Shuhet në Nju Jork, kuksiani Haxhi Gashi-Nga Neritan Kolgjini

Iku prej kësaj bote nji ndër njerëzit ma të virtytshëm e të paqtë që unë kam njoftë, përfaqësues tipik i brezit të martirizuem nën diktaturën komuniste, Haxhi Haziz Gashi.

Mbas nji stërmundimi të gjatë, për shkak të gjendjes së tij shëndetësore, të shkaktueme prej Alzheimer’s/dementia, ai mori frymë për herë të fundit në orën 11.15 P.M. të datës 7 mars 2021, në nji spital në  Rockland County, New York.

Ishte 86 vjeç, prej të cilave 42 i kishte kalue nën diktaturën komuniste.

Me këtë diagnozë kishte vite që vuente, por dy vitet e fundit, shëndeti i tij u dobësue shumë, edhe për shkak të humbjes së kujtesës.

Përgjatë kësaj kohe, ai asht trajtue në shtëpi, i rrethuem me përkujdesjet e bashkëshortes dhe të resë, e gjithashtu edhe të djemve, nipave, mbesave të brezit të afërt, të cilëve u kërkoj ndjesë që nuk po ua përmend emnin. Nuk pati nevojë me u shtrue në spital, përveç ndonji rasti të rrallë për kryemjen e kontrolleve mjekësore. I ushqyem me dashuninë njerëzore të familjarëve, ai mundi me i rezistue sëmundjes për nji kohë bukur të gjatë, saqë dukej sikur do t’i mbijetonte edhe vetë vdekjes.

Por paracaktimit të fatit nuk i shpëton askush. Kështu, edhe ky shpirt i paqtë, ma në fund mbylli sytë e u largue kësaj bote, tue lanë mbrapa nji boshllëk të pariparueshëm.

Për ne, ai ishte Lala Haxhi, nji ikonë e mirësisë njerëzore, nji erudit, nji enciklopedi e gjallë.

Kohët e fundit vuejti fizikisht për shkak të sëmundjes, e cila kishte goditë fort edhe trunin e tij e sistemin nervor. Tashma ai nuk ishte në gjendje me krye as nevojat fiziologjike, nuk mundej me ngranë ushqim, madje as ujë nuk mundej me pi, pa rrezikue me u mbytë.

Vetëm në këto kushte, familjarët u detyruen me e dërgue me urgjencë në spital në datë 15 shkurt 2021.

***

Megjithëse ishte nji njeri me strukturë fizike të imët, ai kishte nji energji të jashtëzakonshme dhe mundej me përballue fizikisht ecjen në distanca të gjata, për disa orë, pa u lodhë. Edhe pse nuk të jepte përshtypjen e nji njeriu të përgatitun fizikisht, – sepse ma shumë të dukej si nji profesor universiteti, sesa nji alpinist, – ai kishte në të vërtetë nji forcë të mahnitshme për staturën e tij trupore.

Ajo që bante ma fort përshtypje te ky burrë, ishte qetësia tipike, toni karakteristik i zanit, e folmja e tij e shtruet dhe e kujdesshme, aura e tij që rrezantonte fisnikëri, dhe sidomos sytë e gjallë, që reflektonin një inteligjencë natyrale.

Me ngrohtësinë që përcillte dhe sjelljen e tij të butë, të bante menjiherë për vete, sidomos ne fëmijët.

***

Haxhi Gashi u lind në Nangë, Lumë, në 16 qershor 1934. Në moshën 6 vjeç mbeti jetim për shkak të vdekjes së nanës.

Shkollimin e bani në Bicaj deri në moshën 11 vjeç, kur fati i tij do të merrte një kthesë të fortë.

Në këtë kohë internohet familjarisht në kampin e shfarosjes së Beratit, për shkak të aktivitetit antikomunist të babës së tij, Haziz Agës, i cili ishte pjesë e grupeve të rezistencës antikomuniste në veri të vendit (1944-1946).

Ai i mbijeton atj ferri në kampin e Beratit por i vdes i nipi, (djali i Ganiut, Lutfiu) dhe vajza e dajës, Kadishja, e bija e Prof. Miftar Spahisë.

Por persekutimi i familjes së Haziz Gashit, prej komunistëve kishte nisë para se me ardhë në pushtet kjo skotë barbare. Në shtator 1944, partizanët (banditët) e Brigadës V-të dogjën disa fshatna të Lumës, ndër to edhe Nangën.

Shtëpitë e Haziz Gashit u dogjën qysh në fillim. Pasunia iu konfiskue: lopë, dhen, qé, kuaj, drithë, nozullime etj.. Çfarë mbeti, iu vu flaka. Ramadan Cena tregon për nji serb, në radhët e terroristëve komunistë me mbiemnin Mihajloviç që kishte qenë prezent kur u dogj shpija e Haziz Gashit, të drejtuem prej kriminelëve Shefqet Peçi e Ramiz Alia, – i cili paska rrëfye se: ‘më erdhi keq se si e dogjën nji shtëpi në Nangë. Shqiptarët, shum të pashpirt. Unë mundohesha me i nxjerrë prej zjarri disa sexhade, shqiptarët i fusnin në flakë.’

Persekutimi komunist ndaj kësaj familjeje vazhdoi deri në ditët e fundit të regjimit gjakatar, qoftë përmes etiketimit si familje ‘kulake’, qoftë përmes mohimit të të drejtave elementare siç janë shkollimi, strehimi, punësimi, kushtet bazike jetësore etj.

Mbasi kryen ushtrinë në xhenio, Haxhiu nis punë në ndërmarrjen shtetnore ‘Rruga-Ura’, e cila njihej si ndërmarrje e ‘reaksionarëve’, për shkak se ishte e mbushun me djem e burra nga familjet e persekutueme prej regjimit.

Por as aty nuk e lanë gjatë, dhe ai detyrohet të kthehet në vendlindje, ku ishte i detyruem me punue në kooperativë.

Martohet me Sanije Tahir Kolgjinin me të cilën pati 5 fëmijë.

Familja e Haxhiut ishin të gjithë pa ‘triskë fronti’. Kjo ishte edhe ma e randë se nji dënim me burg. Brezi i vjetër e ka shumë të qartë faktin se në atë kohë, për çdo nevojë jetësore, njeriu duhej me iu drejtue organeve të pushtetit. Mospasja e triskës së frontit ishte nji dënim i pashpallun.

Për shkak se ishte natyrë shumë e rezervueme dhe nuk hapej me njeri, Haxhiu ndiqej sistematikisht prej njerëzve të Sigurimit të Shtetit. Për ta ai përbante nji rebus të pazbërthyeshëm.

***

Pa triskë fronti, pa mundësi ekonomike, me fëmijë me talent, të cilëve nuk u jepej e drejta e shkollimit, ai merr vendimin e arratisjes prej ferrit komunist.

Kështu, në natën e 29 majit 1986, Familja e Haxhi Gashit, mbas nji marshimi prej mbi 8 orësh, kalon kufinin ndërmjet RPSSH dhe RFSJ-së, në pikën që njihet me emnin Kallabak. Del në Restelicë, prej aty në Prizren. Mbas nji qendrimi prej pak muejsh në kampin e refugjatëve në Beograd, zhvendoset përfundimisht në SHBA, me 20 nandor 1986.

Arratisja e familjes së Haxhi Gashit bani nji bujë të madhe në opinionin e kohës dhe diskreditoi krejtësisht propagandën komuniste për ‘jetën e lumtur në regjimin socialist’. Bashkëfshatarët e Haxhiut dhe gjithë njerëzit e krahinës së Lumës, nisën të mendojnë rreth shkaqeve që e kishin shty këtë njeri të urtë, me ndërmarrë nji vendim gati ekstrem e me rreziqe seërioze për jetën.

Njerëzit e kthjellët i jepnin plotësisht të drejtë për këtë veprim gati heroik. Ndërkaq regjimi do të vijonte ndjekjen e tij edhe mbas arratisjes. Në nji dokument të marrë nga dosjet e Sigurimit, paraqitet me hollësi plani për me krijue kushtet që ai të kthehej mbrapsht prej autoriteteve jugosllave. (Për ma tepër, shih materialin bashkëlidhun).

***

Jeta në SHBA do t’i ofronte mundësi të pamata kësaj familjeje të martirizueme. Fëmijët shkollohen të gjithë në universitete të njohun në gjithë botën si Princeton dhe Columbia.

Për strehim e punësim, – të përkrahun edhe nga miqtë e familjes si Asllan Zeneli, Prof. Miftar Spahija, Ramadan Cenaj dhe Dali Lita, – munden me u sistemue pa problem.

Vetë Haxhiu, megjithëse në moshë të madhe, mbasi mëson gjuhën angleze, hyn në shkollë të mesme dhe ia del me përmbushë këtë andërr të rinisë së vet, në vitin 1994. (Bashkëlidhun foto e diplomës).

Në SHBA, ai asht angazhue rregullisht në çdo aktivitet apo demonstratë që asht organizue prej diasporës antikomuniste, kundër regjimit gjakatar të Tiranës apo në mbështetje të pavarësisë së Kosovës.

Mbas çlirimit të Kosovës, në 1999, ai pak kohë ma vonë viziton Prizrenin, që për lumjanët asht si nji vend i shenjtë pelegrinazhi.

***

Haxhiu ka pasë nji natyrë studioze qysh në rininë e vet. I pajisun me nji vullnet të çeliktë për me zhvillue dijen e vet ai lexonte çdo tekst që mundej të gjente. Libra, gazeta, revista apo emisione në radio. Përmes korrespondencës apo bisedash me personalitete të kohës së vet, me të cilët vendosi kontakte në SHBA, ai krijoi profilin e tij si nji njeri i formuem intelektualisht, pavarësisht vështirësive që kishte pasë në jetë, sidomos sa i përket shkollimit.

Ndiqte me vëmendje ngjarjet e zhvillimet politike dhe mundej me ba analiza e prognoza interesante që gjenin vërtetësi në vijim.

Gjatë kohës që jetonte në ferrin komunist, ishte i famshëm për metodat që përdorte me ndjekë ‘Zërin e Amerikës’ në radio, apo burime të tjera informacioni.

Nji fakt tjetër që e kam të dëshmuem personalisht, ai kishte nji tërheqje të pazakontë drejt zbulimeve shkencore.  Të dukej e habitshme se si nji njeri i mbyllun mes 4 mureve të shtëpisë së vet, zotnonte informacione të fundit mbi shpikjet apo të rejat e shkencës.

***

Haxhiu ban pjesë në atë që po quhet ‘brezi i artë’ i antikomunistëve, të cilët po shuhen dalëngadalë për shkak të moshës. Janë ajo elitë burrash e grash që i rezistuen regjimi gjakatar për 45 vjet rresht. Në njifarë mënyre, janë fisnikëria e këtij vendi, të cilët sakrifikuen gjithçka për me ndryshue sadopak për mirë gjendjen e këtij vendi dhe me iu ba barrikadë atij yryshi drejt humnerës ku donin me na hedhë komunistët.

Por, për ironi të fatit, kjo shtresë fisnike, kjo aristokraci morale, me të cilët do të krenohej çdo komb në botë, asht pak e njohun ose pothuejse e panjohun për masën e gjanë.

Lamtumirë lala Haxhi, ti ike në rrugën pa kthim, tue na lanë nji pikëllim të thellë në shpirt e në zemër. Shpirti yt i bardhë u baftë dritë për ne dhe brezat e ardhshëm.

Ma poshtë një dokument i nxjerrë nga dosjet e Sigurimit të Shtetit

Propozim

Për të disinformuar zbulimin jugosllav ndaj të arratisurit Haxhi Gashi

Me datën 29.9.1986, u arratis në Jugosllavi, nga fshati Nangë e rrethit të Kukësit, Haxhi Gashi së bashku me të shoqen, tre djem dhe vajzën. Djali i madh i tij, Luani, ka punuar puntor në minjerën e Kalimashit, ndërsa i dyti Ylberi ishte ushtar i vitit II-të në Tiranë. Si familje është e njohur në të gjithë rrethin dhe kryesisht në zonën e Lumës si e deklasuar dhe lidhje e të arratisurve e sidomos gruaja e tij e cila është vajza e Tahir Kolgjinit, i arratisur dhe me aktivitet kundër Shqipërisë.

Me qëllim për ta disinformuar zbulimin jugosllav rreth arratisjes së kësaj familje e për të hedhur dyshime ku të bëhet e mundur kthimi i tyre në Shqipëri, apo të mirren masa izolimi e burgosje, propozojmë të kryhen këto veprime:

1.Bp (bashkëpunëtori – shën.im) ‘Besniku’ ka në Kalisht të Gostivarit hallën e tij me të cilën mban korrespondencë. Burri i hallës, Tahir Kalishti, na del se është agjent i organeve të UDB-së.

Mendojmë që të mirret takim me këtë b.p., t’i thuhet që t’i bëjë një letër familjare hallës së tij dhe ndër të tjera t’i shkruajë:

‘……..’.

  1. B.p. ‘Besa’ mbanë korrespondencë me lidhjet e tij në Prizren, ku këta lidhen me të arratisurin Isuf Fejz Rata.

Mendojmë që të mirret takim dhe me këtë bp. dhe t’i thuhet që t’i shkruaj një letër lidhjes së tij në Prizren, e cila të jetë familjare dhe e zakonshme e ndër të tjera të shkruajë:

‘……..’.

3.Nga ana e jonë është miratuar për të shkuar vizitor në Prizren bp. ‘Kufitari’ tek të afërmit e tij.

Veç të tjerave, këtij bp. do t’i jepet edhe kjo detyrë:

Në biseda të rastit që do të bëjë me lidhjet e tij, t’u thojë se para disa ditësh është arratisur në Jugosllavi Haxhi Gashi me fëmijët, për të cilin të gjithë habiten, se si erdhi këtu kjo familje sepse, megjithëse ka qenë e prekur nga ai pushtet, është trajtuar mirë.

(….)

(shënim: ky dokument është nxjerrë nga dosjet e Sigurimit për vjehrrin e Haxhi Gashit)

One thought on “Shuhet në Nju Jork, kuksiani Haxhi Gashi-Nga Neritan Kolgjini

Leave a Reply to Selim Haradinaj Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *