Transparenca e Këshillit Bashkiak, monitorimi nga Faktoje, Kukësi në vendin e 6

15 bashki prej më shumë se një viti e gjysëm po monitorohen në lidhje me transparencën me publikun.

Nga raportimi i fundit shihet se Bashkia e Kukësit ka rritje të tranparences me publikun, krahasuar kjo me 6 mujorin e parë të vitit 2021.

Në këtë raport Bashkia e Kukësit renditet në vendin e 6 nga 15 bashki qe janë pjesë e monitorimit.

Pas disa ditësh do të publikohet nga Faktoje.al edhe raporti final i monitorimit.

Deklarata:

Bashkitë në Shqipëri e kanë rritur transparencën duke i vënë në dispozicion publikut më shumë informacione online, edhe pse jo të gjitha vendimet apo urdhrat e kryetarëve të tyre janë publikuar, ndërsa shumë pak premtime elektorale janë mbajtur.

Një monitorim i kryer nga Qendra Faktoje gjatë vitit 2021 në 15 bashki të vendit tregoi se të gjitha bashkitë e kanë publikuar programin e transparencës dhe 14 prej tyre kanë emëruar koordinatorët për të Drejtën e Informimit, ndërsa vetëm 8 bashki kanë caktuar edhe koordinatorin për konsultimin publik.

Performanca e institucioneve të pushtetit vendor në Shqipëri u testua në kuadër të projektit “65 premtime – 15 bashki” zbatuar nga Qendra Faktoje dhe mbështetur nga organizata National Endoëment for Democracy (NED).

Në këtë analizë u përfshinë 10 bashkitë e monitoruara  edhe një vit më parë – Shkodrës, Lezhës, Kukësit, Elbasanit, Belshit, Korçës, Pustecit, Vlorës, Fierit, Patosit. Në monitorimin e vitit 2021 u shtuan 5 bashki që po përballen aktualisht me procesin e rindërtimit të banesave pas tërmetit të nëntorit 2019 – Bashkia e  Durrësit, Shijakut, Vorës, Krujës dhe Kurbinit.

Raporti vë në dukje se bashkia me performancën më të lartë është ajo e Shkodrës që ka realizuar kërkesat e legjislacionit lidhur me transparencën në nivel maksimal (100 për qind. Ajo ndiqet nga Bashkia e Korçës dhe ajo e Vlorës, të cilat rezultuan transparente për publikun në masën 86.6 për qind, duke realizuar 13 nga 15 indikatorët e matur.

Bashkia me performancën më të dobët ishte ajo e Kurbinit, ku niveli i transparencës është vetëm 13,3 për qind.

Me synim rritjen e llogaridhënies, për secilën nga këto bashki u përzgjodhën gjithashtu 4 premtime të bëra nga kryebashkiakët aktual gjatë fushatës së fundit elektorale për zgjedhjen e tyre. Këto premtime u monitoruan në bazë të një metodologjie analitike që përfshiu analizën buxhetore, monitorimin e prokurimit publik dhe vëzhgimet në terren.

Analiza tregoi se nga 65 premtime të bëra përpara publikut në të 15 bashkitë e monitoruara, vetëm 12 janë mbajtur plotësisht. Të vetmet bashki që kanë mbajtur dy premtime janë ajo e Shkodrës dhe e Lezhës. Rreth 50 për qind e premtimeve të bëra nga bashkitë apo titullarët e tyre nuk janë mbajtur dhe 30 për qind e tyre janë mbajtur pjesërisht.

Premtimet kanë lidhje kryesisht me investimet e reja apo rikonstruksione të deklaruara gjatë fushatave elektorale.

Monitorimi i bashkive për vitin që lamë pas është një vijimësi e projektit të Qendrës “Faktoje” dhe synon jo vetëm analizimin e situatës, por rritjen e transparencës dhe llogaridhënien e institucioneve të pushtetit lokal në Shqipëri.

Faktoje është një organizatë e pavarur mediatike që ofron shërbimin e verifikimit të fakteve dhe që është pjesë e International Fact-Checking Network.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *