• Sat. Apr 27th, 2024

Begaj kritikon Anglinë në Kukës: Shqiptarët nuk janë pushtues. Hapni konsullatë dhe jepuni viza si punëtorë sezonalë

Presidenti Bajram Begaj ka reaguar nga Kukësi për etiketimet e zyrtarëve britanikë ndaj shqiptarëve, të cilët përbëjnë numrin më të madh të emigrantëve të paligjshëm që kanë kaluar këtë vit Kanalin e La Manshit, nga Franca drejt Anglisë.

“Nuk mund të anatemohen dhe të etiketohen si pushtues për faktin që shqiptarët jetojnë e punojnë kudo në botë, janë integruar në shumë vende të botës dhe kanë ndërtuar jetën dhe punuar në mënyrë normale, duke paguar taksa”, tha Begaj. “Nuk është e drejtë të bullizohen. Natyrisht ka edhe elemente anësore të padëshiruara, që mund të kenë lidhje me krimin, por si këto nuk janë vetëm shqiptarë”.

Begaj tha se i ka kërkuar qeverisë britanike që investimet e saj t’i bëjë në drejtim të zonave ku ka emigrantë. “Rruga e duhur është që investimet të bëhen të prekshme nga qytetarët, të mos jenë vetëm në kuadrin e këshillimeve, por të jenë investime me qëllim që këta qytetarë që ikin për një jetë më të mirë, të punojnë e të jetojnë në Kukës, Dibër, Has e Tropojë”.

Begaj tha gjithashtu se i ka kërkuar Mbretërisë së Bashkuar që të hapë një konsullatë në Kukës dhe të bëjë të mundur që qytetarët të ikin me viza të rregullta, si punëtorë sezonalë.

Presidenti komentoi edhe për situatën në veri të Kosovës. “Mesazhi im është që të ruhet qetësia dhe të vazhdojë dialogu, sepse vetëm përmes tij mund të arrihet zgjidhja e problemit. Situata globale në tërësi është e cenuar, situata është e qetë, por shumë e brishtë dhe në çdo kohë mund të ketë tensione. Ne si komb duhet të ruajmë qetësinë dhe të mos biem pre e provokime”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *