Gjykata e Kukësit nis gjyqin ndaj Fjolla Morinës

Gjykata e Kukësit pranon kërkesën e Fjolla Morinës për gjykim të shkurtuar. Këngëtarja akuzohet nga prokuroria për ‘trafik të armëve’.

Nga Bashkim Shala-BIRN

Gjykata e Kukësit zhvilloi të enjten seancën e parë ndaj këngëtares Fjolla Morina, e akuzuar nga prokuroria për ‘trafik armësh’, pasi u kap me një pistoletë në kufirin mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Çështja do të shqyrtohet nga trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtarja Alma Ahmeti, me anëtarë gjyqtares Enkeleda Dalipi dhe Sami Ujkashi të gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tropojë. Në fillim të seancës, gjyqtarja Alma Ahmeti ka deklaruar mungesën e të akuzuarës Fjolla Morina, e cila ishte me masë sigurie arresti në shtëpi, por u largua nga vendi ku duhej të qëndronte dhe me gjasë ndodhet në Kosovë.

Morina, që rrezikon mbi bazë të akuzës nga 7 deri në 15 vjet burg, nuk u gjet nga policia në shtëpinë ku mbahej në ruajtje me masën e sigurisë arrest shtëpie më 20 janar të këtij viti. Vetë këngëtarja ka postuar në faqen e saj në Instagram video nga festa e ditëlindjes së të fejuarit të saj në 16 janar.

Pas arratisjes gjykata ndryshoi masën e sigurisë ndaj Morinës duke e caktuar atë me ‘arrest në burg’. Ndërkohë që policia e ka shpallur në kërkim pa mundur që ta ndalojë.

Në seancën e së enjtes është paraqitur avokatja e Fjolla Morines, Aurora Guska e cila ka paraqitur prokurën që e akuzuara e kishte pajisur për ta mbrojtur. Prokurori i çështjes Edmond Kariqi ka lexuar para trupit gjykues rrethanat e ndalimit dhe më pas arrestimit të Fjolla Morines dhe dy personave që e shoqëronin, me 19 shtator të vitit kaluar. Pas leximit të akuzës, avokatja Aurora Guska ka kërkuar nga trupi gjykues që ndaj klientes saj të aplikohej gjykim i shkurtuar, pasi një kërkesë e tillë ishte bërë nga vetë e pandehura në seancën e gjyqit paraprak.

Trupi gjykues është tërhequr për të marrë vendimin dhe pas një konsultimi të shkurtër ka vendosur që të pranojë kërkesën e të akuzuarës për gjykim të shkurtuar. Ndërkohe pas këtij vendimi, prokurori Edmond Kariqi kërkoi kohë për t’u përgatitur për konkluzionet me shkrim, ku trupi gjykues vendosi që të shtyjë seancën me 19 mars për t’i dhënë kohë përfaqësuesit të akuzës për konkluzionet.

Këngëtarja nga Kosova u arrestua me 19 shtator të vitit kaluar bashkë më dy persona të tjerë, me të cilët po udhëtonte. Fitim Muji shoferi personal dhe miku i saj dhe tashmë bashkëshorti i Fjolla Morinës , biznesmeni nga Gjilani, Fisnik Syla. Sipas vendimit të ndërmjetëm të gjykatës së Kukësit të dhënë me 1 dhjetorit 2020, në të cilin u shqyrtua paraprakisht kërkesa për gjykimin e çështjes nga prokurori, Morina ka pranuar se arma dhe fishekët kanë qenë të sajat, duke shfajësuar të fejuarin Fisnik Sylaj dhe shoferin Fitim Muji.

Çështja ndaj Morinës mori kthesë serioze pasi gjykatësi, Florin Demollari që shqyrtoi paraprakisht dosjen ndaj saj, në të cilën Morina akuzohej fillimisht vetëm për ‘armëmbajtje pa leje’, ia ktheu atë prokurorisë duke arsyetuar se fakti ishte ‘cilësuar gabim’. Demollari, në vendimin për kthimin pas të akteve, arsyetoi se Morina duhej të ngarkohej me akuzën ‘trafikim të armëve dhe municioneve’.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *