• April 20, 2024 10:19 am

VIDEO/ Banorët e Malziut në Kukës festojnë 1 korrikun, ‘Festën e Rrunës’

Shkruar nga Ali Hasani

Tradicionalisht, në Malzi të Kuksit me 1 korrik të çdo viti është kremtuar ‘ Festa e Rrunës’.

Por duhet theksuar se fillimet e kësaj feste datojnë shumë herët dhe se Rruna është një festë pagane, parakristiane, që vazhdon të festohet sot e kësaj dite në fshatrat e Malziut.

Në rrugëtimin e saj të gjatë e qindravjeçarë, banorët e këtyre anëve motivin e kësaj feste e kanë krishtëruar apo muslimaniazuar pse jo edhe pasuruar apo ndryshuar në shenjë respekti për një nga shenjtorët që mendohej se paska qenë vendosur në majën e malit të Rrunës. Thuhet se që në kohët më të hershme ‘Rruna’ është festuar njëkohësisht nga banorët e fshatrave të dy anëve të malit, si nga ato të Malziut në veri po ashtu edhe nga ato të Fanit në pjesën jugore.

Por edhe në periudhën e krishterimit, kjo festë edhe pse pagane, është festuar më 1 Korrik të çdo viti. Ditën e festës, një numër i madh besimtarësh mirditorë, ngjiteshin herët në majën e malit të Rrunës dhe aty bëheshin lutjet e rastit. Besimtarëve u printe një prift që kryente ceremoninë fetare në kujtim të një shenjti që ata e kanë pagëzuar ‘Shejti i Rrunës’. Në këtë majë mali besimtarët kristianë faleshin apo luteshin, që të kishin një verë me shumë shira, që të siguronin prodhime të bollshme dhe për rrjedhojë të zhvillonin edhe blegtorinë.

Me pushtimin osman, malziasit u konvertuan në besimin islam, por ato asnjëherë nuk hoqën dorë nga ‘Rruna e tyre’, asnjëherë nuk pranuan edhe nuk lejuan, që festën e tyre ta drejtonte një prift. Kjo mosdakortësi, sigurisht solli edhe mosmarrëveshjet e para midis dy komuniteteve fetare, të krishterëve dhe muslimanëve: Pra u vu në diskutim fakti se kush do të drejtonte ceremoninë e festës së Rrunës, prifti apo hoxha?

Për këtë qëllim u vendos dhe u kërkua, që çështja të zgjidhej me mirëkuptim nga besimtarët e të dy feve të kryesuar nga prifti i Fanit dhe nga sheh Tahiri. Prifti dhe shehu, që në takimin e tyre të parë, vendosën që ndjekësit e tyre nga secili komunitet, nga dy anët e malit të niseshin në të njëjtën kohë dhe pala që do të arrinte e para në majën e Rrunës, do të fitonte të drejtën e organizimit të ceremonialit të festës.

Gojëdhëna na thotë se që në orët e para të ditës së Rrunës moti u ‘tërbua’ shumë vetëm në anën e Fanit saqë aty u bë shumë ftohtë dhe u shoqërua me shi e furtunë të madhe. Në një mot të tillë të ashpër, prifti nga të ftohtit e madh u sëmur rëndë dhe gjatë rrugës, pa mbërritur në majën e malit vdiq.

Ndërkohë në anën veriore të malit ku jetonin malziasit, sheh Tahiri me pasuesit e vet, arriti të ngjitet shëndosh e mirë në majën e Rrunës, kështu që sipas vendimmarrjes së fillimit, shehu e fitoi të drejtën që të drejtonte ceremonialin e lutjeve në malin e shejtë të Rrunës. Këtë detyrë ai e ka kryer deri sa ishte gjallë dhe pas vdekjes, ajo u takoi pasardhësve të tij.

Në mungesë të shehlerëve ceremoninë e ka kryer hoxha i fshatit Dukagjin. Sigurisht që ka edhe gojëdhëna të tjera të përafërta për këtë histori, por e përbashkëta e gjithë varianteve që janë thënë, është fakti se malziasit festën e Rrunës e kanë festuar çdo vit më 1 korrik dhe kanë drejtuar ata ceremonialin e kësaj feste tradicionale deri në fillim të vitit 1967.

Por më 6 shkurt 1967 partia-shtet i shpalli luftë frontale fesë dhe ndaloi me ligj ushtrimin e saj në Shqipëri. U mbyllën të gjitha kishat, xhamitë, teqetë, tyrbet dhe objektet e tjera të kultit si dhe u pushuan nga puna të gjithë predikuesit e fesë: priftërinjtë, hoxhallarët e shehlerët.

Shumë prej tyre u burgosën, u internuan si edhe u demaskuan përpara popullit. Popullit ju ndalua që të predikonte apo ushtronte ritet fetare. Kjo ndodhi me të gjitha vendet që populli i quante ‘ të shejta ‘. Kështu ndodhi edhe me ‘Rrunën’ !. Megjithëkëtë, është fakt interesant që edhe në kushte represioni, populli i Malziut e ka festuar ‘Rrunën’ vazhdimisht edhe në atë kohë, por me një ‘ndryshim’ të vogël që i bënë datës. Kështu me ‘marrëveshje’ malziasit ranë dakord që ‘ Rrunën ‘ ta festonin jo më 1 korrik datën e vërtetë të saj, por më 10 korrik, ditën e festës së ushtrisë. Dhe vërtetë kështu ka ndodhur për 25 vite me radhë, që nga 6 shkurti i vitit 1967 e deri në vitin 1991, dita e Rrunës është festuar më 10 korrik.

Por pas rënies së komunizmit gjërat ndryshuan përsëri, kësaj radhe për të mirë sepse ranë në traditën e hershme. Në vitin 1992, një grup i nderuar shokësh nga fshatrat e Malziut, mbas 25 vjetësh, organizuan të parën ‘Festë Rrune’ të lirë.

Nismëtarët e parë të kësaj veprimtarie kanë qenë drejtuesit e stacionit të mbrojtjes dhe shtimit të pyjeve për zonën e Shemrisë (e më gjerë) Xhelal Shuti e Hasan Alija (dajë e nip), farmacisti Daut Ahmeti, shoferët Qamil Picari, Skënder Brija e Besnik Picari, Agim Ahmeti etj. Ishte ftuar dhe mori pjesë edhe Maxhun Dida, ish- drejtor i ndërmarrjes pyjore Kukës, që më vonë u bë drejtor i përgjithshëm i pyjores për Republikën.

Me atë rast, në majën e Rrunës ata organizuan një drekë të mirë me ushqime bio të krahinës, si dhe u argëtuan, duke kënduar këngë e hedhur valle popullore si dhe duke treguar histori, anekdota, humor si dhe u zhvilluan lojëra me top.

Na thanë se kishin organizuar një festë që pjesëmarrësit e kujtojnë edhe sot me nostalgji. Për koincidencë ata na thanë se po atë ditë, rastësisht kishin takuar edhe ‘dy banorë’ nga Thirra e Fanit, të cilët i kishin pritur me nderime. Ata kujtojnë se kanë shkruar edhe shënime të shkurtra emocionale për festën dhe disa prej atyre shënimeve i kishin futur në shishe boshe dhe këto të fundit i kishin mbuluar me gurë në majë të Rrunës. Dhe tradita vazhdon!…

Ndoshta është koincidencë, por tashmë është fakt se me iniciativën e biznesmenit zotni Kadri Morina më 1 korrik 2018 mbas 25 vitesh nga takimi i vitit 1992, malziasit do t’i rikthehen traditës së tyre të kahershme dhe do të festojnë të bashkuar edhe këtë vit ‘Ditën e Rrunës’.

Këtë nismë do ta mbështesë edhe ‘Shoqata Atdhetare Kulturore Malziu’ e themeluar në Tiranë në vitin 1996 dhe e riorganizuar në 25 maji të këtij viti. Kryesia e re e sapozgjedhur e kësaj shoqate ka obligimin dhe është e vendosur që të kontribuojë në organizimin dhe sigurimin e pjesëmarrjes në këtë festë, si edhe të konsolidimit të traditës, që kjo festë të kalojë sa më mirë.

Gëzuar 1 korrikun, Festën e Rrunës!.

By admin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *