• Mon. Apr 29th, 2024

Kukësi vazhdon traditën e humbjeve, mundet 2 me 0 nga Laçi

Laçi ka marrë tre pikë të arta kundër Kukësit, me rezultatin e pastër 2-0. Një fitore pa shumë shkëlqim, por në këto momente pikët janë ato që vlejnë më shumë.

Lushkja ishte ai që vendosi fatet e kësaj ndeshjeje dhe Laçit me tre pikët ngjitet në vendin e tretë për momentin, duke u shkëputur me tre pikë nga Tirana dhe pret të mësojë rezultatet e rivalëve, që luajnë prej orës 18:00.

Mentor Mazrekaj, i rikthyer titullar, u shfaq protagonist që në fillim të takimit, duke fituar një penallti pas një ndërhyrje të Bruno Lulajt. Kapiteni Regi Lushkja ishte ai që goditi dhe portieri Dashamir Xhika e ndali në gjuajtjen  e parë, por nuk e kontrolloi dot topin.

Tentativën e dytë të mesfushorit portieri i Kukësit nuk e kapi dot dhe Laçi e pa veten në epërsi. Verilindorët reaguan menjëherë dhe iu afruan golit me anë të sulmuesit Patrick Eze, i cili u ndal nga portieri Alen Sherri.

Nigeriani u shfaq edhe një herë tjetër i rrezikshëm, por këtë herë nuk kishte shënjestrën e duhur. Ndryshe ndodhi me Regi Lushkjen, kur sapo kishin kaluar gjysmë ore lojë e ndëshkoi Kukësin me një goditje të kalibruar në hyrje të zonës. Asnjë mundësi për portierin Xhika, që nxori topin nga rrjeta për të dytën herë.

Kukësi, pavarësisht se ishte në disavantazh, nuk u dorëzua në asnjë moment dhe u përpoq shumë të hapte takimin. Kapiteni Agim Ibraimi, në fillimin e pjesës së dytë, u ndal nga traversa, ndërkohë që në një moment rrezikoi edhe Limaj i aktivizuar në pjesën e dytë.

Për Laçin në dy momente u shfaq i rrezikshëm Shehi, por nuk e çoi dot topin në rrjetë. Lëvizjet e trajnerëve  nga pankina nuk sollën ndonjë ndryshim në rezultat dhe kurbinasit i janë gëzuar tre pikëve, ndaj një ekipi që kanë vuajtur shumë vitet e fundit.

LAÇI-KUKËSI 2-0

Shënues: Lushkja 6′, 31′

LAÇI (4-2-3-1): Sherri, Marku, Malota, Obanor, Musta (Prenga 83′), Mazrekaj (Ignjatovic 46′), Shehu, Lushkja, Zylfiu (Arbër Deliu 64′), Harmon (Bytyqi 83′), Xhixha (Turkaj 74′). Trajner: Shpëtim Duro

KUKËSI (4-3-3): Xhika, Baravykas, Lulaj (Limaj 46′), Kurdic, Kotobelli (Bytyçi 46′), Taipi, Demiri, Tsintsadze, Ibraimi, Peposhi, Eze. Trajner: Mirel Josa.

Kartonë të verdhë: Shehu 39′, Zylfiu 64′, Prenga 85′ / Lulaj 5′, Tsintsadze 76′. Limaj 85′

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *