• Wed. May 8th, 2024

Që Edi Rama bën vetëm shou këtë e ka treguar jo vetëm në Kukës, por në të gjithë Shqipërinë.

Edhe pse është munduar ta bëjë këtë me kuksianët, nuk ja ka dalë, sepse gjithmonë ka gjetur reagimin e banorëve, reagim që nuk ka ardhur nga asnjë qytet tjetër.

Por nëse 4 vite më parë u tall, duke vendosur Mimi Kodhelin në krye të listës së deputetëve të Kukësit, e cila u zgjodh dhe më pas u zhduk, duke mos ja parë më fytyrën në Kukës, të njëjtën gjë kërkon të bëjë edhe tani.

Çfarë po ndodh?

Fillimisht PS e Kukësit propozoi disa emra për kandidatë për deputetë në Kukës, por duket se Ramës, i cili gjithë pompozitet del nëpër Shqipëri me takimet e ‘deputetit që duam’, nuk i kanë pëlqyer propozimet.

Ai ka vendosur, pa pyetur askënd në Kukës, që të sjellë një kandidate shtegtare edhe pse me orgjinë nga Kukësi, Kukësin mund ta ketë parë veç nga larg.

Rama kërkon që të bëjë deputete vajzën e ish-oligarkut të naftës, biznesmenit kuksian Shyqyri Duraku.

E prezantoi në Kukës, ku shkoi në turin ‘deputeti që duam’, Gerta Durakun. Një emër i panjohur për kuksianët dhe aq më shumë për socialistët e Kukësit.

Propozimi i saj ka ardhur vetëm se është e bija e Shyqyri Durakut, një biznesmeni që ka vite që ‘është zhdukur’, pasi e shiti shumicën e biznesit të tij të karburanteve ‘Euro Drini’.

Ne nuk kemi asgjë në lidhje me propozimin e Gerta Durakut për deputete të PS-së në Kukës, se fundja këto janë punë të brendshme të kësaj partie, por na lind e drejta për të pyetur se, çfarë ka bërë ajo për Kukësin dhe për kuksianët? Apo duke qenë vajza e Shyqyri Durakut, kërkon që të përfitojë nga emri i babait, për të marrë disa vota në Kukës.

Por tani me formulën e re të votimeve, askush nuk e ka vendin të sigurtë, se edhe pse mund të vendosësh emrin i/e para në listë, mandatin mund ta marrë ai që merr më shumë vota.

Por nuk është vetëm kjo.

Rama kërkon që në listën e Kukësit të fusë edhe aktoren e Portokallisë, tropojanen e bukur Arjola Demiri. Për të kemi shkruar dhe më herët dhe është e tepërt që të shkruajmë  sot.

Duke qenë se dy kandidatet e përfolura janë femra, mund të krijohet ideja se ne kemi diçka kundër përfaqësimit të grave në Kukës.

Absolutisht jo.

Një kandidate shumë e mirë grua nga Kukësi, që ka kontribuar më shumë se dy zonjat e mësipërme është dhe kryetarja e PS-së në Kukës, Anila Sokoli.

Por për Ramën, asnjë nga propozimet e PS-së së Kukësit, si Lavdrim Sahitaj, Anila Sokoli, Ismet Nika dhe Vladimir Spahija, nuk kanë qenë të preferuar.

Edhe pse del e bën fushatë se gjoja kandidatët do ti propozojë anëtarësia, sërish Rama vendos vetë, të paktën për rastin e Kukësit.

Kuksianët kanë nevojë të përfaqësohen me njerëzit e tyre, e jo me njerëz të importuar nga jashtë, siç edhe ka ndodhur në 4-vjeçarin e fundit me Mimi Kodhelin.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *