• Thu. Apr 25th, 2024

Zgjedhjet në Maqedoni, hap i rëndësishëm-Nga Arben Çejku

Zgjedhjet e parakohshme në Maqedoni shënuan një hap të rëndësishëm përpara drejt konsolidimit të demokracisë funksionale, sipas të cilës krizat zgjidhen me zgjedhje dhe zgjedhjet zhvillohen në përputhje me standartet europiane dhe përgjegjshmëria për shtetin është më e lartë, sesa lufta për pushtetin!

Në këtë arritje të rëndësishme për Maqedoninë e Veriut, një rol të pazëvendësueshëm ka luajtur faktori shqiptar, para të cilit qëndron sfida e bashkimit dhe bashkëpunimit vëllazëror në dobi të përmbushjes së premtimeve të tyre programore, që janë edhe shprehje e kërkesave dhe nevojave të të gjithë shqiptarëve në këtë shtet.

Fitorja e arritur nga secila parti politike shqiptare, uroj të lexohet drejt si mesazh i qartë i qytetarëve që kërkojnë ndryshim, qeverisje më të mirë, përfaqësim më të denjë institucional dhe bashkëpunim ndëretnik për një Maqedoni në BE.

Dialogu mes liderëve dhe partive politike shqiptare mund të sjellë fitore akoma më të mëdha politike, ashtu sikundër përçarja do të dobësojë dita ditës vlerën e votës shqiptare në parlamentin e vendit.

Urimet më të përzemërta partive politike shqiptare në Maqedoni, drejtuesve dhe mbështetësve të tyre si dhe çdo shqiptari që me votën e tij dje dha një kontribut historik!

Përpara mazhorancës së re ka dhe do të ketë shumë sfida, por ato do të kapërcehen më lehtë kur multietniciteti, parimet demokratike dhe interesat strategjike të vendit do të tejkalojnë dhe bëjnë për ‘pesë pare’ çdo reminishencë dhe mentalitet të së kaluarës titiste…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *