• Fri. Apr 26th, 2024

A do të vazhdojnë pa ndërprerje fluturimet në aeroportin e Kukësit?

Feb 11, 2022

Nga Emirjola Velia-Faktoje.al

Aeroporti i Kukësit, ku fluturimet e para nisën në korrik 2021, prej disa muajsh është kthyer në një vend të braktisur. Edhe pse qeveria rriti pritshmëritë për një investim që do sillte mijëra të punësuar dhe zhvillim, agjencitë e udhëtimeve tregojnë se fluturimet janë ndërprerë prej muajit tetor dhe rikthimi i tyre nuk pritet të ndodhë para marsit. Aeroporti la pa përgjigje kërkesën zyrtare nga Faktoje për këtë ngërç në aktivitetin e transportit ajror, ndërsa qytetarët flasin për çmime të kripura të biletave të udhëtimit.

‘Kukësi do të kthehet në një pikë të re të zhvillimit ekonomik në Republikën e Shqipërisë dhe kjo do të bëhet sipas rregullave dhe sipas ligjeve në fuqi. Kështu që në datë 17 qershor kur mbaron afati i publikimit që ne e kemi nisur, në atë datë aeroporti i Kukësit do të jetë aeroport totalisht i përdorshëm nga të gjitha kompanitë.’-deklaroi ministrja Balluku në përurimin e aeroportit ‘ZAYED-Flatrat e Veriut’ më 18 prill të 2021.

Fluturimet në aeroportin e Kukësit nisën më 9 korrik 2021 me linjën Zyrih-Kukës. Që nga ajo ditë aeroporti ka kryer disa fluturime në linjat Zyrih-Kukës-Zyrih dhe Stamboll-Kukës-Stamboll, shërbime që rezultojnë të jenë ofruar deri në 21 tetor 2021.

Sipas verifikimit në terren gjatë muajve të fundit, komunikimit me agjencitë në qytetin e Kukësit por edhe duke iu referuar faqës zyrtare të aeroprotit ‘ZAYED-Flatrat e Veriut’ konstatuam se pas kësaj datë, në aeroportin e Kukësit, nuk ka pasur më fluturime.

Q.V banor i qytetit të Kukësit mendon se shtrenjtimi i biletave dhe mospërballimi i çmimeve ka frenuar udhëtarët të bëjnë prenotim me itinerar aeroportin e Kukësit dhe të gjejnë mënyra alternative udhëtimi, qoftë edhe duke zgjedhur aeroporte të vendeve fqinje.

‘Çmimi i biletave krahasuar me javët e para të fluturimeve nga aeroporti pësuan rritje, ndaj filloi të binte edhe interesimi për të fluturuar nga aeroporti i Kukësit. Për pasojë u anuluan edhe fluturmet për një kohë të papërcaktuar në rrugë zyrtare, edhe pse udhëtatët më së shumti vinin nga qytete të ndryshme të Kosovës’ – shtoi më tej punonjësa e agjencisë.

Ne komunikuam edhe me drejtorin e aeroporti të Kukësit Erald Qoqja, por ai refuzoi të përgjigjej mbi mungesën e fluturimeve që nga fundi i Tetorit, arsyet për këtë ngërç dhe se kur priten të rifillojnë fluturimet.

Aktualisht në aeroprotin ‘ZAYED-Flatrat e Veriut’ janë rreth 1 mijë punonjës, edhe pse qeveria Shqiptare pati deklaruar se do të jenë plot 12 mijë të punësuar e se kjo do të sillte zhvillim ekonomik për Kukësin.

Aeroporti Ndërkombëtar i Kukësit ‘Zayed-Flatrat e Veriut’, një investim total prej 28.7 milion dollarë (24 milion €), ka një pistë 2.2 kilometra dhe kullën e vëzhgimit dhe është projektuar për të mbajtur 3 avionë njëkohësisht, ndërsa brenda 1 ore mund të nisen 4 të tillë.

*Pak para publikimit të këtij artikulli, kryeministri Edi Rama njoftoi përmes profilit të tij në rrjetet sociale njoftimin se prej muajit maj, në aeroportin ndërkombëtar të Kukësit do të nisin fluturimet ‘low cost’ me destinacion Austri, Gjermani dhe Zvicër me kompaninë WizAir.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *