
Ajo që ishte parashikuar me hartën e re gjyqësore tashmë është realitet.
Qytetarët e Tropojës tashmë po e provojnë se çfarë do të thotë të mos ketë një gjykatë në qytetin e tyre për të zhvilluar qoftë edhe një gjyq të thjeshtë për njohjen e viteve të punës për efekt pensioni.
Kamera e A2 kontaktoi dy qytetarë tropojanë që janë detyruar të udhëtojnë në Kukës, nëpërmjet Kosovës për të qenë të pranishëm në gjyqet për njohjen e viteve të punës.
Rruga, shpenzimet dhe pasiguria nëse do të mund të mbarojnë dot punë brenda ditës, ishin problemet e tyre.
Kjo problematikë është konstatuar edhe nga avokatët, të cilët e shikojnë shumë të vështirë marrjen e drejtësisë nga qytetarët e Tropojës.
Janë disa qindra dosje që janë transferuar nga ish-gjykata e shkallës së parë e Tropojës në atë të Kukësit, dhe po kaq qytetarë që do të duhet të udhëtojnë nga Tropoja në Kukës për të marrë drejtësisë, qoftë ajo penale, civile apo administrative.