• Sun. Apr 28th, 2024

Adoleshenti udhërrëfyes në Kukës: Tunelet nëntokësore të kthehen në muze, tërheqin turistët

Ishte vetëm 12 vjeç, kur nisi të punonte si udhërrëfyes turistik në një rrjet tunelesh nën qytetin e Kukësit, ndërtuar gjatë komunizmit për të strehuar banorët në rast lufte.

Prej 4 vitesh Renis Cena, krahas ndjekjes së mësimeve në gjimnazin ‘Havzi Nela’ u shpjegon turistëve historinë e vendlindjes.

‘Ka kohë që e kam nis, që në moshën 12 vjec. Më ka pas pëlqyer për me i’u shpjegu historinë e qytetit tim turistëve. Kisha dëshirë që të flisja me të huajt të mësoja gjuhë të ndryshme, pra të njihja diçka të re’.

Pasionin për të qenë udhërrëfyes, Renisi e zbuloi kur shoqëronte të atin në ish-tunelet e ushtrisë.

‘Po unë babin shihja më herët kur punonte me të huajt, edhe aty filloi t’më tërhiqte si punë edhe mua’.

16-vjeçari thotë se puna i sjell kënaqësi, madje ka krijuar shoqëri dhe kontakte.

‘Nëpërmjet punës kam krijuar shoqëri dhe kontakte të reja’.

Nëse tunelet nëntokësore do të ktheheshin në muze, sipas tij, qyteti do të tërhiqte edhe më shumë turistë.

‘Po të kthehej në një muze, është një e ardhme shumë e mirë, jo vetëm për mua, por për të gjithë. Sepse turistët do të vijnë tek hotelet, restorantet në Kukës’.

Sistemi nëntokësor në Kukës ishte fortifikimi më i madh mbrojtës në atë kohë për vendin më të varfër në Evropë. Strehimi i nëndheshëm formon një rrjet tunelesh me gjatësi 5-7 kilometra, me mure betoni me trashësi rreth gjysmë metri.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *