• Sat. Apr 27th, 2024

VIDEO/ Artizania kuksiane që vesh dhjetëra gra dhe vajza

Në Shqipëri gratë dhe vajzat në zona të thella, po ngjallin traditat e të parëve në prodhimin e veshjeve tradicionale. Një prej tyre Mimoza Rata në qytetin e Kukësit, një ndër krahinat më të varfra të vendit, ja ka dalë të ndërtojë një biznes modest të prodhimit të kostumeve popullore.

Nga një e papunë sot ajo është kthyer në një mbështetje e fortë për familjen e saj, falë vullnetit dhe përkushtimit për të çuar para traditën. Nga një e papunë disa vite më parë, sot ajo është një mbështetje e fortë për familjen e saj, falë vullnetit dhe përkushtimit për të çuar para traditën.

Në një prej skajeve verilindore të Shqipërisë, në qarkun e Kukësit, me nivelin më të ulët të PBB për frymë, rreth 40% nën mesataren e vendit, mjaft gra dhe vajza prej më shumë se një dekade po i kthejnë sytë nga tradita. Kjo zonë ka një zhvillim të ulët ekonomik të mbështetur kryesisht në bujqësi dhe blegtori, por nga ana tjetër ajo ofron vlera të çmuara tradicionale, tek të cilat ato kanë zgjedhur të mbështeten me besim dhe siguri. Një prej tyre është Mimoza Rata. Prej qindra vitesh ngjyrat e veshjeve popullore të krahinës, kanë fjetur në syndykët e të parëve të saj. Një ditë ajo vendosi t’i risjellë ato si dikur, të ndezura, magjike në kompozim dhe të pandryshuara nga koha.

“Tek unë ka lind kjo ide në një dasëm para 20 vjetësh. Disa gra po vishnin veshje tradicionale, të vjetra. Dhe më thanë që të vishja dhe dhe unë një të tillë. E gjeta kostumin popullor tek një grua e moshuar që e ruante në syndyk veshjen e Lumës. Më rrinte shumë bukur dhe më pëlqeu shumë kur e vesha. Ishte një veshje shumë e bukur dhe domethënëse, kishte shumë detaje në atë veshje. Aty fillova të kërkoja për të zbuluar gjërat e vjetra, gjërat tradicionale”- u shpreh për Zërin e Amerikës Mimoza Rata, artizane në qytetin e Kukësit.

Fillimisht si rastësi e më pas si nevojë ekonomike. Kështu nisi një rrugë plot mund dhe sakrifica për Mimoza Ratën nga Kukesi, gruan që vesh me duart e saj dhjetra gra dhe vajza me veshjet tradicionale të zonës së Lumës, Shishtavecit, Hasit, Tropojës dhe me gjerë. Asgjë nuk erdhi lehtë dhe as nuk është e tillë për të. Por pasioni për të mbajtur në këmbë traditën e të parëve, dhe për ta kthyer atë në një vlerë të shtuar financiare në familje, i jep forcë dhe guxim për të ecur para.

“Unë isha një e papunë dhe bëja punime të vogla të dorës në shtëpi si çdo grua që mundohet të nxjerrë gjërat e veta në pah, me besim tek vetja dhe duke mbështetur tek gjërat kulturore tradicionale. Unë kam punuar qilima në tezgjah dhe më sugjeruan që mund t’ë punoja dhe veshje tradicionale që kanë proçese pune dhe në tezgjah. Modelet për prodhimin e tyre i merrja nga veshje të vjetra tradicionale. Kur ke dëshirë që të gjesh dicka e gjen. Vështirësia ekziston por me sakrificë arrihet”- vijoi Mimoza Rata, artizane në qytetin e Kukësit.

Në gjithë këto punime njëra- pas tjetrës qëndron një përkushtim i jashtzakonshëm i Mimozës. E frymëzuar nga nëna dhe gjyshja e saj që në vogëli, ajo e ka nisur me punimet e qilimave në tezgjah, për të mbërritur deri këtu, kur mjaft vajza dhe gra, së fundi edhe djem e burra me veshje popullore të përgatitura prej saj, marrin pjesë në festa familjare si dasmat. Rritja e kërkesës ka sjellë më shumë punë të cilën ajo e ndan edhe me gra të tjera. Përgatitja kërkon mund dhe kohë, vetëm për veshjen e Lumës nevojiten deri në 6 muaj për ta realizuar thotë Mimoza Rata për Zërin e Amerikës.

“Gjithçka e bëj vetë, po kur kam shumë porosi nuk mund t’i përballoj dhe mundohem të punësoj dhe gra të tjera që janë të interesuara të punojnë. U jap punë. I përgatisin në shtëpitë e tyre dhe m’i sjellin”- vijoi Mimoza Rata, artizane në qytetin e Kukësit.

Vera Istrefaj, aktiviste në mbrojtjen e të drejtave të grave në Kukës, paraqet një situatë të vështirë të gjendjes së tyre ekonomike në këtë zonë dhe mundësi të pakta punësimi. Ato po shfrytëzojnë çdo mundësi që mbështetet në traditë dhe përmes artizanatit kanë gjetur një formë bashkëpunimi dhe mbështetje për njëra tjetrën, për të realizuar me sukses të gjitha proçeset e punës në përgatitjen e veshjeve popullore të krahinës.

“Realizimi i këtyre punimeve kërkon shumë kohë, kërkon shumë impenjim është shumë nënzanate në vetvete, pjesa e qëndisjes e endjes, punimit me rruaza me grep, vijëzimi i aksesorëve, pra janë disa teknika që duhen realizuar për një kostum. Duhen shumë njerëz, pra do të thotë që ato po punojnë në grup, në mënyrë të organizuar për të dalë në fund me një produkt siç është veshja popullore”- u shpreh për Zërin e Amerikës Vera Istrefaj Drejtore e Qendrës së këshillimit të grave dhe shërbimeve sociale, Kukës.

Zonja Istrefaj thotë se kjo traditë mund të shërbejë edhe në industrinë e modës.

“Teknika e qëndisjes mund të përdoret dhe në veshjet e përditshme. Pëlqyesit e modës po vijnë këtu në Kukës, mund të shohin elementë dhe mënyrat e realizimit të veshjeve tradicionale. Këto elementë mund të përdoren duke u përshtatur edhe me kërkesën e pëlqyesëve të modës”- vijoi Vera Istrefaj Drejtore e Qendrës së Këshillimit të grave dhe shërbimeve sociale, Kukës.

Mimoza është nënë e tre vajzave, dy prej të cilave po arsimohen në Tiranë në universitet. Arsimimi dhe tradita është më mirë kur rrinë bashkë thotë ajo, dhe shprehet e bindur se ato do ta zhvillojnë më tej biznesin modest të saj në prodhimin e veshjeve tradicionale. Por Mimoza synon që të jetë një kënd mësimi edhe për vajza të tjera që kanë dëshirë ta mësojnë proçesin e punës në prodhimin e veshjeve tradicionale.

“Unë këtë traditë të prodhimit të veshjeve popullore, dua ta zgjeroj, dhe ta kem si një pikë mësimi për vajzat e reja, që kjo punë të trashëgohet edhe më tej. Është shumë e lodhshme por është shumë e bukur. Ka shumë interes, kanë ardhur të pyesin dhe janë interesuar, por unë akoma nuk jam e përgatitur. Sapo të kem mundësi do t’ua mësoj thjesht në mënyrë vullnetare”- thotë Mimoza Rata, artizane në qytetin e Kukësit.

Gratë përpiqen t’i japin dorën e bashkëpunimit njëra-tjetrës, por kur vjen fjala për mbështetje zyrtare përmes nismave të posaçme situata ndryshon. Ato janë pak ose aspak të mbështetura.

“Vijnë shumë projekte në Kukës, vijnë shumë aktorë, marrin referenca apo letra mbështetje nga qeverisja lokale apo edhe nga institucione qendrore shtetërore, por kur vjen puna për të parë ndikimin, punën që bëhet këtu në Kukës është shumë e paktë”- thotë Vera Istrefaj Drejtore e Qendrës së Këshillimit të grave dhe shërbimeve sociale, Kukës.

Kukësi ofron mjaft bukuri dhe pasuri natyrore, por sërish eshtë ndër qytetet më të varfëra në vend. Përpjekjet për ta tejkaluar këtë varfëri, bëhen edhe më të vështira për gratë. Disa si Mimoza ja dalin, duke u mbështetur tek tradita, edhe pse me shumë mund, por disa të tjera ende varen nga puna e burrave këtu apo në emigracion. Mbështetja për to me politika të posaçme qëndrore dhe lokale është e ulët dhe pa ndikim, dhe kjo përkthehet në më pak mundësi punësimi për gratë dhe vajzat, në ekonomi më të dobët familjare dhe emigrim të vazhdueshëm.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *