• Tue. Apr 30th, 2024

Nga Lusna, për Lusnën, me Lusnën…

Nga Qemal Çejku

Ne kemi lindur në Lusën dhe unë e di mirë që truri i njeriut formatohet 6-9 vjetët e para të jetës. Por kurrë mos harroni se kush largohet dhe nuk e kthen kokën mbrapa, kush nuk e respekton vendlindjen, për mua është një qenie pa identitet. Gjëja më e shtrenjtë, vendi ku u lindëm e u rritëm, ku morëm mësimet e fëmijërisë, ku jetuam gëzimet dhe hidhërimet tona, është vendlindja. Aty u formuam, hodhëm hapat e parë dhe nisëm rrugën e jetës.

Vendlindja është kjo tokë, këta gurë e drurë të Lusnës, që në çdo moment na kujtojnë origjinën tonë. Lavdia e të parëve është dritë për pasardhësit. Në gjithë këto vite ikja nga Lusna ka qenë aq masive, sa sot kemi shumë pak banorë që jetojnë aty. Lusna ka pasur histori të lashtë dhe të sotme të lavdishme, por edhe të dhimbshme. Shumë patriotë kanë dhënë jetën dhe janë flijuar për Lusnën në kohë të ndryshme e për atdheun. Bukuria e natyrës bëhet më e plotë kur bashkohet me traditat, mikpritjen dhe banorët e mrekullueshëm të saj që sot janë në Lusën, por edhe ata që janë në të gjithë Shqipërinë, në gjithë botën.

I gjithë fshati është i bukur. Ka vende ku lusjanët ëndërrojnë të kalojnë disa ditë me pushime, por tani vetë ne lusjanët duhet të mendojmë jo vetëm për vete, por edhe si paketa turistike për miqtë tanë, kolegët të mos mendojmë ikjen në vende të tjera të vendit që vërtetë janë të bukura, po aq sa Lusna, asgjë më shumë nuk kanë. Ushqimet e Lusnës të gjitha prodhime vendi dhe pa asnjë stimulues, të gatuara dhe konservuara me plot pasion e dashuri nga nënat e motrat tona. Vendet e bukura me mundësi turistike janë të panumërta. Kryesisht fillojnë me “zabeli i madh”, i cili me një dakordësi kanunore, nuk pritet, nuk dëmtohet, por shërben për punët e komunitetit, e ashtuquajtura “avllia e katundit” nga banorët, duke u bërë mbrojtëse e motit të keq dhe erës. Stanet janë histori më vete. Banorët i përdornin si banesa verore bashkë me bagëtitë, mbledhjen e bulmetit…

Aty ishte dhe bukuria e luleve natyrore dhe blegërimave të bagëtive. Bjeshka është një perlë që pak fshatra e kanë; e butë, me ujë, piktoreske dhe që andej shihen disa male të Shqipërisë si: Gjallica, lavdia e Lumës; Korabi, mali më i lartë; malet e Sharrit, Pikëllima, Pashtriku në Has, Shkëlzeni në Tropojë, malet e Lurës, Deja në Mat. Pra, Zoti krijoi një natyrë të bukur, të aksesueshme, me shumë ujë, e pakapur nga erërat e fuqishme, shumë prodhuese, me njerëz që kanë lënë një emër në historinë jo vetëm të fshatit, por të gjithë Shqipërisë.

Ajo quhet Lusën, po ne çfarë duhet të bëjmë? Thirrja vëllazërore është për gjithë banorët e Lusnës: Ju që jeni, banorë aktualë, mbroni dhe zhvilloni atë vend aq sa mundeni! Për lusnjanët që ndodhen me banim jashtë Lusne (në gjithë Shqipërinë dhe në gjithë botë), mos nguroni dhe harroni Lusnën. Secili nga ne që jemi larg Lusnës, kemi një mundësi për të ringritur shtëpitë tona. Shpenzimet janë minimale, gurë e dru janë aty, duhet vetëm pak vullnet e dashuri për Lusnën. Brezave nuk mund t’u trashëgojmë dashurinë apo krenarinë për Tiranën, Durrësin, etj. (jo se nuk kanë vlerë se fundja jemi të gjithë shqiptarë), aq më pak për emigrantët nëpër botë. Shembulli duhet të nisë nga ky brez, nga ne lusjanët, që të fillojmë ta duam dhe të rikthehemi për pushime, t’i lemë pushimet në vende me emra të mëdhenj, të marrim me vete fëmijët, nipat e mbesat, të ftojmë miq e kolegë, të vendosim një ditë feste si dita e Lusnës…

Të jeni të sigurt që do të kemi shumë banorë miq e vizitorë, por dhe turistë. Të gjithë ju që keni mundësi promovimi, flisni hapur kudo: në shtëpi, në zyrë, në TV e radio, në rrjetet sociale aq shumë të aksesueshme, kudo ku rrjedh e përthithet informacioni. Kush mohon vendlindjen, nuk bëhet modern, përkundrazi, zvogëlohet shumë e më shumë. Ju të gjithë të nderuar, që për shkak të punës e karrierës keni mundësi të loboni që Lusna të ketë rrugë të mirë deri në bjeshkë, por edhe rrugët e rrugicat e lagjeve të sistemohen, thjesht bëjeni.

Vetëm atëherë të gjithë ne bëhemi misionarë të vetes, familjes sonë, Lusnës tonë, atdheut dhe kështu hapim një dritare të re duke e kthyer Lusnën jo vetëm për lusjanët, por aset turistik kombëtar. Lartësimi i emrit Lusën duhet të frymëzojë çdo njërin nga ne. Të gjithë ata që kanë mundësi dhe dituri për Lusnën, duhet të shkruajnë dhe shkrimet t’i grumbullojmë në një “aset”, që nesër të jetë pasaporta e Lusnës. Të gjithë historianët t’i nxitim e stimulojmë të shkruajnë për historinë tonë. Të gjithë poetët vendës të thurin vargje për Lusnën e bukurinë e saj. Inxhinierë dhe studiues, shkruani dhe projektoni. Doktorë e mësues, shërbeni aty ku të jeni!

Agronomë e veterinerë, shërbeni për bujqësinë e blegtorinë! Kompozitorë, krijues e këngëtarë, thurni vargje për trimat lusnjanë në shekuj, por dhe për jetën e sotme, për familjen, dashurinë! Të nderuar lusnjanë, respektoni e doni lusnjanin kudo që të jeni! Largoni turbullirat në kokë, me histori të hershme e të sotme, sepse do t’i bëjmë një shërbim Lusnës, por dhe Shqipërisë.

Të gjithë ata IT e programues lusnjanë, hapni faqe uebi e të gjitha rrjetet sociale, futeni atë në faqet serioze botërore, kulturore e artistike. Të gjithë bashkë, jo të ndarë, sepse nëse punojmë të fragmentizuar (pjesëpjesë) nuk do t’i shërbejmë Lusnës, as familjeve tona. Jo biznese të vogla momentale, por promovim me anë vendosjes aty të vlerave ku të krenohemi të gjithë ne së bashku. Vetëm kështu e mira do të vijë: biznes, turizëm, vlera për të gjithë.

Botuar ne Gazeten Panorama

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *