
Pas gjithë asaj ironie që u lshue në media dhe rrjetet sociale lidhun me shtatoret e Adem Jasharrit dhe Skënderbeut që u vunë në Prizren, mendoj se duhet me reflektue fellë e, me kërkue falje.
Sepse kemi të bajmë me statuja të aktualizueme. Kemi nji Skënderbe të kohës tonë që nuk rrin i vetmuem si Gjergji në pritje të sulmit osman, por krijon aleanca tue u vetofrue, tue dëshmue se brengoset fellë për armikun e sjellshëm, i cili, çka asht e drejta, nuk i kursen lavdrimet për të.
Rastësisht apo në mënyrë programore, si rrallëherë materializohet nji hero i aktualizuem, i thjeshtë, i shqetësuam për zhvillimet periferike, madje tue qëndrue vetë në periferi, i gatshëm me e hapë vendin edhe ma shumë, aq sa kërkohet, sado shumë që mund të kërkohet. Pastaj, sot assesi Evropa s’kishte me e pranue nji arbën të kokërrnozun, aq ma tepër të hypun në kalë. Nuk asht luftê, atë e kemi lanë mbrapa.
Nga ana tjetër perëndimi, dmth krishterimi, nuk kërcënohet si dikurë prej osmanëve. Bahet modest njeriu. Edhe në udhën për evropë bahet modest. Miku i mirë hap udhë, kaloni ju para nesh, për ne nuk prish punë, ju mundeni me qenë zot edhe në shpinë tonë, a nuk thotë i moçmi që shpia asht e mikut dhe e zotit?
E di që jeni mësue me pa nji Skënderbe krenar dhe sfidues, po mos harroni se ajo vepër u krijue në kohë tjetër, bile varianti kryesor i tij bash në kohën kur Shqipnia ishte fener ndriçues për mbarë botën. Dhe, sigurisht, e çante rrenë e historisë me shpatë në dorë.
Kështu pra, çdo vepër arti, para se karakterin e personazhit shpreh tiparet e kohës, profilin e parisë.
Edhe heroi Adem Jasharri asht vizatue si krejt heronjt e luftës mbi të cilët, të shkathtët ngrejnë karrierë. Aty në qendrën tregtare ka me u ba edhe ma i dobët, sepse, sa herë që dardanët e sotëm blejnë produkte serbe, atij përditë i thahet nga nji koc.
Ndoshta në gjallje të vet edhe ai e ka parandje se arti shpreh sigurisht tiparet e kohës kur krijohet.