• Tue. Apr 30th, 2024

Doktor Admir Sinamati pranon kërkesën e demokratëve kuksianë për të kandiduar për kryetar të PD

Doktor Admir Sinamati ka pranuar të kandidojë për të drejtuar demokratët e Kukësit.

Profesori i Fakultetit të Mjekësisë ka respektuar kështu kërkesat e pafundme të demokratëve për t’i udhëhequr dhe përfaqësuar ato.

Më poshtë, qëndrimi i Doktor Admir Sinamatit:

Të nderuar demokratë kuksianë!

Fillimisht dua të shpreh mirnjohjen dhe kënaqësinë që jemi prej kaq kohësh në të njëjtën llogore, pa pyetur dhe pa u interesuar për “motin” nëse ka qenë fresk pranvere, zhegu i verës, diell i vjeshtës apo acar i dimrit.

Jemi bashkë prej vitesh pa u shqetësuar nëse kemi qenë në pushtet apo opozitë, por pa harruar për asnjë moment devizën: nga vijmë e ku do shkojmë.

Të dashur vëllezër e motra, viti 2021 la në vendin tonë jo vetëm një qeveri të kapur nga krimi, korrupsioni dhe tradhëtia por edhe një opozitë në buzë të humnerës. Për fatin e keq tonin dhe të Shqipërisë, Partia Demokratike si aseti politik më i madh kombëtar, u gjend e braktisur nga një kryetar dështak që nuk arriti të galvanizojë energjitë e shqiptarëve, për t’a kthyer në forcë qeverisje si parakusht për ndalimin e rrokullisjes së vendit drejt honeve të skëterrës.

Në vend që të kërkonte ndjesë dhe të fillonte “betejat e panumërta” të lëna në mes, ish-kryetari i shpalli lufte “ushtrisë” së vet, duke pretenduar “vrajsen” e kryegjeneralit që kishte fituar me shumë luftera në numer sesa askush tjetër në këtë vend.

Kur L.B. mendoi se pas fjalimit të gjatë me përulje e shumë lëvdatave patetike, goditja pas shpine ishte e mjaftueshme për “Plakun”, në fakt mori edhe përgjigjen për fillimin e fundit të vet.

Në politikë si dhe në jetë ka dy rrugë: të ndjekësh rritmin e ndjeshmërisë së zemrës, apo të kalkulosh veprime në mendje dhe të besosh më shumë tek truri. Përvoja ka treguar se po të ndjekësh instiktin e zemrës, së paku nuk do të jesh humbës.

Këtë gjë bëmë edhe ne kuksianët, I besuam zemrës, iu bashkuam Doktor Berishës, për të lënë mënjanë kalkulimet e servirura diku falas e diku me çmim dëshire.

Ne e ftuam Doktorin të na udhëheqë përsëri dhe iu bashkuam si shumica dërrmuese e demokratëve shqiptarë për të shpëtuar Partinë Demokratike, për ta bërë atë : më të fortë, më të bashkuar dhe me të hapur!

Më në fund ia dolëm…

Të nderuar miq,

Gjatë këtyre ditëve të vështira që kaluam, ne provuam se kur jemi bashkë ia dalim. Ia dolëm sepse i besuam instiktit të zemrës, ndjekëm traditën malsore të respektit dhe rëndësinë e përzgjedhjes së “zotit” të shtëpisë.

Gjatë kësaj kohe ne jemi përballur me pengesa të panumërta por tashmë i kemi kapërcyer, falë këmbënguljes dhe qëndresës sonë të përbashkët. Tashmë po shkojmë drejt finalizimit të këtij projekti politik jetëshpëtues për PD.

Të dashur anëtarë të PD Kukës, jam ndjerë i privilegjuar që kam punuar intensivisht me të gjithë ju për ringritjen e PD në Kukës, jam gjendur i befasuar nga besimi dhe vlerësimi juaj e jam inkurajuar pafund për të vazhduar bashkë deri në përfundimin me sukses të qëllimit dhe misionit tonë: kthimin e pushtetit tek qytetarët dhe në funksion të tyre.

E bash për këtë arsye kam pranuar të jem kadidat për kryetar të PD “Dega Kukës”, i bindur se kontributi im do jetë i vlefshëm për Kukësin dhe Shqipërinë.

Jam falenderues ndaj qëndrimit të shumicës së të propozuarve, për të unifikuar vetveten tek emri im, me bindjen se nuk do zhgënjehen kurrë nga ky veprim.

Gjithashtu vlerësoj me respektin më të madh kandidatin tjetër z. Irel Elezi si një pinjoll i denjë i njërës prej familjeve më antikomuniste të vendit dhe i uroj përzemërsisht suksese!

Vota e lirë është themeli i demokracisë, ndaj ftoj të gjithë anëtaret e PD Kukës që me datë 17.04.2022 të marrin pjesë në votime për të zgjedhur kryetarin me parimin : Një anëtar një votë.

Mirnjohje dhe përqafime të gjithëve!

Zoti e bekoftë Kukësin!

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *