The Times/ Brezi i humbur: Eksodi i emigrantëve shqiptarë që lë shkollat bosh në Kukës

Në këndin e lojërave të një shkolle në Kukës, rajoni më i varfër i Shqipërisë, adoleshentët qëndrojnë në një rreth, me çantat e shpinës të vendosura pas një muri me tulla të shkatërruar.

Kohët e fundit, për shkak të numrit të paprecedentë të qytetarëve që shkojnë në Britani, shumë prej tyre fëmijë, rrethi i adoleshentë është zvogëluar ndjeshëm.
Vjollca Gashi, drejtoresha e shkollës, përpiqet të shprehë situatën me të cilën është duke u përballur kjo shkollë.

“Fëmijët tanë po zhduken, lënë shkollën papritmas në mes simestrit dhe shkojnë në Angli. Dikur kishim 1500 nxënës, tani kemi vetëm 1050. Gjatë tre viteve të fundit, 200 nxënës janë larguar, duke lënë në mes maturën.

Ndonjëherë fëmijët që largohen janë shumë të rinj, vetëm 15 vjeç. Të gjithë njohin dikë që është tashmë në Angli dhe kjo e bën edhe më të lehtë përshtatjen e tyre me vendin e ri, pasi kanë dikë që i pret”, tha ajo.
Shkollat e mesme janë një emblemë për krizën që po përfshin vendin dhe pasojat që janë ndjerë këtë javë në Britani, ndërsa qendrat britanike të trajtimit të migracionit luftojnë me numrat në rritje të shqiptarëve që zbarkojnë në territorin britanik.
Të dhënat më të fundit, nga maji deri në shtator, tregojnë se 42 për qind e emigrantëve që kalonin La Manche me gomone ishin shqiptarë dhe pothuajse të gjithë ishin burra.

Dan O’Mahoney, zyrtar britanik që merret me kërcënimin e mbërritjes së emigrantëve të paligjshëm nga kanali i La Manche, u tha deputetëve muajin e kaluar se deri në 2 për qind e popullsisë mashkullore të Shqipërisë nga mosha 20 deri në 40 vjeç kishte udhëtuar për në Britani me gomone.

“Fëmijët krejt papritur nuk paraqiten në shkollë. Kur kontaktojmë me familjet nuk na përgjigjen. Situata është e keqe por se nuk kemi një shkop magjik për të ndryshuar gjerat. Mundësitë e punësimit në zonë janë disa fabrika fasone, por të rinjtë nuk i preferojnë këto punë. Pagat janë shumë të ulëta dhe ata mund të fitojnë pesë herë më shumë në Britani”, shprehet zonja Gashi.
Duke parë shkollën, është e lehtë të kuptosh pse nxënësit duan të largohen, ndërsa vendi ende nuk po arrin të ndjejë efektet e çlirimit nga një diktaturë komuniste.

Pavarësisht se është një shkollë e madhe, nuk ka laboratorë shkencorë, ambiente sportive apo instrumente muzikore dhe vetëm 15 kompjuterë janë siguruar për nxënësit.
Mund të përmendim rastin e një nxënësi, i cili nga 35 kushërinj që ka gjithsej, 31 prej tyre kanë emigruar në Britani.

Një nga studentët, Fabio Cengu, 13 vjeç, ka veshur një hoodie me një foto në pjesën e përparme të mbretëreshës së ndjerë.
Ai qëndron përballë një dyqani aplikimesh për viza, i cili ka një foto të Pallatit të Westminsterit, një kuti telefonike të kuqe tipike londineze dhe Syrin e Londrës në fasadë.

Cengu mban në dorë një iPhone 12, me vlerë rreth 800 £, për të cilin thotë se ishte dhuratë nga vëllai i tij, 23 vjeç, i cili punon në një lavash në Birmingham.

“Dua të vij në Angli për të qenë me vëllain tim, i cili shkoi atje pesë vjet më parë. Është një mundësi për një jetë më të mirë”, thotë ai.
Miqtë e Cengut shprehin gjithashtu se dëshirojnë pa fund të shkojnë në Britani, ndërsa shtojnë se anglishtja është lënda e tyre e preferuar në shkollë. Kjo pasi do tu lehtësojë jetën kur të shkojnë në Angli.
I emocionuar, Cengu flet për reperët e tij të preferuar shqiptarë, një grup i quajtur Hellbanianz, të cilët tani jetojnë në Londër dhe mburren me aktivitetet e bandave në videoklipet e tyre.

Janë këto video muzikore si dhe klipet në aplikacionin e rrjeteve sociale TikTok , që drejtuesit e arsimit si Gashi besojnë se po inkurajojnë një numër kaq të madh të rinjsh që të shkojnë në Angli.

Prej atyre që ikin nga edhe nga ata që kapen dhe depërtohen.
Një 35-vjeçar, i cili tha se ishte dëbuar nga Britania e Madhe tre herë, është këmbëngulës.

“Për pesë vite Shqipëria do të boshatiset. Të gjithë do të jetojnë në Britani”, tha ai.
Burri, i cili thotë se ishte në burg për katër vjet, pretendon se u kap në Mbretërinë e Bashkuar nga inspektorët e imigracionit ndërsa punonte në një lavazh në Birmingham.

Miku i tij, i cili ka shqiponjën e flamurit shqiptar të bërë tatuazh në dorën e tij të majtë, sapo ishte deportuar pasi kishte hyrë në Britani me një kamion pas një pagese prej 10,000 £.

“Duhet të kthehem. Unë do të gjej një mënyrë. Në Britani fitoja 1200 £ në muaj. Në Shqipëri marr 200 £, por çdo gjë kushton njësoj – nafta, ushqimi. Dy vitet e para që punova në Britani ishin për të paguar borxhin tim ndaj personit që më dërgoi atje. Kam jetuar në Hayes, në perëndim të Londrës dhe gjithashtu në Barking, në lindje të Londrës. Ishte shumë e vështirë sepse Home Office nuk i jepte mamasë time vizë për të ardhur dhe për të më vizituar. Zyra e Brendshme mendoi se ajo nuk do të kthehej. Nuk e pashë gjatë gjithë kohës që isha në Britani. Shokët e mi janë larguar të gjithë. Unë nuk mund të qëndroj në Shqipëri. Nuk mund të jetoj në mes të askundit e të pi kafe me mamin tim”, tha ai.

Njëri nga ata tregon me gisht nxënësit.
“Ata të gjithë duan të vijnë në Angli. Nuk ka asgjë këtu për ne përveç deleve”, tha ai.
Brenda shkollës Qazim Shehu, drejtori Izmir Muja rrëfen se si katër nxënës 17-vjeçarë, të gjithë nga e njëjta klasë janë “zhdukur” së fundmi.

“Është shumë e vështirë për shokët e klasës dhe mësuesit. I kam pyetur prindërit se ku janë, por nuk më kanë thënë. Ne dyshojmë se ata janë në Britani. Në momentin kur njëri shkon, u tregon nxënësve të tjerë se edhe ata mund të ndjekin të njejtën rrugë. Shumë problem janë videot në mediat sociale që inkurajojnë të tjerët t’u bashkohen atyre. Ata mendojnë se Britania do të jetë një parajsë”, tha ai.

Më në jug, The Times vizitoi një shkollë në Zall-Torre e cila u mbyll këtë vit sepse nuk kishte nxënës të mjaftueshëm.
Fshati me rreth 63 shtëpi mund të arrihet vetëm duke ecur me kilometra përgjatë një rruge të pa asfaltuar.

Henki Torra, dhjetë vjeç, tani duhet të udhëtojë në një fshat dhjetë milje larg për të shkuar në shkollë.
“Është e trishtueshme sepse shkolla ishte ndërtesa kryesore në fshatin tonë. Mësuesi ishte si pjesë e familjes. Ai kishte punuar këtu për 13 vjet. Kur të rritem do të doja të shkoja edhe jashtë vendit. Shumë familje në fshat janë larguar”, tha ai.

Pak më shumë se një orë larg, në Griqan, situata është bërë aq e keqe sa në një shkollë ka vetëm një nxënës në njërën nga klasat.
I ulur në një zyrë pas një kompjuteri të shtrenjtë Apple Mac dhe me një statujë të kullës së Big Benit në tavolinë, me një orë Rolex prej ari, kreu i bashkisë së Kukësit, Safet Gjici, thotë se njerëzit po rrezikojnë jetën e tyre në gomone për të shkuar në Britani dhe kur arrijnë atje, zbulojnë se nuk është aspak ashtu siç u është premtuar në videot e mediave sociale.

“Britania duhet ta bëjë më të lehtë marrjen e vizës dhe atëherë njerëzit do të jenë më pak të prirur për të shkuar atje ilegalisht. Vendi është i dëshpëruar për punëtorë që nga Brexit, shqiptarët do të ishin shumë të mirë në përmbushjen e këtyre roleve. Më pas, pasi të jenë trajnuar, duhet të kthehen në vend për të ndarë atë njohuri”, tha ai.

Këtë javë, kryeministri Edi Rama, tha se ishte “çmenduri” t’i fajësosh ata si shkaktarë të krimit në Britani dhe problemeve kufitare.
Megjithatë, statistikat tregojnë se shqiptarët përfaqësojnë tashmë përqindjen më të lartë të shtetasve të huaj në paraburgim. Vitin e kaluar kishte më shumë se 1500 shqiptarë në burgje në Angli dhe Uells.

Pavarësisht se Ministria e Brendshme e konsideron Shqipërinë një vend të sigurt, 53 për qind e emigrantëve të saj iu dha azil, shumica e kësaj shifre përbëhet nga gra. Në Gjermani, ku shqiptarët e kanë më të lehtë të marrin viza pune, asnjë emigranti shqiptar nuk iu dha azil vitin e kaluar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *