• Tue. Apr 30th, 2024

Novosej dhe Shishtaveci, dy fshatra që kanë bërë emër për harmoni

Shkruan Azem Parllaku

Novosej dhe Shishtaveci janë dy fshatrat që kanë bërë emër për harmoni, bashkëjetesë, e tolerancë si rrallë kund tjetër.

Sot të dy fshatrat janë bjerrur nga emigracioni. Të moshuarit që përshkojnë rrugicat përshëndeten me pak të rinjtë që kanë mbetur.

Kësaj panorame trishtuese i shtohen tek-tuk dhe gratë e moshuara të mbështetura pas portave të avllive, të cilat fjalosen mesvete, e vështrimin e kanë hedhur diku, shumë larg.

Për të ardhur keq, lindjet foshnjore numërohen me gishtat e njërës dorë, e sa për dasmat qëllojnë shumë rrallë, kryesisht ato të vajzave.

Jo shumë larg, dy dekada më parë në zonë nxirrnin tym më shumë se dy mijë shtëpi, ndërsa tani kanë mbetur, pothuaj çereku i tyre.

Fshatrat i zgjojnë pelegrinazhet e kurbetqarëve dhe të ikurve të tjerë, në ato pak ditët e verës së shkurtër.

Kur të parët, ishin vendosur në pozicione dominuese këtu, asociuan veten e familjet e tyre, e siç ishte shkruar fati, ata bënë një jetë më të mbyllur, e imponuar nga barriera të fuqishme gjeografike e shpirtërore.

Duke bërë kështu një jetë më të pamvarur, e duke jetuar harmonikisht në bashkësi të ngushtë, këto katunde kanë doket e zakonet e veta, e manifestojnë vyrtyte e veçori të karakterit që i dallojnë.

Historia e popullit në këto anë, ka qenë një luftë e pandërprerë, një ndeshje jo vetëm me natyrën, por dhe me dhunën e sistemeve në kohë të ndryshme.

Kryeministra, ministra, deputetë, ambasadorë, pushtetarë lokal, misionarë të OJQ-ve, kanë xhirotuar deri këtu, vetëm në ditët kur u është dashur të përkujdesen për votën, apo për të promovuar veprimtari qëllimi i të cilave kurrë nuk është finalizuar.

Të imponuara nga pamundësitë familjet e mbetura shfrytëzojnë si burim alternativ të ardhurash mbjelljen e patates, mbledhjen dhe grumbullimin e bimëve medicionale, tregun e të cilave e garantojnë blerës kryesisht nga Kosova.

Ndërsa të ardhurat nga emigracioni janë sa për mbijetesë, kjo për faktin e pagesave të majme të kryera për lëvizjet drejt Perëndimit, e çmimeve të kripura të pasaportave bullgare që të larguarit blejnë herë pas here.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *