
Situata e pandemisë në Kukës sa vjen e përkeqësohet.
Me 6 vdekje të deklaruara del në krye të zonave për numër të popullsisë referuar virusit Covid 19, pa llogaritur që një numër personash kanë vdekur për shkak të sëmundjes, por pa u paraqitur në spital për ndihmë.
Prefekti i Kukësit Zenel Kuçana thotë se strukturat edhe institucionet përgjegjëse janë në krye të detyrës për zbatimin e protokollit të Ministrisë së Shëndetësisë për të penguar përhapjen e pandemisë duke ushtruar presion edhe me gjoba për rastet dasmave dhe grumbullime të tjera.
Por nuk mendojnë kështu shoqëria civile dhe gazetarët.
Për Lad Shehun, përfaqësues i shoqërisë civile në Kukës, sipas burimeve jo zyrtare, por që janë të dhëna të marra nga komuniteti kuksian, numri i viktimave dhe i të sëmurëve është shumë më i madh se sa ai që bëhet publik.
Sipas tij, duhet që shteti, institucionet përgjegjëse duhet të bëjnë punën e tyre, jo të mos bëjnë asgjë.
Edhe gazetari Bashkim Shala për përhapjen e pandemisë në Kukës bën përgjegjës institucionet si prefektura, policia, drejtoria e shëndetit etj.
Përhapja e pandemisë i dedikohet edhe edukimit të pamjaftueshëm të masës në përgjithësi, të njerëzve që mbushin tregun dhe kafenetë, që frekuentojnë ceremoni të ndryshme familjare pa respektuar masat e protokollit shëndetësor.