• Thu. Apr 25th, 2024

Udhëtim me kosto të ulët, aeroporti i Kukësit kthehet në zgjidhje për turistët e huaj e vendas

Turistët e huaj dhe vendas duket se tani më kanë gjetur rrugën më të shpejtë dhe me kosto më të ulët ajrore për të prekur tokën e Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut e Malit të Zi.

Aeroporti i Kukësit, me çmimet e arsyeshme ka bërë që numri i turistëve që vijnë nga Turqia të rritet dita-ditës. Dy të rinj nga Turqia, udhëtimin e tyre të parë në Shqipëri e bën me linjën kombëtare ‘Air Albania’ përmes linjës Stamboll-Kukës.

‘Vij nga Stambolli. Udhëtimi ishte i mirë. Do të vizitojmë Kosovën, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Dëshiroj të njoh kulturën  dhe historinë e këtyre vendeve. Jam shumë kureshtare për të njohur Maqedoninë e Veriut, por edhe Shqipërinë. Shoqëria më ka thënë se në Shqipëri ka ushqime të mira, sidomos qoftet. Dua t’i provoj si janë’, thotë vajza.

‘Hera e parë që vij në Shqipëri. Udhëtimi me avion nga Stambolli ishte i mirë dhe i lirë. Këtu është bukur. Do të vizitoj vendet historike në Kosovë, Maqedoninë e Veriut. Do të qëndrojmë 3 ditë’, vijon djali.

Aeroporti i Kukësit nuk është zgjidhje vetëm për emigrantët shqiptarë, por edhe për kosovarët, të cilët jetojnë në Stamboll dhe pushimet verore zgjedhin t’i kalojnë në vendlindjen e tyre.

Kostoja e ulët e biletave ka bërë që aeroporti i zgjedhur, të jetë ai i Kukësit. Fluturimet e para dy herë në javë Kukës- Stamboll dhe anasjelltas u çelën me datë 15 korrik 2021. Aktualisht, ‘Air Albania’ në dy linja me Stambollin dhe Zyhriun operon me plot 6 fluturime në javë, numër ky i cili pritet të rritet për shkak të kërkesës së madhe të pasagjerëve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *