• Fri. Apr 26th, 2024

Pas republikanëve dhe LSI-së, kuksiani Ylli Shehu shkon me Ramën

Fillimisht doli deputet në Kamzë, duke kandiduar nën siglën e Partisë Republikane.

Ylli Shehu, mundi të mbledhë votat e kuksianëve dhe dibranëve në bashkinë e dytë të Tiranës dhe zonave përreth duke mundur që të futet në parlament nën siglën e PR-së.

Edhe pse ndjenji për disa kohë në parlament, me ikjen e PD-së nga pushteti edhe Shehu mendoi që të mos qëndrojë gjatë në opozitë.

Majin e vitit 2015, Ylli Shehu do të braktiste opozitën dhe do ti bashkohej qeverisë, ku bënte pjesë dhe LSI-ja nga viti 2013 deri në vitin 2017.

Pasi shijoi 2 vite pushtetin me LSI-në, Shehu vazhdoi sërish dhe kandidoi në zgjedhjet e vitit 2017, por duke mos arritur që ti bashkohet parlamentit, pasi nuk fitoi dot.

Por edhe pse ishte në opozitë, duket se fati do ti trokiste në derë.

Shkurtin e vitit 2019, opozita, ku tashmë bënte pjesë dhe LSI-ja, do të digjte mandatet e saj duke braktisur parlamentin. Kështu që Edi Rama ngeli vetëm me ushtarët e tij në sallën e Kuvendit.

Atij i duhej edhe një opozitë fasadë sa për tu thënë ndërkombëtarëve që ka me kë të bëjë muhabet në parlament.

Një ndër kandidatët për deputetë që pranoi të merrte mandatet e djegura nga opozita, ishte edhe kuksiani Ylli Shehu. Ky i fundit u fut në parlament, duke zënë një karrige. Kështu Shehu u kthye sërish si ligjvënës.

Por kthimi i tij në parlament dhe shpëtimi i Edi Ramës në disa raste, bën që kreu i PS-së tani ti kthejë borxhin.

Rama ka vendosur që Ylli Shehun ta fusë në ‘gjirin’ e PS-së dhe ta hedhë në fushë sërish në Tiranë, e prap në zonën e Kamzës, ku ai mori fillimisht dhe votat për tu bërë deputet.

Kështu pas republikanëve të Mediut, LSI-së së Kryemadhit, tani Ylli Shehu ka vendosur që të provojë fatin e tij me Edi Ramën.

A do ja dalë të jetë sërish në parlament, kjo mbetet për tu parë pas zgjedhjeve të 25 prillit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *