Teuta ka mundur me shifrat 4-1 Kukësin në një ndeshje që mund të jetë shumë vendimtare sa i përket të dy skajeve të tabelës.
Durrsakët kanë marrë tre pikë të rënda për t’iu larguar zonës së play-out, ndërsa verilindorët kanë humbur mundësinë që të shkëputen përsëri nga Partizani, duke rrezikuar tashmë seriozisht Europën.
Pritej një ndeshje e luftuar dhe ashtu ishte, por u ndikua nga një gol i shpejtë i durrsakëve, të cilët gjetën rrjetën me Hebajn me gjuajtën e parë në portë.
Kukësi reagoi dhe ia doli që të barazonte shifrat me Mustën para fundit të pjesës së parë.
Por në të dytën, skuadra e Longos u shpërbë, duke pësuar tre gola të tjerë e duke rrezikuar që të pësonte edhe më shumë, po të mos ishte për pasaktësinë e skuadrës vendase në disa mundësi të mira shënimi.
Heroi i ndeshjes ishte Hebaj me tre gola, por golin më të bukur të sfidës e shënoi padyshim Daci me një ekzekutim spektakolar.