‘Lundro dhe pastro’, ndotja e Komanit që zgjoi ndërgjegjen

Liqeni i Komanit është një nga atraksionet me të bukura turistike në veri të vendit, ku ndërthuret lundrimi me bukuritë e maleve dhe natyrës përreth.

Por prurjet e shumta të lumenjve si dhe aktiviteti njerëzor kanë sjellë këtë pamje pranë digës kryesore të këtij liqeni.

Tonelata të tëra me mbeturina plastike dhe lëndë drusore pluskojnë në sipërfaqen e ujit, duke e ndotur atë përtej çdo lloj imagjinate. Nisur nga këto pamje, biznese të shumta që operojnë në fushën e turizmit, dhe shërbimeve turistike të Shqipërisë dhe Kosovës të mbështetur edhe nga korporata elektro-energjetike shqiptare, kanë marrë një nismë për të pastruar liqenin me moton ‘Lundro dhe Pastro’.

Qindra persona, banorë të zonës si dhe aktivistë apo turistë që kanë vizituan zonën iu bashkëngjitën kësaj nisme, duke nxjerrë nga uji tonelata të tëra me mbeturina.

Ndërkohë punonjës të KESH, apelojnë për ndërgjegjësimin e banorëve që të mos ndotin lumenjtë dhe përrenjtë që derdhen në Koman, duke treguar edhe vështirësitë e ndërhyrjes për pastrimin e sipërfaqes së ujit.

‘Duam të ndërgjegjësojmë familjet që mos të hedhin mbeturinat në përrenjtë e fshatrave e zonës, se mblidhen të gjitha në Koman. Rezervuari duhet të jetë në kuotë maksimale që ne të operojmë duke pastruar, kështu që kemi një hark kohor të kufizuar’, deklaroi inxhinieri i KESH, Artur Luka.

Ndërsa një biznesmen i zonës falënderon për nismën e pastrimit të liqenit, i cili sipas tij ‘kishte vite të tëra që nuk pastrohej’.

Ndërkohë kjo nismë përveç ndërgjegjësimit dhe pastrimit të liqenit të Komanit ka shërbyer edhe për të ndihmuar komunitetin, pasi lënda drusore që nxirret nga uji i shpërndahet shkollave dhe kopshteve për ngrohje.