• Sat. Jun 22nd, 2024

E futën në bagazh 17-vjeçaren, arrestohen në doganë dy të rinj

Dy shtetas të Kosovës janë arrestuar në pikën kufitare të Morinës, pasi kanë tentuar të fusin në territorin shqiptar një të mitur 17-vjeçare.

Policia bën me dije se e mitura ishte fshehur në makinën e të rinjve dhe se kjo nuk ishte tentativa e parë e 17-vjeçares për të kaluar kufirin në kundërshtim me ligjin.

“Fshehën një 17-vjeçare, në bagazhin e automjetit me të cilin udhëtonin, me qëllim hyrjen në vendin tonë, në kundërshtim me ligjin, arrestohen në flagrancë dy 23-vjeçarë nga Kosova. Shërbimet e Policisë Kufitare të PKK Morinë, në vijim të kontrolleve të bazuara në analizën e riskut, të ushtruara ndaj shtetasve dhe mjeteve me të cilat ata udhëtojnë, me qëllim parandalimin dhe goditjen e krimeve kufitare, në hyrje të RSH-së, kanë kaluar në vijën e dytë, për kontroll më të detajuar, automjetin tip “BMË”, me drejtues shtetasin A. M. dhe pasagjer shtetasin N. K.

Gjatë kontrollit të ushtruar në bagazhin e këtij automjeti, shërbimet e Policisë gjetën të fshehur një shtetase 17 vjeçe, banuese në Prishtinë, e cila dyshohet se po ndihmohej nga këta 2 shtetas, për të kaluar kufirin, në kundërshtim me ligjin. Nga verifikimet ka rezultuar se 17-vjeçarja kishte tentuar edhe më parë të hynte në vendin tonë, por për shkak të moshës, nuk ishte lejuar të hynte e pashoqëruar, sipas përcaktimeve ligjore në fuqi.

Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve të DVP Kukës arrestuan në flagrancë shtetasit A. M. dhe N. K., të dy të moshës 23 vjeç dhe banues në Prishtinë, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme.”, njofton Policia e Shtetit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *