas me shpellën asht nji bjeshkë.
Te ajo bjeshkë, nji çoban i Shtiqnit po kulloste delet.
Çobani ish trupmadh..
Çoban ding, si me qenë Lisi i Madh i Shtiqnit.
Nji ditë, donte me u futë n’shpellë, por shpella e kish hymjen e ngushtë.
At’herë, ia vu dorën anës epërme t’shpellës dhe e çoi shtat’ pllamë ma nalt.
Fap, u fut n’shpellë lehtë e lehtë.
T’nesërmen, nja dy vetë panë n’hymje t’shpellës fërkemin e dorës n’gur.
Prej asaj kohe shpellës i mbeti emni Shpella me Pesë Gishta.
Kur binte shi, te ajo shpellë futej edhe arusha ma e madhe e malit.
S’kish nevojë me u kërrusë.
Hymja e shpellës tash ish e naltë e i merrte edhe dy arusha t’mdhaja bashkë.
Foto: Arben Palushi