• Thu. May 9th, 2024

“Gjëja më e shtrenjtë për vajzat e Gorës janë lulet. Ato janë gëzim dhe pranverë, ëndërr dhe këngë, jetë dhe dashuri. Sapo ato pëlqejnë një djalë, nuk i flasin me fjalë, por me lule…”

Në kopshtin e çdo familjeje gorane, prej shekujsh ndahej veçmas një cep i vogël për vajzën, që ajo të mbjellë lule për t’ia dhuruar të dashurit, kur ai bashkë me moshatarët e vet kalojnë rrugën kryesore të fshatit, para 7 portave, ku mblidhen vajzat çdo mbrëmje e këndojnë.

E tillë është edhe historia e Liljanës, e cila kish’ mbjellë për të dashurin borzilokë, karafila të bardhë e të kuq, menekshe të verdhë e narcisë të bukur si drita e diellit.

Aq e bukur ishte Liljana, sa beqarët e fshatit një ditë prej ditëve, ia shkelën kopshtin nga inati që ajo i rriste e i vadiste lulet vetëm për një djalë.

“…Atëherë Liljana lëshoi një mallkim të padëgjuar deri atë ditë në gjithë Gorën:

Nanë, moj e mira nanë,

Ma dëgjo vetëm një fjalë…

Ato lule kush m’i prishi,

Iu ndaftë kocka nga mishi!

Kush më shkeli n’borzilok,

Nëntë vite qoftë ulok!

Në të dhjetin kur të ngrihet,

Me një kashtë le të lidhet,

Në gëzhytër të pijë ujë,

Pa iu dhimbt’ aspak kurrkujt,

Dhe ta fryjne erërat e vjeshtës,

Ta përplasin gurëve t’bjeshkës,

Edhe sytë ia nxjerrshin orlët,

Këngën ia këndofshin korbat!

Nuk dihet a zuri ndokënd ky mallkim i Liljanës.

Por dihet se nga ajo ditë e 300 vjet më pas, askush nuk shkeli më mbi lulet e vajzave të Gorës.”

-Tekstet mes thonjëzash janë shhkëputur nga: “Vallëzim me Hënën” (Legjendat e Gorës), Namik Dokle; prill 2024

 

Foto nga Livadhet e Gorës

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *