
Asnjiherë nuk kam ra dakort me përcaktimin fatal se ‘nuk bahet Shqipnia me shqiptarë’.
Atë munden me e ba shqiptarët, e tashti bindjen e kam ma të fortë me shembullin që e dha gjysma jonë, Kosova. Rasti i ngjashëm do tu jepet shqiptarëve më 25 Prill. Ndryshimin e madh demokratët do të kishin mund me e ba të vetëm, por domosdoja e ka përfshi edhe aleatët, e madje ka me përfshi edhe masën e popullsisë ashtu siç ndodhi në vitin 1992, sepse ndryshimet cilësore kërkojnë cilësi të vetëdijes së qytetarëve përtej nji programi partiak.
Tue e pa si po rrezikohet vendi nga rrënimi ekokomik dhe mugesa e lirive, kam bindjen se shumë socialistë do ta fundosin Ramën për me shpëtue vendin. Socialistët e sotëm kanë me u sjellë si njerëz të lirë e jo si komunistë, madje ka edhe nji numër militantësh që nuk mendojnë si ramistë por si hakmarrës për injorimin që ai i ka ba partisë së vet.
Ai ka injorue strukturat e socialistëve (ato partiake) por edhe institucionet e shtetit kur ka ngritë struktura paralele ilegale si ‘Shqipnia që duem’ me zyra joinstitucionale të drejtueme nga persona të panjoftun, tue stimulu lidhjet e shkurta bazë-qeveri, në shkelje të parimeve kushtetuese.
Socialistët si dhe pjesa gri duhet ta ndjejnë se kombi po u rrëshqet nën kambë me aventuarat e Ramës dhe gatishmërinë e tij për pazare me Vuqiçin.
Dhjetramijë nëpunës publikë kërcënohen me largim nga puna nëse nuk japin garanci se do të votojnë ekipin e rilindjes. Gati të gjithë gazetarët shantazhohen për mos me prekë ‘temat e nxehta’ dhe censurohen deri në shpërfytyrim. Mijëra familje ndjehen të kapun në kurth.
Pjesa idealiste e nëpunësisë shqiptare, OSBE dhe kushdo tjetër që merret me zgjedhjet, duhet me e parandalue krimin zgjedhor para se me ndodhë. Çdo presion për votën përban krim që ndëshkohet dokurdo. Filozofia e dhunës shtetnore mbi zgjedhjen e lirë ishte dukuni e diktaturës komuniste, sot nuk mund të zbatohet.
Në kushtet e kapjes së institucioneve, përfshi ato të drejtësisë si dhe të mungesës së tyne, shpresa e vetme mbetet 25 Prilli.
Shqiptarët do ta shënojnë ndryshimin sepse ata ende nuk e kanë humbë ndjeshmëninë.
Shqipninë e ndryshojnë shqiptarët.
Kombet janë ngritë mbi sakrifica.