• Mon. Apr 29th, 2024

Ta kujtojmë me shpirt të pastër Havzi Nelën!-Nga Izet Duraku

Sigurimsa, hafije, hetues, gjykatës, prokurorë…. dhe heshtja e një mileti të nënshtruar u bënë palë me regjimin që vrau e persekutoi kë deshi.

Në rastin e Havzi Nelës që u var më 10 gusht 1988, urdhëri erdhi nga Olimpi, nga maja e tij. Rrufeja e ndëshkimit do të nisej pikërisht nga Maja që zgjodhi Kukësin që t’i fuste dridhmen vendit, krejt vendit. E shihni si e ndeshkojmë rebelizmin e të egërve, që guxojnë të ngrenë mendjen e dorën kundër nesh!.

I varim për gjuhe, i rrasim në dhe – pingul, siç mbillen pemët . I bëjmë të rrinë sus në këtë jetë dhe në atë tjetrën! Majës së Olimpit të degjeneruar që do t’i hynte frika në palcë vetëm pak muaj pas këtij krimi, në këtë rast nuk doli kush t’ia ndalte rrufetë.

As të përballej me perbindshin duke e pështyrë në surrat, siç u pështynë tanket ruse të pushtimit në Prage!. Mund të kenë mermeritur shumë me vete, po perballe nuk doli askush. Olimpi nuk pyeste për mermerima të heshtura, ai do të trembej nga dallget e zemerimit.

Jam i bindur se këtij dheu, veçanërisht Lumës nuk i kanë munguar Trimat me germe të madhe. Trima që mund të cilesohen të marrë . Por mesa duket ende ishte heret për kurajon qytetare që do t’i bëhej digë epshit shtazarak të një pushteti, që fliste në emër të popullit.

Sigurisht le të gjykohen e ndëshkohen sigurimsa, hafije, hetues, gjykates e prokurore, le të perbuzim heshtjen, konformizmin, mungesen e kurajos, le te vajtojme mungesen e një heroi kordhetar që do t’i klithte në fytyrë regjimit, mungesen e një shenjti të guximit dhe vetflijimit.

Po të mos harrojme Olimpin e uzurpuar nga erdhi rrufeja.

Le te kujtojme me shpirt të paster Havzi Nelën, poetin e dhimbjes sonë memece duke e qëruar zemrën tonë nga urrejtja!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *