Telushi i bashkohet Kukësit

Bruno Telushi është zyrtarisht futbollist i Kukësit. Mesfushori vlonjat ka firmosur me veri-lindorët një kontratë 2-vjeçare.

Lajmi është konfirmuar nga klubi nëpërmjet një njoftimi në faqen zyrtare në Facebook. Pasi ka kryer vizitat mjekësore, ai ka hedhur edhe firmën në kontratë, që e lidh me Kukësin për dy vite.

Mesfushori i është bashkuar ekipit të Kukësit që po vijon fazën përgatitore në Tropojë, për t’u bërë gati për ndeshjen e Europa League ndaj Slavias së Sofies në 27 gusht.

Telushi ka luajtur për shumë vite në Kategorinë Superiore, ndërsa ka fituar edhe kampionatin me Partizanin një vit më parë.

Vetëm pak ditë më parë, Telushi nëpërmjet një letre publike shpalli divorcin me Partizanin, duke ua hedhur “fajin” drejtuesve të kuq që nuk i propozuar një kontratë të re.

Në këto kushte, ishte i detyruar të largohej nga klubi ku fitoi titullin e parë kampion në karrierë, i bindur se një sukses të tillë do ta korrë edhe te Kukësi.

Ndryshe organika e Kukësit po plotësohet me elementë cilësore, pas “hemorragjisë” së fundsezonit, ku për arsye të ndryshme u larguan emra të rëndësishëm si Abazaj, Shkurtaj apo Krasniqi. 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *