• Fri. Apr 26th, 2024

Vjeshta e Lumës…-Nga Lavdrim Rata

Shumë vite më parë, i nxitur nga dëshira e kureshtja për të gërmuar e mësuar diçka më shumë mbi historinë e Lumës, me patë bërë përshtypje fakti, që edhe pse kjo krahinë i kishte dhënë jetë e dritë lirisë së kombit, historiografia zyrtare nuk kishte denjuar të merrej kurrë me të, duke e lënë plotësisht në hije.

Ndoshta kjo edhe për faktin se Luma kishte qëlluar të ishte në shkrepa, larg qendrës e detit.

E kot nuk thotë populli se, ‘afër detit, afër mbretit’.

Por, edhe ne si krahinë jemi hallakatur e shkretuar mes veti. Për dallim nga vëllezërit tanë dibranë, që Zotin e kanë në qiell e historinë e tyre me në krye Elez Isufin, të qartë përmbi dhe, ne lumjanët, kemi Zotin në qiell, e historinë; ku njëri i bie thumbit, e tjetri patkoit, përmbi tokë.

Jo vetëm kaq, por kemi edhe huqin e ziliqarit, mospërfillësit e minuesit, sa herë që dikush orvatet të trazoj ndonjë gjë nga historia.

Diku aty nga viti 1998, kur pata marrë përsipër të realizoj një dokumentar televiziv, në lidhje me Mësonjëtoren e parë Shqipe të Kolesjanit, dikush nga ata speciet në qarkullim, që historia e Lumës mendon se është monopol i një parie, fshati apo bajraku, më ‘këshilluan’ të mos merresha me të tilla historira, se këto janë punë të thella. Dhe unë nuk u ndala. Por edhe ai nuk u ndal. Më ndoqi këmba këmbës. Dhe, kur dokumentari u realizua dhe pritej transmetimi i tij, ky kishte tentuar të zgjatej edhe brenda televizionit, vetëm që dokumentari të mos transmetohej.

Kjo histori mu kujtua këto ditë, kur njëri nga bashkëpunëtorët e produksionit që po merret me projektin e këngës, më lajmëroj se në shesh të xhirimeve, kishte mbërritur njëri nga ata të ‘punëve të thella’, duke i këshilluar që t’i ndërprisnin xhirimet se po e tepronin me piskamën dhe tymin që shkonte për hava. Pra ishte prishur qetësia publike maje shkëmbi.

Tipa si këta apo të tjerë spurdhjak të ngjashëm me ta, që mendojnë se ky projekt historik, për të cilin është punuar me pasion e përkushtim të jashtëzakonshëm për muaj të tërë, ku janë angazhuar një mori njerëzish, u ra nga qielli në një ditë të bukur me diell.

Falë kësaj sërë njerëzish, fshati me historinë më të lavdishme në trojet shqiptare, është shndërruar në një rrënojë historike, ku nuk ruan asgjë nga e kaluara.

Në fund, ajo që ia vlen të potencohet, është se falë këtij projekti muzikor, Kolesjani në veçanti dhe Luma në përgjithësi këtë vjeshtë, po jehon siç i ka hije kudo dhe ngado.

Kjo mund të quhet me plot gojën si ‘Vjeshta e Lumës’. Dhe i gjithë ky ngazëllim i thellë që ka pushtuar njerëzinë, po ndodh ende pa u publikuar kënga.

Me publikimin e saj, Luma do të jehoj e shkëlqej përjetësisht, në të gjitha stinët, si asnjëherë më parë!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *