• Sat. Apr 27th, 2024

Blinin gjëra me euro false, arrestohen 3 të rinj në Kukës

Tre të rinj kanë rënë në prangat e policisë pasi përfitonin mallra e shërbime të tjera nga marketet apo pikat e karburanteve me kartëmonedha të falsifikuara.

Gjatë kontrollit në mjetet e tyre, policia konstatoi kartëmonedha me prerje 100 euro të dyshuara të falsifikuara ndërsa sekuestroi dy aparate celulare dhe dy automjete.

Drejtoria Vendore e Policisë Kukës i ka bërë thirrje qytetarëve që kanë rënë pre e mashtrimit dhe janë të dëmtuar nga kjo veprimtari kriminale të paraqiten pranë Komisariatit dhe të bëjnë kallëzim.

Njoftimi i plotë:

Vijon puna për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e falsifikimit të monedhave. Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar ‘Buyers’. Arrestohen në flagrancë 3 shtetas.

Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Kukës, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Kukës dhe Komisariatin e Policisë Has, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën falsifikimit të monedhave, ka finalizuar me sukses operacionin e koduar ‘Buyers’, si rezultat i të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit:

Sh. J., 23 vjeç, U. B., 18 vjeç dhe B. D., 18 vjeç, të tre banues në fshatin Vilë, Kukës.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasit Sh. J., U. B. dhe B. D., në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kryer aktivitet të shtrirë në periudha kohore dhe vende të ndryshme, në qytetin e Krumës dhe Kukësit, pranë pikave të karburanteve, marketeve dhe subjekteve të ndryshme tregtare, duke përfituar me anë shkëmbimit me kartëmonedha të falsifikuara, mallra dhe shërbime të tjera.

Gjatë kontrollit të dokumentacionit të mjetit rezultoi se shtetasi Sh. J. drejtonte mjetin i papajisur me leje drejtimi. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan mjetet tip ‘Benz’ dhe ‘Toyota’, 8 kartëmonedha me prerje 100 euro të dyshuara të falsifikuara, si dhe dy aparate celularë.

Vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, si dhe për identifikimin dhe kapjen e bashkëpunëtorëve të tjerë. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kukës, për veprat penale ‘Falsifikimi i monedhave’ kryer në bashkëpunim dhe ‘Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt’.

Drejtoria Vendore e Policisë Kukës fton qytetarët që kanë rënë pre e mashtrimit dhe janë të dëmtuar nga kjo veprimtari kriminale të paraqiten pranë Komisariatit dhe të bëjnë kallëzim. Drejtoria Vendore e Policisë Kukës do të vijojë punën për goditjen e paligjshmërisë dhe vënien e shkelësve të ligjit para përgjegjësisë ligjore.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *