• Sun. Apr 28th, 2024

VIDEO/ Kukës, sekuestrohen lëndë radioaktive dhe kimike, armë dhe municione

Një person është arrestuar nga Policia e Kukësit pasi në magazinën e tij u gjetën armë, municione si dhe lëndë radioaktive dhe kimike.

Zbulimi u bë pas kontrollit në një magazinë, brenda të cilit u gjetën dhjetëra bidonë plastikë, ku dyshohet se mbaheshin lëndë radioaktive natyrore dhe lëndë kimike. Policia tha se po kryhet ekspertimi kimik, për përcaktimin e llojit të këtyre lëndëve.
Gjatë kontrollit në këtë magazinë, u gjetën dhe u sekuestruan edhe një armë zjarri kallashnikov dhe një sasi municioni luftarak.

‘Shërbimet policore të DVP Kukës dhe të Komisariatit të Policisë Kukës, të mbështetura nga inteligjenca informative, se në një ambient (magazinë), në qytetin e Kukësit, mbaheshin lëndë radioaktive natyrore dhe lëndë kimike, si dhe se pronari i këtij ambienti, mbante armë zjarri pa leje, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar ‘Artizanati’.
Si rezultat i këtij operacioni, u arrestua në flagrancë shtetasi D. M., 44 vjeç, banues në Kukës. Shërbimet e Policisë kapën në flagrancë 44-vjeçarin, në ambientin (magazinë) në pronësi të tij, në qytetin e Kukësit’, tha policia.

Ekspertët e Institutit të Policisë Shkencore kanë marrë kampione të këtyre lëndëve, me qëllim ekspertimin kimik të tyre, nga ekspertët e Institutit të Fizikës Bërthamore dhe të Radiologjisë. Vijon puna për të përcaktuar shkallën e rrezikshmërisë së këtyre lëndëve, për shëndetin e qytetarëve, si dhe për të përcaktuar qëllimin e mbajtjes dhe të përdorimit të tyre.

Gjithashtu, gjatë kontrollit në magazinën e shtetasit D. M., u gjetën edhe një armë zjarri kallashnikov, 3 krehra dhe një sasi municioni luftarak, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Strukturat hetimore të DVP Kukës, në bashkëpunim me Institutin e Policisë Shkencore dhe me ekspertët e Institutit të Fizikës Bërthamore dhe të Radiologjisë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kukës, vijojnë punën për dokumentimin e plotë të këtij rasti. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *