• April 19, 2024 9:34 am

Si u zhduk fotografia e fundit e Havzi Nelës?-Nga Petrit Palushi

(Nga libri ‘Kryqëzimi i Havzi Nelës’, OMBRA GVG, Tiranë 2008)

Nëpër fotografi të Havzi Nelës, të bën përshtypje pamja e hijshme dhe sytë me një vështrim tejet të thellë.

Sytë sikur flasin vetë dhe njëkohësisht të çojnë te drita e shpirtit të njeriut Havzi Nela, i cili do të ndëshkohej fatalisht në gusht të 88-s.

Uran Kalakula, njëri prej miqve të vet në jetën e skëterrtë të kamp-burgut, ka shënuar se ‘Ajo që të bënte përshtypje tek ai ishin sytë. Ishin sy të një veçorie të rrallë, qerpikë të gjatë si të një fëmije, sy larushë, gjithë shkëlqim, që shprehnin fare qartë një mirësi shpirti të pafund.

Ata sy veç rrallëherë mund t’i shikoje të ngrysur, të trishtuar. Dhe unë bëja çudi se si ishte e mundur në atë dreq vendi të mbrapshtë ku ndodheshim, në emër të dhunës, në sytë e atij burri nuk pashë kurrë zymti, ngrysje, siç ngryset qielli kur përgatitet shtrëngata me rrebeshe’.

Për fat, janë ruajtë shumë fotografi të Havzi Nelës dhe në të gjitha, pamja e tij është e ëmbël dhe, përmes fytyrës dhe syve, sikur përcjell vetëm një fisnikëri që i buronte prej shpirti. Vetëm në një fotografi, e cila u realizua në hetuesi, si afër dy muaj para se të ekzekutohej, me sa duket një gjë e tillë u krye të plotësohej dosja e tij hetimore, fytyra e tij është krejt e ngrystë, me një lloj ‘terri homerik’ (Granit Zela).

Në fotografitë ku është fiksuar pamja e Havzi Nelës, mund të dallosh lehtas shokë të shkollës së mesme dhe të lartë, por, ndërkaq, aty mund të gjesh edhe kolegë krejtpërshtatës me regjimin, veçanërisht të sferës së epërme të arsimit në Kukës, të cilët, me një këndellje në gjyqin e 67-s, këmbëngulnin që dënimi i tij t’ishte jashtëzakonisht i rëndë, si një dëshirë e tyre e dukshme që kolegut të tyre, me të cilin kishin punuar e bashkëpunuar deri rreth një muaj më parë, jeta t’i shkonte zi e më zi.

Në vitin 1995, Hekuran Çurçiali (këngëtar, fotograf), më pati thënë se e ruante dikund një film ku kishte fiksuar Havzi Nelën në pamjen më të fundit (të varur); e kishte kërkuar atë film disa herë, por s’e kishte gjetë ende.

E mbante shpresa se dokurdo atë film do ta gjente dhe ia donte zemra ta ruante, por dhe ta ekspozonte edhe si një përshpirtje për martirin.

Veç kësaj ai më ka rrëfye se rreth orës 4 të asaj nate, dmth., siç mund ta marrim me mend tashti, si një gjysmë ore mbasi qe kryer ekzekutimi, dy punonjës të sigurimit e kanë marrë tek shtëpia e vet fotografin Çurçiali, e kanë sjellë tek vendi i ekzekutimit të Havzi Nelës dhe i kanë thënë të realizonte vetëm një shkrepje kah pamja e të ndjerit.

Fotografi e ka kryer shkrepjen, e kanë dërguar atë më pas në laborator të lante filmin, madje i kanë thënë të luante duart si përngutshëm se atë foto bashkë me filmin duhej ta nisnin sa më shpejt në Ministrinë e Brendshme (tek lante filmin, dy ruajtësit e prisnin atë tek dera, por ai ka gjetë mundësinë dhe fort tinëz, ka futë një film tjetër në aparat, ka bërë një shkrepje mbi foton e sapolarë, e ka nxjerrë shpejt atë film dhe e ka hedhë dikund në mes të filmave të tjerë); ka hapë derën, ua ka dhënë dy sigurimsave foton dhe filmin që ia kishin kërkuar në krye të herës, ndërkaq ata kanë hedhë sytë nëpër atë dhomëz gjysmë të terrtë, kanë pa si me t’egër kah fotografi dhe i kanë thënë: ‘Asnjë fjalë! Ti e di ç’të pret!’ .

Por në shkurt të 1997-s H. Çurçiali vdiq dhe përpjekja ime mbeti përgjysmë, ndoshta e këputur përgjithmonë. Megjithatë, më qe ngulitë në mendje se ajo pamje e fundit e martirit të ekzekutuar, e fiksuar në celuloid, më parë se të fiksohej në sytë dhe mendjen e banorëve të Kukësit, do të delte ndonjëherë në dritë dhe të jetësohej si një përshpirtje për martirin H. Nela, siç më pat thënë dikur fotografi tashmë i ndjerë që e kishte realizuar fotografinë e fundit.

Kur s’kishte mbushë as njëzet vjet, H. Nela në një fotografi të veten, pati shënuar në anën e prapme të saj: ‘Mbajeni kujtim këtë fotografi, mos e humbisni se jeta e njeriut asht si vesa para diellit’.

Natyrisht, në fotografitë e martirit Nela, kundrimi më i parë vetvetiu është tek sytë gjithë shkëlqim, si pasqyra më e dukshme e një shpirti që përcillte vetëm mirësi.

Marrë nga faqja në Facebook e autorit

By admin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *