Pakti i opozitës në Kukës/ Hoxha: LSI ‘djeg’ kandidatët e saj, votat tek PD

Biznesmeni Flamur Hoxha, kryeson listën e demokratëve në qarkun e Kukësit.

Në një intervistë për Report TV, ai shprehet se PD dhe LSI do të bashkojnë votat në Kukës, pavarësisht se këto subjekte janë regjistruar veçmas në KQZ dhe LSI ka dalë me listën e saj.

‘Do kemi 3 kandidatë, të tre do të jenë të Aleancës për Ndryshim, në këtë fushatë edhe pjesa tjetër e aleatëve tanë, LSI do të jenë pjesë me të gjithë kontributet e votuesve për të dhënë kontributet maksimal për të bërë ndryshimin që presin të gjithë shqiptarët në 25 prillit, pra në Kukës sipas asaj që KQZ do miratojë, do kemi tre kandidatë dhe votat e kandidatëve të LSI do të shkojnë për kandidatët tanë’, tha ai.

Hoxha, i cili është dhe drejtues politik i PD-së në këtë qark angazhohet në një fushatë intensive me takime dere më derë.

‘Unë do bëj një fushatë intensive, do takoj të gjithë kuksianët, pa dallim partiak, dua t’i shërbej një modeli evropian për çdo qytetarë’, tha ai.

Hoxha shprehet optimist për fitoren e së djathtës në Kukës.

‘Rezultatet do të jenë, nga fryma që unë shoh, që do kemi si forcë apo si aleancë më të mirin në 15 vite’, përfundoi Hoxha.

Partia Demokratike në qarkun e Kukësit ka kandiduar përpos Hoxhës dhe Isuf Çelajn, Shyrete Kokën. Ndërsa LSI ka shpallur kandidatët: Erblin Bulica, Fiqireta Çela, Arbër Arifaj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *