Tulipani i Kukësit shpallet Monument Natyre

E gjithë zona në Kukës ku rritet tulipani që është specie në rrezik shpallet monument natyre.
Këtë e bëri me dije ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro pas mbledhjes me Këshillin e Ministrave. Kumbaro u shpreh se tulipani shqiptar është në listën e kuqe ndaj kanë vendosur që ta mbrojnë.

“Në radhë të parë një specie e veçantë që bën pjesë në speciet e rrezikuara, tulipani shqiptar, i zbuluar si i tillë në vitin 2003. Shpallet në një lëndinë të caktuar ku rritet në bashkinë e Kukësit, monument natyre, që është shkalla më e lartë e mbrojtjes, rreth 35 ha në njësinë administrative të Surrojit në Kukës. Një zonë që merr këtë topologji mbrojtje. Kjo specia është në listën e kuqe ndërkombëtare që janë speciet më të rrezikuara, rritet vetëm në shqip dhe në atë zonë të Shqipërisë”, tha Kumbaro.

Zona kryesore ku rritet tulipani është në Kukës. Tulipani i Kukësit është zbuluar në vitin 2003 në zonën e Kolsh-Surroit, në vendin e quajtur Polla e Zezë, nga biologu Besnik Hallaçi.

Deri atëherë njiheshin rreth 113 lloje tulipanësh, ndërsa tulipani shqiptar me emrin shkencor “Tulipa Albanica” renditet i 114-ti. Në qarkun e Kukësit këto bimë endemike të rralla gjenden në malet e Gjalicës, në malet e Hekurave në Tropojë, në bregun e liqenit të Fierzës deri në Pashtrik të Hasit si dhe në Qafën e Luzhës në rrethin e Tropojës.

Kujtojmë se në janar të vitit 2021, tulipani shqiptar, një ekzemplar i rrallë i bimëve endemike dhe i certifikuar ndërkombëtarisht, mori statusin e mbrojtjes së veçantë.

Vendimi i qeverisë për shpalljen e tulipanit shqiptar “monument natyror”:

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 10,të ligjit nr.81/2017, “Për zonat e mbrojtura”, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave

VENDOSI:

1. Shpalljen e habitatit të tulipanit shqiptar(Tulipaalbanica)“Monument natyror”, kategoria III e zonave të mbrojtura, sipas hartës në shtojcën 1, dhe kufirit të paraqitur sipas tabelës së koordinatave në shtojcën 2, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.

2. Monumenti i natyrës ka një sipërfaqe 35.5 ha dhe zonë buferike 200 m rreth kufirit të zonës të mbrojtur, në të cilin zbatohet shkalla e tretë e mbrojtjes e njëjtë me rezervën strikte.

3. Zona e mbrojtur përfshin habitatin e një lloji të rrallë e të kërcënuar me rëndësi e vlerë të veçantë shkencore dhe estetike, sipas aneksit nr.1, i cili përmban skedën e monumentit të natyrës.

4. Ngarkohet Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura dhe organet përkatëse të vetëqeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *