
Policia e Kukësit ka vënë nën hetim 5 adoleshentë, pasi ishin duke u përleshur me njëri tjetrin.
Ngjarja ka ndodhur mesditën e sotme në rrugë të Kukësit.
Gjatë kontrolleve, njërit prej tyre policia i ka gjetur një dorezë metalike.
Njoftimi i policisë së Kukësit:
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kukës, pas marrjes së njoftimit se disa shtetas të mitur po konfliktoheshin fizikisht me njëri-tjetrin, në rrugë, kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes, për të parandaluar përshkallëzimin e konfliktit. Gjatë kontrollit fizik, njërit prej tyre, shërbimet e Policisë i kanë gjetur dhe sekuestruar një dorezë metalike.
Në përfundim të veprimeve procedurale të kryera me prezencën e prindërve, psikologut dhe mbrojtësit ligjor, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për 5 shtetasit e mitur të përfshirë në konflikt, të moshave 14-17 vjeç, për veprën penale ‘Dëmtime të tjera me dashje’. Gjithashtu, për poseduesin e dorezës metalike, u referuan materialet procedurale edhe për veprën penale ‘Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta’.