VIDEO/ 62 vite Radio Kukësi

Radio Kukësi ka mbushur 62 vjet në datën 16 tetor.

Pikërisht me 16 Tetor 1959 nisën transmetimet nga Kukësi i vjetër.

Fillimisht radio u vendos në një godinë një katëshe në Kukësin e vjeter ku u instaluan në ambiente të jashtë 4 bokse të mëdha.

Transmetimi fillimisht ishte modest gati 2 orë në ditë.

Radio u kthye në një dritare edhe për Kosovën.

Drejtori i parë i radios ka qenë Jashar Haxhiu.

Para disa kohësh ai ka treguar:

‘Safet Dokle dhe Ram Dema ishin të parët që ndezën aparaturat e Radios, më pas emri i teknikës së Radios lidhet me Genc Musën, një talent i lindur dhe i kultivuar në fushën e radioteknikës, që i fali kësaj radioje gjithë mundin dhe djersën e vet.

Ndërsa bashkëshortja e tij Eglantina Musa, ishte folësja e parë që shqiptoi fjalët ‘Ju flet Radio Kukësi.’

Mustrif Dokle pas mbarimit të shkollës së mesme në Teknikumin ‘7 nëntori’ në degën radioteknike, u emërua në Radio Kukësi, ku punoi derisa ndërroi jetë në vitin 2002.

Redaktorët e parë ishin Hamdi Shllaku, Naim Mani dhe Ndue Ukcama’.

Një kronikë e RTSH Kukësit për 62 vjetorin e Radio Kukësit:

Pak histori:

‘Ju flet Kukësi…’.

Kjo sigël zanore që u përhap më 16 tetor 1959, nga katër altoparlantë, që vareshin në pemët e qytetit të vjetër të Kukësit, hapi rrugën e një radioje, që në jetën e saj të gjatë do të bëhej një legjendë e informimit në gjuhën shqipe.

Sigla që ende shoqëron mëngjeset e mijëra dëgjuesve, nuk është ndalur në këta 45 vjet. Kjo radio i afirmoi vlerat në ruajtjen e ndjenjës kombëtare të gjuhës, kulturës dhe historisë, sidomos te shqiptarët jashtë kufijve në Kosovë e Maqedoni, për të cilët u ngrit dhe ky radiostacion që më pas do të identifikohej me vetë qytetin e Kukësit.

Në qytetin e vogël, njerëzit që nuk kishin dëgjuar më parë radio, habiteshin kur nga altoparlantët në vatrat e tyre, hyri vala e Radio Kukësit, që u bë pjesë e pandarë e jetës së tyre. Fillimi ishte krejt i natyrshëm.

Një program i improvizuar, një tribunë ku ngjitet Haxhi Lleshi, për të prerë shiritin ishte dita e startimit të kësaj radioje që ishte e dyta në vend, për nga rëndësia dhe numri i dëgjuesve, pas Radio Tiranës.

Qyteti dhe rrethi i Kukësit kanë jetën e tyre në këtë radio, që nga viti 1959 e deri më sot. Koha vlerëson si të pazëvendësueshme punën e radios që identifikohet me emrin e qytetit.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *