• April 18, 2024 11:24 am

Si e pushkatoi Shefqet Peçi, Zai Fundon në Kolesjan-Shkruan Petrit Palushi

Në Kolesjan, në midisditën e 23 shtatorit të 1944-s, nji ditë mbas përfundimit të Luftës Civile në Lusën, Zai Fundon, partizanët e Brigadës së V e arrestuan në Malin Dobrej (Malësi e Gjakovës), dhe e sollën të lidhur në Kolesjan të Lumës.

Natyrisht që Shefqet Peçi me krejt këndellje do zbatonte urdhrin e Enver Hoxhës, sepse dy ditë më parë, Hoxha kish nisë radiogramin për torturimin deri në vdekje dhe më pas pushkatimin e Fundos.

‘Zain e Fundos ta torturoni deri ne vdekje dhe pastaj ta pushkatoni! Ti kerkohet te jape shpjegime per kete pyetje: pse ka ardhur ne Kosove? Kush e ka derguar dhe me ç’direktiva? Cilat jane qellimet e Ganiut dhe te Englezeve. Te japi shpjegime per aktivitetin e tij te meparshem dhe per tradhetine e tij. Deponimet e Zaiut na i dergoni kendej me nje njeri te sigurte. Zain e vrisni andej. Enver’

Si për ironi të fatit, idealisti, i kulturuari dhe antikonformisti Fundo, njohësi i shtatë gjuhëve të huaja – do pushkatohej mu në katundin, në të cilin qe hapë e para shkollë shqipe e visit të Lumës në 1911-n. Kur F. Noli mori vesh për ekzekutimin e Fundos do të shprehej me trishtim të dukshëm: ‘Ç’i mbetet Shqipërisë po i prishëm njerëz të tjerë të mëdhenj si Fundoja!’

DËSHMI E PASHE XHELADIN SPAHIUT, E VITLINDJES 1924

(Dëshmia u muar me 19 tetor 1996, në Kukës)

‘M’kujtohet fort mirë, ka qenë shtatori i vitit 1944.

Erdhën partizanët e Brigadës 5-të, krejt prej Jugu ishin.

Shtabi zu vend te shpija e Din Zenel Spahisë. Morëm vesh se njerëzit e kësaj shpije partizanët i qitën me forcë e nuk e di ku shkuen me ndejtë. Po llafi u pikaderdh kahmos nëpër katund e na erdh fort keq se asht bukur e randë me të trazue prej shpije.

Pat plasë luftë në Lusën, Kolesjan midis partizanëve e njerzve të këtyne katundeve. Na kapi nji farë frike a trishtimi sa edhe me mbushë te kroi ujë dilshna si me frikë.

E mbaj mend si sot.

Qe nji e premte, edhe data m’ka mbetë e lidhme në tru: 22 shtator 1944.

Erdh në darkë burri em Hasan Spahija e na tha: ‘U mshel lufta në Lusën. Do Zoti e s’na gjen gja e keqe ktu e mbrapa!’.

T’nesërmen aty kah ora 10, kam qenë në dritare, po ajo ishte fort e vogël si me qenë frengji. Shpija jonë ishte pak si në kodër. Sytë m’u derdhën teposhtë te Bahçja e Selman Ali Bulicës. Ishte si nja 70 hapa prej shpisë tonë. Shoh do njerëz në fund të bahçes mu si afër nji pleme. Po midis atyne vuna re njanin prej tyne si e kishin qitë ma para. Ishte duerlidhtë se duert i kish mbrapa. S’mund e dallojshëm a ia kishin lidhë me tërkuzë a me hekra se s’u dallojke. N’at frikëtim dolën tre vetë me pushkë dhe e pushkatuen. E pashë se u rrëzue për toke. E morën dhe e qitën me nji gropë, aty n’skaj të plemës dhe nja dy vetë e mbuluen shpejt me dhé. I dallojsha lopatat si përdorshin për at punë. Mbas kësaj, hipën dhe e shtypshin dhevin si me e ba rrafsh si mos me u dallue a asht vorr a tokë e rrafshueme. E kam vra mendjen pse e rrafshuen vorrin ashtu, po asnjiherë s’i dhashë dum.

U trishtova ku s’shkon.

Gjithë ditën e sikletosme e si mos me qenë?

Kujtova se u mshel e keqja në Lusën, por jo.

Edhe bukën s’pata fuqi me e gatue.

Aty kah darka erdh Hasani te shpija, erdhën edhe do kushërij të vet. Na tha: Ktu jemi të nji shpije. Po ndodhin gjana të randa tepër. Shihni çfarë u ba në Lusën! Sot në katundin tonë ndodhi nji gja e keqe, as me ta marrë mendja kresë. Partizanët e Brigadës Pestë kanë pushkatue nji njeri fort të naltë, e ka emnin Zai Fundo. Punët i shoh keq. Çfarë u thashë, ju mos e hapni gojën kërkund se edhe shpijat na i djegin e na farojnë krejtve.

I thashë Hasanit: E kam pa kur e pushkatuen.

Asnjani nuk foli, veçse ulën kryet.

Burri m’ka vdekë qe njizet vjet e s’asht me t’i kallëzue gjanat fije për pe

Kur u çel Demokracija, si nja dy a tri vjet ma vonë më kanë kallzue se erdhën dhe i morën eshtant. U trishtuesh kur mësova se trupi prej eshtansh kish qenë si me qenë i mbështetëm, si me qenë në kambë’.

By admin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *