
Në prag të fushatës elektorale dhe më pak se 2 muaj para zgjedhjeve, Policia e Kukësit çuditërisht ka nisur të godasë bizneset e pakta që kanë mbetur në zonë.
Pasi vuri nën hetim 10 pronarë lokalesh e biznesesh, sot policia njofton me të madhe se ka vënë nën hetim edhe 10 të tjerë.
Më shumë se një hetim i mirëfillitë, aksioni i policisë duket se është një goditje e orkestruar politikisht ndaj bizneseve kuksiane që nuk kanë mbështetur kreun e bashkisë, Safet Gjici.
Pikërisht nga ky aksion policor, që zhvillohet në prag të fushatës, kërkon të përfitojë edhe Gjici i cili është edhe i deleguari politik i Edi Ramës në qarkun e Kukësit dhe që ndodhet në një pozitë të vështirë.
Për transparencës, po ju njohim me njoftimin e Policisë së Kukësit.
Vijon operacioni policor i koduar ‘INFORMALITY – 2’, nga specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik në DVP Kukës, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Kukës dhe Has.
Në kuadër të këtij operacioni u proceduan në gjendje të lirë, për veprat penale ‘Fshehja e të ardhurave’ dhe ‘Punësim i paligjshëm’, 10 shtetas, konkretisht:
S. N., A. K., G. B., Q. P., A. S., A. O., S. H., S. L., SH. B. dhe F. P.,banues në Has dhe Kukës.
Këta shtetas ushtronin aktivitetin në subjektet bar – kafe dhe restorante, në zona të ndryshme të qytetit të Kukësit, pa u regjistruar në organet tatimore dhe me punonjës të paregjistruar/siguruar, duke shmangur detyrimet tatimore dhe sigurimin e detyrueshëm për të punësuarit.
Vijon puna për evidentimin dhe goditjen e rasteve të tjera të informalitetit në territorin e qarkut të Kukësit.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kukës, për veprat penale ‘Fshehja e të ardhurave’ dhe ‘Punësim i paligjshëm’.