• Sat. Apr 27th, 2024
Makina e kamione, duke kaluar ne sportelet e pageses se takses ne rrugen e Kombit, prane tunelit te Kalimashit. Prej mengjesit te sotem, ka hyre ne fuqi tarifa per qarkullimin e automjetjeve ne rrugen, Durres-Kukes. /r/n/r/nCars and trucks driving through pay toll of the Durres-Kukes highway, near the Kalimashi tunnel. From today the highway connecting Kosovo with Albania starts a 5-12 euro toll.

Koncesioni kontrovers i mirëmbajtjes së autostradës Milot-Morinë parashikon një investim të kompanisë koncesionare me vlerë 44 milionë euro. Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, brenda katër viteve të para të operimit, koncesionari  pret të arkëtojë deri në fund të këtij viti 60 milionë euro.

Nga Gjergj Erebara-BIRN

Koncesioni i autostradës Milot-Morinë i ka kushtuar shqiptarëve 5.4 miliardë lekë deri në fund të vitit 2020 dhe pritet t’i kushtojë 7.6 miliardë lekë ose 62 milionë euro deri në fund të këtij viti, në një kohë kur i gjithë detyrimi i kompanisë kontraktore për investime në këtë segment është në masën 5.4 miliardë lekë ose 44 milionë euro, bëhet e ditur nga të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave.

Kompania koncesionare, Albanian Highway Concession, nën pronësi të përbashkët të Kastrati Group dhe Salillari, e ka arkëtuar këtë shumë pjesërisht nga buxheti i shtetit dhe pjesërisht nga përdoruesit e rrugës. Sipas të dhënave, 2.5 miliardë lekë janë paguar apo pritet të paguhen nga taksapaguesit deri në fund të këtij viti ndërsa 5.1 miliardë lekë janë të ardhurat nga përdoruesit e rrugës.

Koncesioni ka një afat 30 vjeçar ndërsa në katër vitet e para, ai i ka kushtuar qytetarëve mesatarisht 15.6 milionë euro.

Kompania koncesionare ka një kapital themeltar të paguar prej 380 milionë lekësh, (3.1 milionë euro).

I konsideruar si një projekt tipik i kapjes së shtetit nga interesa private, koncesioni u prit me protesta të dhunshme, të cilat u interpretuan gjerësisht si një kryengritje kundër ‘oligarkisë’. Katër vjet më pas, përfitimi i qytetarëve nga kjo marrëveshje mbetet për t’u parë.

Sipas bilancit financiar, kompania ka gjithsej 77 punonjës. Ajo ka realizuar fitime neto prej 42 milionë lekësh.

Të ardhurat e koncesionit Milot-Morinë

Në mijë lekë    2018    2019    2020    2021    Totali

Nga buxheti     308,183           570,642           811,734           810,259           2,500,818

Nga tarifa        413,473           1,811,813        1,474,044        1,359,988        5,059,318

Totali   721,656           2,382,455        2,285,778        2,170,247        7,560,136

Burimi: Ministria e Financave

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *