
Dy të rinj nga Kruja janë arrestuar në flagrancë teksa po tentonin t’i shmangeshin kontrolleve të forcave të rendit, pasi ishin duke transportuar disa klandestinë.
Kontrolli ndodhi në zonën e njohur si ura e Drinit të Zi, ndaj një mjeti tip Audi i drejtuar nga 28-vjeçari K.C. Personi ka tentuar t’i shmangej postbllokut, duke u larguar me shpejtësi dhe më pas duke braktisur mjetin ku ndodheshin ende klandestinët e tmerruar.
Personi kishte hipur ndërkohë në një mjet tjetër tip Benz, i drejtuar nga një bashkëpunëtor i tij, dhe po kthehej drejt Tiranës, por forcat Shqiponja arritën të ndalojnë mjetin, duke vënë në pranga dy të rinjtë.
Njoftimi i Policisë së Kukësit:
Goditet një tjetër rast i dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, arrestohen në flagrancë 2 shtetas.
Njëri nga të arrestuarit nuk iu bind urdhrit të punonjësit të Policisë për të ndaluar mjetin.
Efektivët e DVP Kukës, në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit, kanë vijuar kontrollet për këtë qëllim. Gjatë kontrolleve, në vendin e quajtur ‘Ura e Drinit të Zi’, shërbimet e Policisë i kanë bërë shenjë ndalimi automjetit tip ‘Audi’, me drejtues shtetasin K. C., i cili nuk i është bindur urdhrit të tyre, por është larguar duke braktisur automjetin, në afërsi të të cilit u konstatuan disa emigrantë të paligjshëm.
Forcat ‘Shqiponja’ janë vënë në ndjekje dhe kanë bërë të mundur kapjen e tij në tentativë për t’u larguar në drejtim të Tiranës, me një automjet tip’ Benz’, me drejtues shtetasin L. A.
Nga hetimet e kryera rezultoi se shtetasi K. C. do t’i ndihmonte emigrantët e paligjshëm që të kalonin kufirin në mënyrë të paligjshme, në drejtim të Kosovës, kundrejt fitimit, ndërsa shtetasi L. A. dyshohet se kishte rolin e shoqëruesit, me automjetin e tij.
Në përfundim të veprimeve u arrestuan në flagrancë shtetasit K. C., 28 vjeç, banues në Krujë dhe L. A., 25 vjeç, banues në Krujë.
Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kukës, për veprat penale ‘Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve’, kryer në bashkëpunim dhe ‘Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik’.