Euronews reportazh nga ‘qyteti fantazmë’, i Kukësit. Luli: Kam takuar Boris Johnson, këtu nuk shkelet në bashki po s’le takim 3 herë

Julian Gomez, një reporter i Euronews ka udhëtuar në Kukës dhe Tiranë ku përshkruan situatën ekonomike dhe dëshirën e të rinjve për të emigruar. Dhe jo pa shkak.

Në takimet e zhvilluara nga Gomez, të rinj e të moshuar tregojnë se sa e vështirë është të jetosh në Shqipëri dhe se kushte ekonomike i kanë detyruar ata të shohin si zgjidhje, emigrimin.


Reportazh i përkthyer:
Shqipëria ka diasporën e tretë më të madhe në botë, pas Bosnjës dhe Guajanës. Arsyet dhe përgjigjet, kemi ardhur t’ i marrim në Shqipëri, në një nga vendet më të vogla të zonës veriore dhe më të prekurit nga emigracioni.

Është Kukësi. Ky vend është cilësuar si qyteti fantazmë. 40% e qytetarëve të Kukësit kanë emigruar që nga rënia e komunizmit. Edhe ata emigrantë që u kthyen në atdhe, por mendojnë të rilargohen.

Luli iku nga Shqipëria kur ishte 20 vjeç. Ai u largua në Britaninë e Madhe ku dhe u pajis me pasaportë. Kur nëna e tij u sëmur, u kthye në atdhe dhe u investoi në një kompani ndërtimi. Por biznesi i tij është drejt falimentit, kjo pasi prej 8 muajsh nuk ka marrë asnjë porosi.

‘Është shumë e vështirë sepse unë shpenzoj shumë para në këto gjëra,’- thotë Luli.

Julian Gomez: U pendove që u ktheve

‘Sigurisht vëlla, jam shumë i mërzitur, shumë herë mendoj të lë gjithçka e të iki sërish. Nuk ka rëndësi se ku shkoj thjesht të iki. Nuk u them dot as njerëzve që kam qenë në Londër sepse të gjithë më thonë, pse u ktheve? Shiko vëlla, kur unë isha në Angli, kam takuar edhe kryeministrin Boris Johnson, i thashë ‘jam nga Shqipëria’ dhe më uroi fat. Unë këtu jam nga Kukësi, jeton në Kukës dhe nëse do të më duhet të takoj dikë në zyrën, duhet të lë takim disa herë. Duhet të shkosh shumë herë derisa të arrish të kapësh një takim. Edhe për këtë gjë është shumë e vështirë,’- thotë Luli.

Luli është thjesht një prej shumë qytetarëve që has vështirësi në këtë rajon. 20% e popullsisë jetojnë në varfëri, në skamje. Shumë shohin emigracionin si të vetmen dalje. Më pak njerëz do të thotë më pak biznese dhe kjo sjell pasoja në ekonomi dhe demografinë e vendit. Katër vite më parë, erdhën në jetë 750 fëmijë në maternitetin lokal, por kjo gjë nuk ndodh më.

Venezie Doçi: Vjet kemi pasur 600 lindje, sivjet rreth 500. Kjo tregon se numri vjen duke rënë.

Dy ditë para mbërritjes time, Besnalda, një ekonomiste 24-vjeçare solli në jetë djalin e saj të parë.

Besnalda Hallaçi: Kam motrën time në Amerikë dhe nuk jam shumë e lumtur që ajo është larg nesh. Nuk ishte këtu të njihte as nipin e saj.

Venezie Doçi: Të gjitha moshat e reja kanë ikur, vetëm mosha e tretë ka ngelkur në rrethin tonë.

Vendi më i populluar duket të jetë një lokal ku grumbullohen vetëm të moshuar. Një burrë tregon se tre nga katër e fëmijët e tij jetojnë jashtë shtetit.

I moshuari: Nuk ka punë, nuk kanë me çfarë jetojnë. 3 fëmijë të mi kanë emigruar. Kanë shkuar familjarisht, me fëmijë të vegjël.

I moshuari: Të gjithë ata që kanë ikur në emigracion janë forca punëtore, por duhet të iknin. Në fakt mendoj se ata duhet të bëjnë Shqipërinë, jo Gjermaninë e Italinë.

‘Nëse autoritetet nuk mbështesin asnjë aktivitet që ndodh në shkolla… Për sa i përket logjistikës, materialeve, sportit, krijimtarisë, artit, muzikës, atëherë njerëzit nuk do të ndihen të kompletuar në vendin e tyre, në shkollën e tyre, në shtëpinë e tyre. Pra, përsëri, ndoshta do të kërkojnë diçka tjetër,’ thotë Lavdrim Shehu, një ekspert ligjor për migracionin.

Realiteti është ky. Shkollat e programuara për 300 nxënës kanë vetëm 50.

Valbona ka studiuar ekonomi këtu. Ajo ruan kontakte me një nga profesorët. Të dy kanë histori emigrimesh për të rrëfyer.

Valbona: Isha diku për të blerë gjëra shtëpiake dhe e gjeta mbyllur. Më thanë që ka ikur në Amerikë për një jetë më të mirë. I kishte kushtet, por ka ikur për fëmijët e saj.

Por kryetari i Bashkisë, Safet Gjici refuzon ta quajë këtë vend ‘qyteti fantazmë’.

Thotë se qeveria i di vështirësitë dhe po punon.

Safet Gjici: T’i mbështesim, kryesisht të rinjtë që kthehen, ne u heqim taksat vitet e para, i lehtësojmë që të kthehen në Shqipëri.

Një rrobaqepësi në qytet punëson dhjetëra gra që janë kthyer nga Italia e Gjermania ku nuk kanë mundur të gjejnë një punë.

‘Unë vetë jam në punë, por burrin s’e kam në punë, s’i dilet me një rrogë,’- thotë një grua.

Në Tiranë, kryeqytetin e vendit, situata ekonomike është më e mirë, por edhe aty, të rinjtë kanë dyzime.

‘Në shohim vendet fqinje, kanë jetë më të mirë, ofrojnë demokraci. Nuk gjejmë asgjë këtu dhe kur nuk gjen asgjë, do të ikësh,’- thonë ata.

‘Nëse doni të shkatërroni një vend, ju shkatërroni arsimin e tij’, thotë studentja e marrëdhënieve ndërkombëtare Dragana Kurti.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *